Agim Nesho: Partia jonë e Lirisë ka krijuar një frymë që po përhapet me shpejtësi në gjithë vendin

Fjala e zëvendëskryetarit të Partisë së Lirisë, Agim Nesho

Përshëndetje të gjithëve

NOA

Të dashur motra dhe vëllezër

Sot jemi mbledhur në Konventën e Parë të Partisë së Lirisë, një Parti e re por me një mision të madh për Shqipërinë për rikthimin e demokracisë, shtetin e së drejtës, mbrojtjen e Kushtetutës dhe rikthimin e shpresës tek Shqiptarët.

Një shpresë që nga dita në ditë po shuhet nga grykësia e këtij regjimi për tu pasuruar më shumë, nga keqadministrimi i vendit, nga varfëria e popullit, nga largimi në masë i shqiptarëve dhe rinisë Shqiptare.

Dhe kjo bëhet me qëllim për të na përulur dinjitetin, poshtëruar, varfëruar, te na mbajnë kokëulur për të mos kërkuar as të drejtat tona.

Kjo qeverisje pa moral, që mbron vetëm interesat për pushtet dhe sundim të një klike oligarkike e shikon Shqipërinë si objekt për të realizuar qëllimet e saj, si një terren gjeografik ku mund të sillen si të duan me pronat dhe njerëzit, ku shqiptarët nuk kanë asnjë rol për të luajtur dhe mund të zëvendësohen thjesht nga bangladeshasit, ku rendi është i rrezikuar për të sjellë frikë dhe pasiguri, ku gjysma e popullsisë jeton nën standartet e nevojshme jetësore, ku rinia ndjehet e humbur dhe e pashpresë në vendin e tyre.

Qeveria dhe klika që e drejton atë thonë se kanë arritur suksese, por ‘suksesi’ kryesor i tyre është vetëm renditja në fund të vendeve demokratike për të gjitha treguesit: të sigurisë, të jetesës, të lirisë së shtypit, të investimeve të huaja.

Por ama, në krye të listës për korrupsionin galopant dhe prezencën e krimit të organizuar.

Vendi është më i varfër, arsimi problematik, siguria e kërcënuar, e ardhmja në dyshim.

Ky që drejton qeverinë flet se ka kthyer dinjitetin tek shqiptarët, sidomos në politikën e jashtme.

Për cfarë dinjiteti flisni ju?

Për paradën e shallvareve dhe atleteve kur Shqiptarët presin ti përfaqësosh?

Për një politikë klienteliste me partnerët ndërkombëtarë dhe në servilosje, vasalitet me liderët ballkanikë që të përdorin?

Për promovimin e Ballkanit të Hapur kur harron interesat e Kosovës dhe promovon dominimin serb?

Apo që na shet dinjitetin e një pashai europian, që megjithëse vendi i tij është i varfër lëviz me aeroplan personal dhe harxhon 19-20 milion euro për udhëtime, kur ambasadorët Shqiptarë marrin rrogë më të ulët se shoferi përfaqësisë diplomatike të Kosovës?

Dinjitet për veten apo për Shqipërinë?

Të dashur anëtarë të Konventës së Partisë së Lirisë,

Megjithëse për pak kohë, Partia jonë e Lirisë ka krijuar një frymë që po përhapet me shpejtësi në gjithë vendin.

Ajo u nis e vetme nga zëri i qartë i një atdhetari, që i tha JO kapjes së shtetit, shkeljes së Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës.

Kjo frymë do të kthehet në një uragan të fortë që do t’i kthejë shqiptarëve lirinë, të rinjve vendin e tyre, demokracisë referendumet dhe qeverisjen direkte nga populli për popullin.

Fitore!