Aksion për lirimin e hapësirave publike në bregdet, arrestohen dy persona në Durrës

56
Sigal

Në vijim të kontrolleve për konstatimin e ndërtimeve pa leje dhe zënien e hapësirës publike, policia e Durrësit ka arrestuar dy shtetas të cilët pa lejen përkatëse kishin ndërtuar në bregdet.

Në pranga ranë: P. M., 32 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë në fushën e narkotikëve. Ky shtetas në vendin e quajtur “Plazhi Sektor Rinia”, Durrës, në bregdet ka ndërtuar një objekt (lokal), pa lejen e organeve komentete, me qëllim përfitimi.

A. P., 35 vjeç, banues në Durrës, pasi në lagjen nr. 15, Porto Romano, kishte ndërtuar me dërrasa një objekt si dhe kishte zënë me shezlongë një sipërfaqe të plazhit publik, pa lejen e organeve kompetente.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe ata akuzohen për veprat penale “Ndërtim pa leje” dhe “Pushtim toke”.

Policia e Durrësit thotë se është e vendosur në parandalimin e krimeve mjedisore dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve të mos kryejnë asnjë ndërtim ose veprim pa lejen e organeve kompetente.

“Gjithashtu fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar reagim të shpejtë e të paanshëm, kundrejt atyre që shkelin ligjin”, thuhet në njoftimin e policisë.