A do të gjobitet SGS Albania ?

322
Sigal

Në përfundim të koncesionit 11-vjecar të kolaudimit të automjeteve, kompania SGS Albania largohet si një kompani e cila dështoi në ofrimin e një shërbimi më cilësor në tregun atomobilistik shqiptar. Por a do t’i japë qeveria shqiptare certifikatë suksesi apo do të penalizohet për mos përmbushje të kushteve të kontratës?

“Është njësia e zbatimit të koncesionit  në Ministrinë e Infrastrukturës, e cila do të vendosë nëse do të ketë apo jo penalitet ndaj kompanisë, por ajo që mund t’ju them është se po marrim në dorëzim asete të amortizuara, por edhe linja shërbimi të 11 viteve më parë, siç i ka patur shteti. Ndërkohë ajo çfarë ne shohim dhe konstatojmë është që automjetet që qarkullojnë kanë probleme të mëdha në aspektin e sigurisë që duhet të ofrojnë, çka tregon se një pjesë e makinave kanë kaluar me “mik” kolaudimin”,  ka deklaruar Blendi Gonxhe në një intervistë televizive.

Veprimtaria 11-vjecare e SGS Albania, në Shqipëri është shoqëruar me debate akuza dhe penalitete nga ana e qeverisë, kundrejt kompanisë. Tre vite më parë autoriteti i konkurrencës gjobiti kompaninë për pozitën e saj monopol dhe për mos plotësim të kontratës për të ofruar qendrat lëvizësë të kontrollit.

Nga ana tjetër, ministria zhvilloi një auditim ku rezultoi se pikat e kontratës nuk ishin zbatuar sipas marrëveshjes. Por të gjitha këto akuza u harruan, teksa në mënyrë ende të pashpjegueshme, qeveria e shtyu afatin e përfundimit të kësaj kontrate nga shtatori i 2019 në dhjetor të 2022.