Shenasi Rama: Politikanët e mbajnë peng këtë komb. Nesër s’do ketë bankë t’u ruajë nderin e paret

460
Sigal

Ish-aktivisti i dhjetorit 1990: Ëndrra ime mbetet një shtet-komb. Europa aty ka qenë, por nuk e ka dashur Shqipërinë në gjirin e saj

Për Shenasi Ramën, intelektualin e njohur, studentin e Lëvizjes së Dhjetorit 1990, marrja e statusit kandidat për në BE, është e vonuar, si për shkak të vetë shqiptarëve, ashtu dhe për jodashamirësinë e Europës. Ndërsa politikanët shqiptar të këtyre 24 viteve, po e mbajnë peng Shqipërinë dhe shqiptarët. “Nesër, për këta politikanë, nuk do gjendet bankë t’u ruajë nderin dhe paratë e grabitura,- thotë ai midis të tjerave në intervistën e dhënë mbrëmë për “Telegraf”

Shqipëria më në fund mori Statusin si vend Kandidat për në Bashkimin Europian (BE). Si student i Lëvizjes Studentore të viteve ‘90-‘91, a mendoni se ëndrra juaj tashmë ka nisur rrugëtimin e vërtetë drejt Europës?

-Jo, nuk ka kenë kjo ëndrra e ime. Ëndrra ime ka kenë me jetue në shtet-komb normal shqiptar që të ishte si Europa, por jo në Europë. Kur të bëjmë shtetin tonë, do të vijë Europa tek ne. Mandej, për çfarë duhet ky status e sa ka vlerë?!!!.  Thjeshtë, tashmë jemi një vend kandidat që mund të mos pranohet, apo që i duhen nja 69 vjet me u pranue në BE. Dhe më e bukura është se ky status që trajtohet si të kishim shkuar në Parajsë a ne Xhenet, pa vdekur akoma, vjen pikërisht në momentin kur BE po shkërmoqet, pikërisht kur BE po shkon teposhtë dhe nuk dihet se sa zgjat kështu si është me 28 vende anëtare, gjysma e më shumë të falimentuara, gjysma me vende të plakura, gjysma e shteteve që po shpërbëhen, gjysma e shteteve që duan të ikin, gjysma e shteteve që nuk mbushin asnjë kusht, gjysma e shteteve që kanë probleme me gjysmën tjetër, gjysma e vendeve që na shohin si të kemi zgjeben, gjysma e vendeve që nuk na njohin punën e pensionet, gjysma që na sheh si një mundësi për të përfituar ata vetë, siç ishte rasti i bie fjala i 95 milionë eurove që iu dhanë çekeve, apo i të gjithë lëshimeve që u bënë e që nuk përmenden, dhe me një BE që mbahet me shpirt ndër dhëmbë më këmbë nga shtete të caktuara. Rrugëtimi i ardhshëm drejt Europës për në shqiptarët është rrugëtimi drejt askundit, imagjinar dhe të gabuar sepse kjo nuk është zgjidhja që na duhet. Ne nuk jemi europianë, nuk kemi kenë ndonjëherë, Europa as nuk na pranon si të tillë, as nuk na njeh si të tillë, gjithçka e jona i shkon kundër thelbit të Europës; prandaj duhet të zgjohemi nga kjo marrëzi e histeri kolektive. Çka presim njerëzit, se do të hyjmë ne BE, do të bëhet deti kos, dhe do të jetojmë si europianët?!  Ku ishin europianët për ne? Çfarë bënë tash 23 vjet? Ku janë tragjeditë tona? Ku janë njerëzit tanë të shitur e të trafikuar, të shfrytëzuar e të shtrydhur deri në palcë? Ku ishte Europa për ne? Kush i mbështeti kriminelët e parisë së Tiranës në pushtet tash 23 vjet?  Ku na çoi Europa? Askund. Rruga e vërtetë duhej të ishte forcimi i shtet-kombit shqiptar  dhe kjo gjendje na largon edhe më shumë nga ai objektiv që duhej të ishte thelbësor dhe përcaktues në politikat shtetërore.

Protestat që rrëzuan dhe shkallmuan themelet e komunizmit në Shqipëri, jehonin me thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Mendoni se jemi të vonuar dhe se kjo jehonë mbërriti në veshët e Europës pas 24 vitesh?

