Ahmet DEMAJ*/Labëria nuk vdes

622
Sigal

“Labëria e ka lindur dhe rilindur Shqipërinë”

Rexhep Qosja

Ishim në një ambient të gëzueshëm shokësh të shoqatës Labëria. Ditëlindja e një mikut tonë na mblodhi bashkë. Mes këtij ahengu një mik i yni nëpërmjet telefonit na thotë: “Pse ore ka vdekur Labëria”?. Mbetëm të shokuar për momentin se çfarë kishte ndodhur. Kërkuam më shumë hollësi. Telefonuesi na rekomandoi: “Lexoni në shtypin e ditës, datë 23. Autori Hisen Kernaja nëpërmjet një opinioni të titulluar: “tradhtia e Sali Berishës”, veç të tjerash në të shprehej në një rresht: Labëria ka vdekur.

Artikullshkruesin H. Kernaja nuk e njohim dhe nuk e dimë se nga ç’krahinë është, qoftë dhe nga krahina, apo vendlindja e Berishës, të cilin e analizon dhe anatemon me fakte dhe argumente për abuzime dhe tradhti kombëtare… Të lidhur me qarqet antikombëtare, serbe dhe greke, etj. Nuk dimë si e kanë pritur labët e tjerë, të cilën ndodhen në mbarë Labërinë, madje dhe i gjithë opinioni qytetar shqiptar. Personalisht fjalia r autorit: “Labëria ka vdekur”, nuk mund të gëlltitet. Po e vendos në thonjëza, sepse edhe ai, (autori) mendoj se ka qenë në momente emocionale kur e ka shkruar. “Labëria  ka vdekur”, nuk e nderon aspak autorin, por e nëpërkëmb padrejtësisht, i ul vlerat edhe gazetës, fyen një krahinë e cila është e mbuluar me lavdi, dhe nuk e ka votuar kurrë Vlora e Labëria Berishën, të cilin e ka vënë në analizë autori.  Duke iu referuar historisë: Nga kjo krahinë nuk kanë lindur njerëz me pushtet të kenë tradhtuar vendin, të cilësohen të tillë antikombëtar e antishqiptar, të lidhur me qarqe serbe dhe greke si në opinion-analizën e autorit. Por edhe nëse do të votoheshin në referendum se kush do të rezultonte tradhtar e antikombëtar, i lidhur me qarqe serbe e greke do të rezultonte i tillë ai që nuk i përket fare Labërisë.

Çdo fëmijë shqiptarë që di shkrim e këndim, e jo më ata të Labërisë që historinë e saj, dhe të tyre e njohin si një ndër krahinat me kontribute të shquara, shekullore. Kjo trevë, në rrjedhën e kohëve ka mbajtur një peshë të rëndësishme në gjithë mbijetesën e Shqipërisë, të kombit. E njohur si krahinë me tradita shekullore; besnike, bujare, patriote, atdhetare, trimëreshë, e pushkës e penës, e këngës, e kuvendeve, e revolucioneve dhe evolucioneve… Ndaj më duhet, të përmend disa (nga të shumtit) fakte historike që pasqyrojnë ndjenjat atdhetare të Labërisë që pasurojnë dhe pasqyrojnë vlerat dhe virtytet njerëzore përçuese, historike jo vetëm të kësaj krahine, por dhe të vendit gjithashtu. E djeshmja historike dhe në vazhdën e traditës, e sotmja krahina e Labërisë ka dhënë dhe vazhdon të japë kontribute të çmuara në shërbim të kombit. Më 1847 burrat e Labërisë në Kuvendin e Mesaplikut i dhanë besën njeri-tjetrit për çështjen kombëtare.

Më 1852 labi Zenel Gjoleka i njohur kudo në trojet shqiptare me 2000 burra të Labërisë u vra në Qafë të Kërstiqit, në Podgoricë për trojet shqiptare në Malin e Zi, kundër shovinistëve serb për të mbrojtur interesat e bashkëkombësve të tyre po në trojet shekullore shqiptare.

Më 1878 te kalaja e Lëkurësit në Sarandë burrat e Labërisë i thanë kthehu mbrapa shovinizmit grek. Dhe këto janë evenimente historike, të gdhendura me daltë në historinë e Shqipërisë, në memorien e kombit. Njihen, transmetohen dhe pasurohen nga pasardhësit. Historia me e afërt e vitit 1908, kur u themelua Klubi “Labëria” që solli Pavarësinë e Vendit, shpallur në Vlorën Heroike nga Ismail Qemal Vlora. Pa harruar këtu Epopenë e labëve në luftën e vitit 1920, kontributin po të Labërisë dhe bijve të sajë më 1944 që për çdo metër katror ka mesataren më të lartë të dëshmorëve për liri në Shqipëri.

Kontributin e kësaj krahine për vendosjen e pluralizmit gjithashtu njihet në vendin tonë.

Kontributin e Labërisë për përballjen e vitit më të mbrapshtë 1997, etj., etj.

Mjafton kaq për të kujtuar qoftë dhe artikullshkruesin se edhe personalitete të njohura të cilët përfaqësojnë dhe ndriçojnë shqiptarizmin janë shprehur për Labërinë:

-Fan NOLI: “Kur lëngon Shqipëria, zgjohet Labëria”.

