Akademiku Rexhep Qosja mbushi dje 78 vjeç, Dokumentar e ceremoni në Muzeun Kombëtar

613
Sigal

Përshëndesin në ditëlindjen e Akademikut: Rexhep Mejdani, Kastriot Tusha, Erjon Braçe e Besnik Bare. Qosja falënderon gazetën “Telegraf”

Dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, Instituti i Librit dhe i Promocionit “Toena”, Digitalb, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar

organizuan shfaqjen e filmit dokumentar “Rexhep Qosja – Rilindësi i kohës sonë”. Filmi dokumentar ishte realizuar me skenar dhe regji të gazetares Rudina Xhunga. Në këtë film merrnin pjesë, Kryetar të partive politike, politikanë, shkrimtarë, poetë, akademik, kritik letrar, miq dhe të afërm të Akademikut Qose. Ky film u realizua me rastin e 78-vjetorit të lindjes së Akademikut. Rexhep Qosja është lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj të Kelmendit, Malit të Zi. Shkollën fillore e përfundoi në fshatin e lindjes, tetëvjeçaren e mbaroi në Guci. Shkollën Normale e mbaroi në Prishtinë. Më 1964 u diplomua në degën Gjuhë-Letërsi të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Beogradit,  ku në vitin 1971 mori titullin “Doktor i Shkencave Filologjike” me temën “Asdreni-jeta dhe veprat”. Ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i këtij Instituti prej vitit 1972 deri më 1981. Që në fillimet e veta, duke folur për rolin e kritikës dhe modernitetit, Rexhep Qosja pohoi se, “realizmi socialist nuk është as realizëm, sepse është romantizëm”. Duke mbrojtur dhe ushtruar një kritikë të tillë dhe duke hequr dorë nga glorifikimi i një orientimi të vetëm u siguroi studimeve të veta dimensione të reja që i përkasin të gjitha kohërave. Profesor Rexhep Qosja për më shumë se 50 vjet shquhet për angazhimin e tij krijues në botën intelektuale, shkencore, arsimore dhe kulturore e politike shqiptare. Me tekstet e tij metodologjikisht antidogmatike, me gjuhën e tij polemizuese, me mendimin e tij kritik, me konceptet bashkëkohore të njohjes, fillimisht në fushë të mendimit kritik e më tej edhe mendimit kulturor, shkencor, historiko-letrar dhe politik, Rexhep Qosja, ka sjellë kurdoherë diskutime të gjera në opinionin e kohës. Në fushën e mendimit historiko-letrar Rexhep Qosja është i njohur për sintezat e mëdha shkencore: “Historia e letërsisë shqipe” I-III, “Çështja shqiptare – historia dhe politika”, “Porosia e madhe”, traktatin “Tri mënyrat e shkrimit shqip” etj.. Me këto vepra dhe me të tjera të kësaj natyre ai  e ka bërë për herë të parë sintezën integrale të historisë së popullit shqiptar, të letërsisë dhe të kulturës së tij, pa ndarje kufijsh politikë, kulturorë dhe historikë, duke i parë ata si të tërë në fatet historike të Europës Juglindore dhe si një etni sociokulturore e politike e gjuhësore në zhvillimin e qytetërimit të tij. Në këtë rrjedhë, veprën e tij për më shumë se gjysmë shekulli e ka shquar koncepti antidogmatik dhe qasja moderne e metodologjisë së hulumtimit.

FJAJA E AKADEMIKUT QOSJA

Të faleminderit Shqipëri!

Kolegë dhe miq,

Zonja dhe zotërinj!

