Akademik Anastas Angjeli: Ja ndryshimet dhe sfidat që shkaktoi pandemia Covid-19

307
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Akad. Anastas Angjeli: Po përjetojmë ndryshime epokale në ekonomi digjitale, inteligjencë artificiale dhe modele ekonomike inovative.  

Akad asoc. Adrian Civici: Pritet një ndryshim drastik i tregut të punës, kompetencave dhe profesioneve.  

Komisioni i përhershëm i shkencave sociale, juridike dhe ekonomike, pranë Akademisë së Shkencave, ka organizuar sot  paradite ligjëratat akademike për ndryshimet dhe sfidat strukturore, që shkaktoi pandemia e Covid-19, në zhvillimet aktuale e perspektive të teorive ekonomike, politikat ekonomike, paketat e rimëkëmbjes ekonomike, borxhit publik, tregjet e punës dhe profesioneve të reja. Themeluesi dhe rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, analizoi perspektivat e zhvillimit ekonomik si dhe ndryshimet e pritshme në tregun e punës. “Pandemia e COVID, gjeti të papërgatitur gjithë botën, duke e përballur veç të tjerash edhe me mungesën e një vizioni strategjik afatgjatë, përballë ndryshimit të shpejtë teknologjik dhe inovativ, avancimet kibernetike dhe veçanërisht inteligjencën artificiale. Këto sfida kërkojnë një qasje të re të mendimit ekonomik, i cili po orientohet domosdoshmërisht drejt ekonomisë së BigData, Inteligjencës artificiale dhe modeleve, ekonomike inovative, kriptomonedhave dhe rishikimit të teorisë monetariste modern”, u shpreh akademik, prof.dr. Anastas Angjeli në ligjëratën “Sfidat e reja, ndryshimet e teorive ekonomike dhe strategjive të zhvillimit ekonomiko- sociale në periudhën e pandemisë Covid 19 dhe perspektivat afatgjata të zhvillimit dhe mirëqeverisjes”.

Më tej, ai shtroi çështjen e përjetimit që nga viti 2008, të tri krizave të mëdha ekonomike dhe financiare. Akad. Angjeli tha se, po përjetojmë ndryshime epokale në ekonomi digjitale, inteligjencë artificiale dhe modele ekonomike inovative, ndërsa shtroi mes të tjerash çështjet e borxhit publik, rritjen e nivelit të tij, rreziqet e shtimit të borxhit dhe a ka dështuar tregu, apo mendimi ekonomik po evoluon drejt një roli më të fortë të shtetit në ekonomi?

Në Shqipëri, politikat e konsolidimit fiskal, bënë që borxhi publik të reduktohet nga 72.7 për qind e PBB në vitin 2015, në 66.3 për qind e PBB në vitin 2019.

Goditjet e njëpasnjëshme të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe kriza shëndetësore e COVID-19, bënë që borxhi publik për vitin 2020 të ishte 76.1 për qind e PBB.

Akti normativ nr.25 datë 22.6.2021, në përputhje me udhëzimet fiskale të Komisionit Evropian për vendet e BE-së, datë 2 qershor 2021, i ofron fleksibilitet të domosdoshëm buxhetit të shtetit, si instrument për nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendit dhe forcimin e kredibilitetit të qëndrueshmërisë së financave publike.

Mendimi ekonomik i së ardhmes, përcaktohet nga inteligjenca artificiale dhe modelet ekonomike inovative; kriptomonedhat dhe rishikimi i teorisë monetariste moderne, tha akad. Angjeli

Akademik i asociuar Adrian Civici, në ligjëratën: “Evolucioni dhe ndryshimet strukturore në tregun e punës dhe lindja e profesioneve të reja në periudhën post-Covid-19. Si duhet reaguar?” tha se, në horizont, po lindin me shpejtësi “profesione, zanate, prodhime, shërbime e modele të reja prodhuese e menaxheriale” të cilave ju përket e ardhmja. Pandemia përshpejtoi një tendencë strukturore të tregjeve të punës dhe profesioneve të lidhura veçanërisht me: zhvillimet teknologjike në kuadrin e revolucionit 4.0 (Inteligjenca artificiale, automatizimi, robotika, inovacionet, start up-et, big-data) dhe thellimin e tipareve të reja të globalizmit.

Shifrat janë impresionuese:  

-85% e profesioneve dhe vendeve të punës të vitit 2030 – pra vetëm 9 vite larg – nuk ekzistojnë akoma dhe do krijohen në dekadën e ardhshme.

-Në vitin 2030, mbi 70% e të diplomuarve, nuk do munden të gjejnë dot një vend pune apo profesion ekzistues të konsoliduar.

-Në 2 dekadat e ardhshme mbi 80% e atyre që sot cilësohen si “profesione klasike të konsoliduara”, do zhduken, për t’u zëvendësuar me profesione “multifunksionale e pluri disiplinore” .

-BE publikon një raport të veçantë “mjaft shqetësues” për disa milionë vende vakante.

-Mbi 70% e këtyre vendeve vakante nuk mund të zihen duke paraqitur vetëm një diplomë universitare, por duke “dëshmuar nivelin e përvetësimit të kompetenceva dhe dijeve të reja të së ardhmes”.

-Riaftësimi/ riformimi profesional me profesionet e reja që po lulëzojnë mbetet sfida më e madhe e qeverive dhe e sistemeve arsimore e kualifikuese.

-Kjo është rruga e domosdoshme dhe më e dobishme për universitetet shqiptare, që kanë rrugë të gjatë e të vështirë për t’u përfshirë në këtë tendencë të re modernizimi dhe integrimi më të plotë me zhvillimet bashkëkohore të profesioneve dhe tregjeve të punës.