-Unë flas për veten time. E kam dashur dhe e dua Shqipërinë si Europa dhe më mirë se Europa, po të jetë e mundur, dhe unë besoj se është e mundur, me punë e me përkushtim. Por me parë kam dashur dhe e dua bashkimin e shqiptareve në një shtet-komb normal sepse bashkimi i numrave dhe i kombit të jep tregun, fuqinë politike, strukturën, identitetin dhe sigurinë që iu duhet shqiptarëve. Atëherë do të mund të flasim edhe për Europën. Vonesa e jonë nuk vjen nga fakti se nuk kemi hyre në BE, apo se nuk jemi në Europë, por sepse kemi prishur, shkatërruar, rrënuar e dëmtuar gjithçka të mirë e të dobishme që kishim. Kemi humbur kohë, kemi dëbuar gjysmën e shqiptarëve në një mërgim të pashpresë, se jemi në një gjendje katastrofike të kapur nga paria e Tiranës, një oligarki sunduese që është thelbësisht mafioze, e kriminalizuar, e zvetënuar dhe tërësisht anti-shqiptare. Kjo është vonesa e jonë e vërtetë dhe reale. Statusi është një karamele psikologjike, si tha edhe Kryeministri, që shërben për të qetësuar gjendjen e rënduar psikologjike të shqiptarëve. BE e kupton këtë dhe për këtë na e dhanë këtë status, tragjikomik, duhet me thanë.

Sipas jush, kush është shkaktar i kësaj vonese. Klasa politike Shqiptare apo Europa ?

-E para ne nuk jemi Europianë, nuk kemi qenë ndonjëherë europianë. Ne jemi një popull që duhet të ndjekim rrugën tonë dhe nuk duhet të biem në grackën e atyre që duan që të bjerrim thelbin tonë të vërtetë e të bëhemi të ndryshëm. Atëherë, në këtë përpjekje për të transformuar rrënjësisht shqiptarët, do të fillojnë përplasjet e frikshme e të pashmangshme midis nesh. Tani janë thjesht një hap mbrapa por retë e stuhisë së vëllavrasjes ndërshqiptare po mblidhen me ngadalë dhe po bëhen tejet të rrezikshme, ndoshta edhe pse dikujt i intereson kjo gjë. Ne jemi të vonuar në dashurinë për njeri-tjetrin, në ndërtimin e shtet-kombit, në kuptimin e duhur të shërbimit publik, të zgjedhjes së njerëzve që na duhen e që na shërbejnë si dhe të vendit që zëmë në lojën politike e në përplasjet si ato midis qytetërimeve. Ne nuk kemi asgjë europiane, as kulturën, as vlerat, as mendësinë, as traditat, as qytetërimin, as etninë, as kujtesën historike. Prandaj duhet të jemi të matur dhe të kuptojmë se edhe ky status është një vonim tjetër që do të ketë pasoja të rënda për ne.

A mendoni se përtej shkaktarëve të sipër përmendur ka qarqe anti -shqiptare brenda dhe rreth vendit tonë që e duan Shqipërinë jashtë Perëndimit?

-Anti-shqiptarë ka sa të duash në Tiranë. Nuk mjafton me thanë se je shqiptar e me fol  shqip. Ajo që na duhet është një elitë politike që vepron në interes të të gjithë shqiptarëve. Zgjidhjet tona janë të kushtëzuara nga gjeografia, aleancat, interesat, dhe nevojat e shqiptarëve. Me qenë të lidhur me Perëndimin nuk do të të thotë që të jemi domosdoshmërisht në BE sepse edhe vendet perëndimore kanë dallimet e tyre, gjuhësore, të interesave etj, dhe nuk ranë dakord, siç ishte rasti i Ukrainës, p.sh. Aleati ynë kryesor strategjik janë SHBA-të. Mandej vijnë Gjermania dhe Turqia. Ky është realiteti politik dhe në cilin do të duhet të veprohet. Ne jemi në këtë sferë influence, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të bëjmë shtetin tonë dhe të shikojmë e të mbrojmë interesat e shqiptarëve.

Ashtu si pranimi në NATO (të cilit i parapriu tragjedia e Gërdecit) edhe marrja e statusit koinçidoi me një situatë të rënduar për shkak të pushtimit dhe rebelimit të Ukrainës nga Rusia. A ka ndikuar ky fakt në vendimmarrjen e   28 vendeve anëtare të BE-së?

-Po, pa dyshim.

Pika më e dobët që kërkon reformim është drejtësia. Mendoni se largimi i disa gjyqtarëve me veshje blu dhe zëvendësimi me rozë do e rëndojë më shumë situatën dhe padrejtësitë?

-E vërteta është që sistemi i drejtësisë është tërësisht e thelbësisht i korruptuar. Mirëpo nuk është i vetmi sistem që duhet reformuar. Nuk zgjidhet puna thjeshtë me heqjen e disa gjykatësve dhe me vënien e disa të tjerëve.

Çështja e të drejtave të njeriut, pronat, ish të përndjekurit, romët, media e lirë, janë ndër pikat kryesore të detyrave të shtëpisë të lënë nga BE përpara fillimit të hapjes së negociatave. Pse janë kaq të rëndësishme këto pika sipas jush?