Kam kënaqësi të veçantë që t’ju përshëndes të gjithëve. Kam kënaqësi të veçantë që t’i përshëndes kryetarët e përparshëm të Shqipërisë, Rexhep Meidanin dhe Alfred Moisiun si dhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën. Kënaqësi të veçantë kam që sot Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve kudo qofshin ata t’ua uroj statusin që iu dha Shqipërisë për kandidate të Bashkimit Europian. Është ky gëzim i një historie të re shqiptare. Kam kënaqësi që t’ju falënderoj që më keni nderuar me ardhjen tuaj në këtë përurim të dokumentarit për mua. Dhe, të falënderoj DIXHITALB-in, institucionin e madh kombëtar, që la trashëgim i pavdekshmi Dritan Hoxha, për krijimin e këtij dokumentari. Dhe, të falënderoj shkrimtaren, publicisten dhe gazetaren gjithëkombëtare, Rudina Xhunga, autoren e dokumentarit në fjalë. Dhe, të falënderoj shtëpinë botuese “Toena” dhe Institutin e Librit dhe të Promocionit për rolin në organizimin e këtij përurimi.

Sot i kam mbushur 78 vjet. 78 vjet janë shumë për t’u numëruar e lëre më për t’u jetuar: për t’u jetuar nga një i lindur në Bjeshkët e Nemuna e i rritur në Rrafshin e Kosovës. 78 vjet, për shkak se janë aq shumë, pashmangshëm më kanë sjellë shumë përjetime, shumë mendime e shumë ndjenja në jetë – të gjithfarëllojshme. Gjatë këtyre 78 vjetëve më ka takuar të përjetoj një luftë botërore – Luftën e Dytë Botërore; rënien e një rendi politik e shoqëror – që i thonë komunist dhe ngritjen e një rendi tjetër politik e shoqëror dhe kushtetutar e juridik – që i thonë demokratik; shkatërrimin e një shteti federativ që i thoshin Jugosllavi dhe krijimin prej tij të shtatë shteteve të reja kombëtare. Në fillimet e pleqërisë më ka takuar të përjetoj edhe një luftë: luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pushtimit të Serbisë, ndërhyrjen në këtë luftë të Forcave të NATO-s, dhe krijimin e shtetit ku jetoj – të shtetit të Kosovës, të cilit i kam dhuruar shumë përkushtim mendor dhe ndjenjor, sidomos para se të krijohej. Të gjitha këto ngjarje, të quajtura historike, i kanë lëvizur fort mendimet dhe ndjenjat e mia: i kanë lëvizur duke i bërë kur të gëzuara e kur të dëshpëruara. Mendimet dhe ndjenjat e mia tani po i lëvizin shumë dhe në vazhdimësi sjelljet, veprimet, të bërat, dhe mendimet kurrë më të ballafaquara të bashkëkohësve. Mendimet dhe ndjenjat e mia, tani, më së shpeshti e më së shumti, ndërkaq, po i zgjojnë sjelljet, veprimet, të bërat e një numri të dukshëm të njerëzve të pushtetshëm, në njërën anë, kurse heshtja, pajtimi, kur e kur edhe me pabarazinë e dinjiteteve, i një pjese të madhe të njerëzve të papushtetshëm.

Të gjitha këto përjetime, të kundërta e të shpeshta, kanë bërë që, më në fund, të mos më dëshpërojnë më të këqijat. Dhe të mos më gëzojnë më të mirat. Nuk do të isha i sinqertë ndaj jush sikur të mos e pranoja se nderimi e kjo domethënë e m:ra që po më bëhet sot me dokumentarin në fjalë dhe me praninë tuaj në përurimin e tij këtu, në këtë sallë të Muzeut Kombëtar të Shqipërisë, ma ka shuar atë pandjeshmëri të panatyrshme ndaj të mirës dhe të keqes dhe më ka gëzuar shumë.

Pse më ka gëzuar. Më ka gëzuar shumë sepse po më nderon Shqipëria: po më nderojnë një institucion shumë i rëndësishëm politik e kulturor i shtetit amë dhe shumë bashkëkombës të tij, domethënë po më nderon Shqipëria. Dhe, ky nderim, nuk është nderimi i parë, sado mund të jetë i fundit, që po më bëhet prej Shqipërisë – prej Shqipërisë, që sot po rilind në pikëpamje politike, ekonomike, arsimore, kulturore,juridike dhe etike, duke frymëzuar, madje, edhe ndjenjat me rëndësi historike të qytetarëve të saj dhe të shqiptarëve në përgjithësi, që të jenë çka ishin ftuar të jenë në kohën e Rilindjes sonë të madhe kombëtare të Pashko Vasës, të Jani Vretos e të Naim Frashërit: që të jenë të gjithë njëkohësisht edhe katolikë, edhe ortodoksë edhe myslimanë.

