Berat, vijëzimi i rrugëve për parkimet fut në sherr bashkinë me firmën fituese

595
Sigal

Flet drejtoresha e Shërbimeve Publike, Flutura Mbrati: “Firma serbe nuk zbatoi kontratën, ka zbatuar edhe hapësirat publike

Kohët e fundit rrugët e qytetit të Beratit, janë zaptuar nga disa vijëzime me bojë ngjyrë blu. Këshilli Bashkiak, i bashkisë ka marrë një vendim për parkimin me kontratë në këtë qytet, me vendim Nr. 39 datë 29.10.2010, përfshirë këtu rregullat dhe procedurat që do të ndiqen. Bashkia ka bërë tenderin, ku e ka fituar një firmë e huaj, serbe. Më pas bashkia ka përcaktuar dhe akset rrugore, ku firma do të kryejë vijëzimet e parkimeve të makinave, të cilat ishin 4 akset kryesore të qytetit, si ajo e aneksit të lumit, bulevardi “Republika”, Sheshi Qendror së bashku me rrugën që lidh stadiumin e vjetër me qendrën si dhe bulevardin në lagjen “Çelepias” nga Kinoklubi deri në hyrje të qytetit. Firma nuk ka zbatuar kriteret e vendosura nga bashkia. Por ajo ka zaptuar dhe pronat publike, madje ajo ka hequr dhe tabelat, e vendosura nga bashkia, ku shkruhej ndalohet parkimi. Lajmin e bënë të ditur për gazetën “Telegraf”, drejtoresha e Shërbimeve Publike pranë Bashkisë Berat, znj. Flutura Mbrati, e cila shprehet se firma që ka fituar tenderin, nuk ka zbatuar kriteret e vendosura në kontratë me bashkinë. “Firma ka ndërhyrë dhe në pronat publike, në të gjitha akset rrugore që ka qyteti, veprime këto të jashtëligjshme të kryera nga firma serbe”, ka thënë Mbrati. Më tej znj. Flutura u shpreh se, firma i ka kryer të gjitha veprimet natën, pa praninë e përfaqësuesve të bashkisë. Sipas Mbratit, mësohet se, prezentë në momentin e zbatimit të këtij projekti, duheshin të ishin të pranishëm një specialist transporti, një specialist i taksave, një specialist finance dhe një jurist. Këta specialistë nuk janë njoftuar nga firma dhe kjo firmë ka kryer veprime të jashtë ligjshme duke zaptuar të gjitha rrugët e qytetit, padrejtësisht.

Heqja e tabelave të domosdoshme

Konflikti i Bashkisë Berat me firmën fituese thellohet edhe më tej. Sipas Mbratit, ajo që është më e keqe është fakti se kjo firmë në mënyrë të padrejtë ka hequr të gjitha tabelat, që tregonin ndalim- parkimi. Heqjen e tabelave ata i kanë zëvendësuar me vijëzimet të jashtëligjshme. “Absurde është veprimi, që kjo firmë ka kryer tek agjencia e autobusëve, ku ka vendosur vijëzimet për pagesë taksash të autobusëve, kur pronarët e tyre i shlyejnë këto taksa në bashki, kur nxjerrin licencat”,- tha Mbrati. Ne si bashki,- ka thënë ajo,- për të gjitha këto shkelje, do të ngremë një komision me të gjithë specialistët për të parandaluar këto veprime të firmës dhe do të ndëshkojmë atë për shkeljet që ka bërë si në zonat publike dhe për shumë shkelje të tjera. “Vijëzimet me ngjyrë blu, janë të vështira për t’u parë dhe në orët e natës ato mezi dallohen ditën dhe jo natën që nuk shikohen fare”, ka thënë Mbrati. Më tej, ajo është shprehur se, në bulevardin pranë gjimnazit, firma e ka vijëzuar nga të dyja anët. “Kjo është një shkelje e rëndë, pasi ajo rrugë është shumë e ngushtë për të kaluar dhe jo të kryen parkime nga të dyja anët. Vendimi i Këshillit Bashkiak cakton qartë vendet, parkimet dhe tarifën që do të fitojë firma, por ajo ka vijëzuar dhe në të gjitha rrugët e pallateve, ku familjarët që kanë shtëpinë në këto pallate (që kjo është zonë publike), i duhet t’i paguajnë firmës tatimin”,- tha Mbrati. Burime nga bashkia bëjnë të ditur se firmës i janë përcaktuar tarifat, ku ajo do të përfitojë 80 për qind ndërsa bashkia 20 për qind të të ardhurave.