U kthye në Shqipëri të pleqëronte në fshat pas 20 vitesh në SHBA, e vrasin për një rrip toke

154
Sigal

Ishte kthyer pas emigrimit 20-vjeçar në Shtetet e Bashkuara për të pleqëruar në fshatin e tij, por një grindje me komshiun i ka marrë jetën 65-vjeçarit Safet Hyskollari.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Gështenjas të Pogradecit, ndërsa autori i dyshuar është identifikuar si F. M., 63 vjeç, i cili pas krimit është larguar dhe shpallur në kërkim.

Sipas dëshmitarëve okularë, viktima Safet Hyskollari, po bënte rehabilitimin e rrugës nëpërmjet të cilës futej në banesë dhe kishte vendosur disa tubo shkarkimi për të cilat autori i dyshuar F. M., ka pretenduar se ishin futur në tokën e tij.

Kaq ka mjaftuar që të niste një konflikt verbal mes tyre ku në nxehje e sipër autori i dyshuar 63-vjeçar e ka qëlluar katër herë me thikë komshiun e tij, duke i shkaktuar vdekjen.

Banorë të zonës shprehen se nuk kishin dëgjuar asnjëherë konflikt të mëparshëm mes viktimës dhe autorit.

Ngjarja ka qenë shumë e papritur edhe për familjen e autorit të dyshuar, të cilët e kanë marrë vesh lajmin nga gazetarët që kishin shkuar në vendngjarje.

Ndërkohë, policia ka nisur hetimin për 63-vjeçarin F. M., i cili dyshohet se është larguar në drejtim të pyllit me Gështenja.