Shqipëria, e cila në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, që pas vitit 1912 do të mbesin dhunshëm, padrejtësisht, jashtë kufijve të saj, quhej Nëna Shqipëri, deri sot më ka nderuar me disa çmime: Me çmimin anëtar nderi i Akademisë së Shkencave; Me Çmimin Nderi i Kombit, Me shpalljen Qytetar Nderi i disa qyteteve: i Gjirokastrës, i Tepelenës, i Ballshit, i Rrëshenit, i Tropojës dhe i Vlorës – i Vlorës së 28 Nëntorit 1912, dhe, tani, me filmin dokumentar të bërë prej Rudina Xhungës dhe Dixhitalb-it. Por, ta them për Shqipërinë, të parafrazuar, atë fjalinë që për Amerikën ka thënë kryetari i lavdishëm Xhon Kenedi. Nuk kam menduar kurrë çka do të bëjë Shqipëria për mua, por kam menduar çka mund të bëj dhe çka di të bëj unë për të. Dhe, kam bërë me mendje e me zemër çka kam mundur e çka kam ditur për historinë, për kulturën dhe për të përtashmen e saj. E Shqipëria më ka shpërblyer për këto të bëra: më ka shpërblyer me çmime e nderime dhe me ndjenja të vazhdueshme. Mendja dhe zemra ime, as në vitet e dhunës më të madhe ndaj shqiptarëve në Jugosllavi kurrë nuk i kanë ndarë Kosovën dhe Shqipërinë. Në mendjen e në zemrën time ishte e përjetshme bindja se ato që janë dhunshëm të ndara ato doemos vullnetshëm do të bashkohen. Po ta përfundoj këtë fjalë falënderuese: Të faleminderit Dixhitalb. Të faleminderit Rudina Xhunga Të faleminderit Shqipëri.

Prishtinë 25.6.2014

Rexhep QOSJA

Deklarime për “Telegraf” të personaliteteve për Akademikun Qosja:

  REZHEP MEJDANI

Është një nder i madh për mua të flas për figurën e Akademikut Rexhep Qosja. Në të gjithë historinë shqiptare të letërsisë dhe politikës, ai ka vulën dhe rëndësinë e vet.  Në momente të caktuara të historisë kombëtare të 40 viteve të fundit, ai ka ditur të japë vlerësime reale vetëm në emër të së drejtës. Rexhep Qosja mbetet poliedriku, shkrimtari e eseisti ku bëri miq e armiq (më shumë) vetëm në emër të së drejtës. Kurrë në jetën e tij, në çdo rrethanë, ai nuk ka bërë kompromis me të vërtetën.

 KASTRIOT TUSHA

Filmi i shfaqur sot për Akademikun Rexhep Qosja ishte një himn që i bëhet një kalorësi të letërsisë shqipe. Ndjehem krenar që i përkas kombit shqiptar që ka personalitete të tilla në gjirin e vet.

 ERJON BRAÇE

Figura e Rexhep Qosjes është figurë historike, pasi ai, në momente të caktuara ka ditur të jetë politikan, shkrimtar dhe atdhetar. Vazhdimisht ai ka qenë ndjekës i zhvillimeve politike në gjithë hapësirat mbarëshqiptare dhe ka qenë konsekuent në trajtimin e ngjarjeve.

 BESNIK BARE

Jam shumë i emocionuar për këtë personalitet poliedrik, pasi vepra e tij është e shumanshme, jo vetëm në letërsi e kritikë, por edhe interpretimet politike dhe zhvillimet mbarëshqiptare.

 Akademiku Rexhep Qosja

Për gazetën “Telegraf”

Kam marr shumë urime dhe ndihem shumë i emocionuar. Ju faleminderit shumë të gjithëve. I dashur Engjëll!  Një falënderim i veçantë për gazetën “Telegraf”, e cila më ka përkrahur dhe mbështetur vazhdimisht.

Gjithë të mirat! Rexhep Qosja