-Shtefën Gjeçovi më 1920 ju raportonte shkodranëve: “Vlonjati për Shqipërinë fal pasurinë, jep fëmijën dhe djeg shtëpinë”. Dhe artikullshkruesi duhet të ketë dëgjuar Rilindësin e sotëm, akademikun e shquar Prof. Dr. Rexhep Qosja, të cilin Labëria e ka kryetar Nderi të Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria. “Labëria e ka lindur dhe rilindur Shqipërinë”. Më 28 Nëntor Vlora “Nderi i Kombit”, e shpalli të shquarin Rexhep Qosja “Qytetar nderi”. Ai përsëri u shpreh: “Përulem përpara heroizmave të Labërisë”. Ndërsa autori, publicisti i njohur, bir i Labërisë Agim Jazaj në Librin e tij: “Bij të Vlorës” një botim me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare shkruan: “Atdheu mbi të Gjitha, Vlora Nderi i Kombit”.

Vendosëm të hedhim këto rreshta dhe të ri themi ato që si themi jo vetëm ne, po i kanë thënë dhe përsëritur koha, historia e Shqipërisë. Sepse dhe dje në takimin me z. Edi Rama, labët montuan një thënie tjetër me tingëllim sa aktual: “Rilindja fillon nga VLORA”.

E për të qenë të vendosur, në kundërshtim me atë që thotë artikullshkruesi: ”Labëria ka vdekur”, besoj se jo vetëm bijtë dhe miqtë e Labërisë, por dhe keqdashësit, apo dhe armiqtë e sajë e kanë vlerësuar atë.

-Ja si është shprehur Vernizellos: “Le të ketë një çikë Shqipëri, po të mos ketë Labëri”.

Mjaftojnë kaq zoti Kerrnaja për ju dhe për ata që mund t’ju lexojnë dhe për ata që nuk janë ndierë mirë nga shprehja juaj, se nuk e njihni Labërinë, apo më e keqja e propagandoni ndryshe atë. Dhe patjetër do të vij dhe Berisha e do ti thotë Vlorës: E bukura e Shqipërisë, e Bukura e Ballkanit, e bukura e Evropës, në mos dhe e bukura e dheut! Dhe për këtë gjithë Labëria e madje dhe Shqipëria e kanë të qartë, kur e kemi pranuar pluralizmin institucional, si alternativë që sjellë demokracinë, si në të gjithë vendet me demokraci të zhvilluar.

Arikullshkruesi, numëronte nja 15 të këqija që ka sjellë Berisha vendit, kombit. Si duket ju ato kini dalluar dhe ndjerë, kurse ne Labët mund të numërojmë dhe argumentojmë 150 e mbi. Unë e kuptojë metaforën tuaj: Labëria ka vdekur, qysh në hyrje të opinionit. Pse e pranuam në Vlorë Berishën? Në arsyetimin tonë dhe jo vetëm: Themi se Labëria po dhe gjithë Shqipëria e mbarë kombi, i cili u derdh në Vlorën e Flamurit djepin e Pavarësisë, janë ndierë mirë që qeveria Berisha, (Antikombëtare e quajtur prej jush) kokë ulur, u detyrua  nga presioni i mbi 1 milion shqiptarëve që erdhën në Vlorën e mbarë kombit për të nderuar e përkujtuar Aktin më Madhor të Kombit, Shpalljen e Pavarësisë. Ne e arritëm objektivin tonë dhe shpalosëm përpara botës civile, shqiptarëve të kudo lidhur me Vlorën e Pavarësisë se vetëm bashkimi është shpëtimi. Vetëm bashkimi vuri në vend padrejtësitë e 100 viteve më parë, copëtimin e Kombit Shqiptar! Por halli juaj i nderuar z. Kerrnaja është të na nxitësh ne Labët për zhvillimet politike të këtyre 8 viteve dhe të mirë mendojmë dhe të veprojmë për zgjedhjet në prag të 23 Qershorit. Aktualisht ne jemi krahina më e patrajtuar dhe e diskriminuar në këto 20 e ca vjet të tranzicionit, ku 50 mijë banorë janë të privuar të përshkojnë 60 km rrugë. Duhen mbi 3 orë, për arsyet e qeverisje, që me të drejtë i cek analiza juaj. Jo vetëm rruga, por i gjithë zhvillimi social-ekonomik është jo si duhet, por tërësisht ka shkuar hapa prapa, edhe në krahasim me ish sistemin, duke zhdukur traditën dhe bashkë me të historinë, zhduk monumentet e kulturës, të natyrës dhe të luftës, shuan edhe memorien kombëtare. Dhe kjo është dhimbja më e madhe dhe jo vetëm e jona, e Vlorës, Labërisë, por edhe e juaja zotëri, e Tropojës, Sarandës, Dibrës e gjithë Shqipërisë dhe Shqiptarëve.

Mbi bazën e këtyre zhvillimeve dhe pragmatizmit “Secili për vete, Zoti për të gjithë”, Labëria do të dijë të zgjedh për të zgjidhur dhe do të votojë partitë dhe politikat shqiptare, të zhvillimit, harmonisë, do synojë e dhurojë pushtet sojlinjve dhe jo sojsëzëve, atyre që meritojnë dhe jo atyre që poshtërojnë dhe tradhtojnë shqiptarizmën.

Kurse sa për vitin 1997 që Labëria ishte protagoniste e vuajtjeve  themi se: As e ndjellim të vij prapë, dhe se fshijmë kurrsesi nga memoria jonë.

Ne si lebër do të ngelemi në pozicionet patriotike dhe atdhetare.   Miqësisht dhe pse nuk njihemi dhe do të lutesha: Që në tunelin e plotë errësirë të ndizni një qiri për të bërë dritë, për të ndriçuar rrugët për gjithë shqiptarët  e kudondodhur dhe të gjendur në udhëkryqin e pa merituar…

*KRYETAR I SHOQATËS ATDHETARE LABËRIA