Konventa Kombëtare/ Ilir Meta konfirmohet kryetar i Partisë së Lirisë, 719 vota pro dhe 3 kundër

104
Sigal

Komisioni i Zgjedhjeve në Partinë e Lirisë ka konfirmuar Ilir Metën si kryetar i PL.

Në Konventën e parë Kombëtare e cila ka nisur punimet rreth orës 11:00, është kryer votimi për kryetarin e partisë, ndërkohë që kujtojmë se i regjistruar ka qenë vetëm një kandidat.

Në një deklaratë për mediat, Sekretarja për marrëdhëniet me publikun në PL, Silva Caka, ndër të tjera deklaroi se në votim kanë marrë pjesë 722 delegatë, nga të cilët 719 votuan pro Metës dhe 3 delegatë votuan kundër.

“Votimet për Kryetarin e Partisë së Lirisë dhe anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar, u hapën në orën 12:55 dhe u mbyllën në orën 18:15. Votimet u kryen në përputhje të plotë me normat e Statutit dhe me vendimet e Komisionit të Zgjedhjeve të Partisë së Lirisë. Gjatë procesit të votimit nuk u konstatua asnjë parregullsi dhe procesi u mbyll pasi votoi edhe delegati më i fundit. Komisioni i Zgjedhjeve të Partisë së Lirisë ka përfunduar edhe verifikimin e respektimit të barazisë gjinore dhe përfaqësimit të të rinjve, sipas proporcioneve të parashikuara në Statut.
Në votim kanë marrë pjesë 722 delegatë.
Në votimin për Kryetarin e Partisë së Lirisë, morën pjesë 722 delegatë, nga të cilët 719 votuan pro kandidatit për Kryetar të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Metaj dhe 3 delegatë votuan kundër.
Nga rezultati, Komisioni i Zgjedhjeve të Partisë së Lirisë, shpall fitues për postin e Kryetarit të Partisë, Z. Ilir Metaj.
Në votimin për anëtarë të Komitetit Drejtues Kombëtar, morën pjesë 722 delegatë dhe pas verifikimit dhe llogaritjes së rezultateve, në përputhje me vendimin e Konventës, u zgjodhën 236 anëtarë të Komitetit Drejtues Kombëtar, numër të cilit i shtohen edhe 5 anëtarë, të cilët janë pa votim (ex-officio), ku përfshihen 4 deputetët e Partisë së Lirisë dhe Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim”, u shpreh ajo.