Administrata e shtetit mbi 5 mln euro udhëtime me qira

73
Sigal

Shpenzimet e luksit për administratën, nuk përbëjnë më risi edhe pse varfëria ka kapluar vendin. Pas milionave të tenderave për udhëtime me avion, “gllabërohen” edhe mbi 5 mln. euro për makina me qira. Sipas llogaritjeve buxheti do paguajë rreth 30 mijë euro për një makinë të vetme. Ja skandali dhe institucionet e zhytura në luks me taksat e qytetarëve

Qytetarët shqiptarë vazhdojnë të paguajnë çmimin e energjisë shumë më të lartë se në rajon, teksa Skerdi i OST-së vijon me shpenzime luksi,  290 mln lekë për makina me qera.

 Shpenzimet e luksit për qeverinë Rama, nuk përbëjnë më risi edhe pse varfëria ka kapluar vendin dhe kriza politike po ul ndjeshëm ekonominë. Viti 2023 nisi me udhëtime të shumta për punonjësit e administratës. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjensia e Prokurimeve Publike, rezulton se vetëm gjatë muajit janar janë zhvilluar 59 tendera për blerje biletash udhëtimi. Ky avaz i administratës shtrihet edhe në tokë, pasi për mjete me qera do shpenzohen mbi 5 mln euro nga institucionet shtetërore.

OST-së, 290 mln lekë për makina me qera

Që nga fundi i vitit 2022 qytetarët shqiptarë vazhdojnë të paguajnë çmimin e energjisë shumë më të lartë se në rajon, edhe pse kemi vetë kapacitete prodhuese. OST është një nga kompanitë publike që përcakton koston e energjisë elektrike për konsumatorin përmes aplikimit tek Enti Rregullator i Energjisë. Në një intervistë televizive, kreu i OST, Skerdi Drenova, tha se për shkak të luftës në Ukrainë dhe rritjes së çmimit në bursa, institucioni është detyruar të rrisë kostot e shpërndarjes së energjisë në vend. Gjithashtu, ai tha se OST nuk është në gjendje të mirë financiare për shkak të borxheve. Por, faktet tregojnë se arka e OST-së boshatiset për shpenzime luksi për drejtorin dhe stafin. Këtë mund ta shohim dhe në tenderin e fundit të regjistruar në Agjencinë e Prokurimeve Publike. Bëhet fjalë për prokurimin me objekt “Automjete me qera operacionale leasing”. Për marrjen e këtyre makinave me qera, OST do të shpenzojë 290 milionë lekë sipas gijotina. Këto para mund të investoheshin në përmirësimin e rrjetit për të ulur humbjet në rrjetin e transmetimit të energjisë elektrike tek qytetarët dhe bizneset.

Makina me qera për 5 vjet

Ndërkohë, vihet re se kreu i OST-së është siguruar që këto makina me qera të jenë në dispozicion për më shumë se 5 vjet. Drejtori planifikon jetë luksoze për 5 vjetët e ardhshme! Këto kontrata afatgjata për një shërbim të tillë lënë vend për t’u hetuar! Nëse i referohemi ligjit të prokurimit, këtu kemi të bëjmë me dhënien koncesion të transportit të OST-së. Gjithsesi, ne konstatojmë se po bëhen shpenzime shumë të larta për një shërbim të tillë. Për të tjerat i mbetet SPAK-ut të hetojë. Kujtojmë se në vitin 2021, Operatori i Sistemit të Transmetimit propozoi një rritje të tarifës mesatare të transmetimit të energjisë me 96%. Pra, nga 0.75 lekë për kilovat orë që është, në 1.54 lekë për kilovat orë për një periudhë rregullatore 3-vjeçare, 2022-2024, një tarifë mesatare transmetimi prej 1.47 lekë për kilovat orë. Me siguri, “drejtori i luksit” kishte futur në shpenzime edhe makinat me qera!

30 mijë euro një makinë me qera !

Nuk ka mbetur pas edhe Policia e Shtetit! Më herët u zbulua në media, që do të ketë një flotë të re me 67 makina, por kjo do të ketë një kosto në buxhetin e këtij institucioni prej 2.2 milion eurosh. Por ajo që tërheq vëmendjen është fakti se në fund të 4 viteve automjetet nuk do vijojnë të jenë në flotën e forcave të rendit, por do i kthehen koncesionarit.

Me një matematikë të thjeshtë, duke marrë shumën totale që ka kërkuar operatori ekonomik, rezulton se Policia do të paguajë rreth 30 mijë euro për një makinë të vetme, për periudhën 4 vjeçarë që do e mbajë në dispozicion, ndërsa pas përfundimit të kontratës do i dorëzojë.