-Nuk janë vetëm këto probleme. Lista është e gjatë dhe marramendëse. Për të hyrë në BE duhet që të përmbushen kushtet e acquis communitaire që janë të detajuara në nja 80 mijë faqe. Nuk kemi asnjë shans që t’i përmbushim këto kushte, as mbas një viti, as mbas 20 viteve, as mbas 50 viteve. Nuk kemi as ekonomi, as drejtësi, as demokraci, as administratë, as shtet, as vlera të mirëfillta të shoqërisë civile e me radhë. Gjithkund e në çdo fushë, jemi një piramide kriminale e mafioze.

CEZ-i u largua, por mori 95 milionë euro, ndërkohë që fitoi koncesionarin për 110 milionë euro. (Shfrytëzoi 3 vite dhe me fitime marramendëse, la borxhe dhe shiti miliona euro materiale në magazinë, afërsisht sipas burimeve tona rreth 70 milionë euro). A mendoni se kjo ishte një blerje e statusit dhe se rasti konkret duhet të shërbejë që të nisë përgjegjësia për të gjitha koncesionet që po gllabërojnë pa bërë asnjë dollarë investim?

-Po. Por nuk ishte vetëm CEZ. Statusi u bë tram me shumë pika të tjera që cenojnë integritetin e shtetit, thelbin e kombit dhe të ardhmen e shqiptarëve.

Mendoni se rruga drejt Europës duhet të jetë dinjitoze dhe Shqipërisë  i takon që të shkojë duke respektuar kulturën dhe traditën më të mirë ndër shekuj?

-Ne jemi ata që jemi dhe jemi shumë të ndryshëm nga të tjerët. Për më tepër, këto 23 vite kemi marrë goditje të rënda psikologjike, morale e në kulture që kanë lënë e do të lenë pasoja të rënda. Por ne jemi një popull i jashtëzakonshëm, dhe kur t’u dalë gjumi shqiptarëve, në se iu del, do ta kuptojmë se zgjidhjen e shpëtimin, të mirën e të dobishmen duhet ta gjejmë tek vetvetja e përmes vetes. Europa do të na respektojë kur ta dijë se në e respektojmë vetëm dhe e dimë se si duhet të veprojmë në interesat e shqiptarëve.

Kur mendoni se do realizohet ëndrra e studentëve, qindra shqiptarëve që u dyndën në ambasadat perëndimore, tentuan dhe u vranë në kufi nga regjimi, apo u mbytën me skafe dhe anije?

-Unë nuk e di për ëndrrën e të tjerëve, por ëndrra e ime ka qenë ajo që ishte dhe nuk ka ndryshuar. Ëndrra e ime është që të ndërtohet një shtet-komb shqiptar, i begatë, i sigurt, me sisteme të mbrojtjes ekonomike shoqërore, të shëndetësisë e të edukimit, që garanton të ardhmen për brezat që vijnë. Tani e shoh këtë pak me larg. Të tjerët le të flasin për ëndrrat e tyre.

E fundit. Si një nga figurat më të rëndësishme të rrëzimit të diktaturës dhe larg pasioneve dhe emocioneve: Cila është këshilla juaj për klasën politike, rolin e shoqërisë civile, mediave dhe intelektualëve të pavarur në tërësi?

-Këshilla e ime është e thjeshtë: duajeni popullin shqiptar e punoni për ‘të nëse doni me u nderue; ndërroni rrugë se kjo rrugë ku jeni është rruga e të keqes dhe e krimit. Ka me i dale gjumi një ditë popullit tonë dhe një Zot e din se ku do të ndalet cunami apo flaka e urrejtjes që përjetojnë njerëzit përditë. Ajo që na duhet është e thjeshtë. Ne na duhet një shtet normal, na duhet një komb shqiptar, na duhen sisteme të edukimit, të mbrojtjes shëndetësore, të kujdesjes për të mjerët e të varfrit, me parti politike e një sistem demokratik që iu shërben shqiptarëve. Politikanët duhet të mësojnë të duan kombin e tyre dhe t’i shërbejnë. Të mendojnë se ka politikanë që kanë sunduar me dekada dhe nuk kanë as varr. Të jetojnë për kombin dhe kombi do ti respektojë. Janë kohë të këqija, por të gjithë duhet të bëjnë një zgjidhje dhe zgjidhja është e thjeshtë. Ata që i duan shqiptarët si komb dhe punojnë për ta, do të jenë të sigurt se kombi nuk ka me i harrue. Ata që mendojnë për kuletën nuk kanë me gjet bankë që ka me jua ruajt nderin e paret.