A do ia plasim një koncert tjetër tek ai ballkoni nga u hodh sot një tjetër viktimë ?

321
Sigal

Nuk kanë kaluar shumë ditë, kur Rilindja shpikte një kurim të ri për të sëmurët me COVID-19 në Spitalin “Shefqet Ndroqi”. Propagandistët i çuan ca saze dhe mbajtën një aheng. Disa punëtorë të spitalit kërcenin në ballkon, ndërsa mungoi kryeministri t’i ngjiste një dhjetë mijë lekësh në ballë gërnetës, tek tundte të ndenjurat.

Vetëm pas diktë më pas, në qetësinë e mëngjesit, pa zhurmë, pa kolonë zanore një tjetër 60 vjeçar u hodh nga ballkoni i spitalit dhe i dha fund jetës. Tash, është vështirë të numërosh se sa janë bërë të sëmurët që i kanë dhënë kështu zgjidhje fatale jetës së tyre. Prokuroria thuhet që ka nisur një hetim, por ka pak gjasa të nxjerrë gjë në dritë.

Askush nuk është në gjendje të na e shpjegojë këtë dukuri. Propagandistët e Edi Ramës u sulën të gjejnë ndonjë të vetëvrarë në Itali a Greqi, por asgjë. Ndoshta në Mozambik mund të peshkojnë dikë, prandaj i dhanë dum dhe bënë një ziafet me këngë të hareshme popullore.

Natyrisht, nuk pi ujë koncerti, përderisa nuk jep efekt as remdevisiri. Por, Rilindja duhet të japë idenë se populli është i lumtur edhe në shtratin e vdekjes. Duket sikur jemi kthyer mbrapsht në kohët e shokut Veri, por vetëm me karikaturat revolucionare të revistës “Hosteni”.

Rilindja ngjan të jetë ketë nisur një turravrap drejt greminës, ndërsa ka lidhur Shqipërinë pas ushkurëve të brekëve.

Të sëmurët po vdesin me dhjetra, por këta nuk e thonë, përkundrazi hedhin valle pagane sikur duan të ndjellin ëngjëllin e mortit.

Ekonomia ka falimentuar, por ai vazhdon dorovit oligarkët me një vullnet të admirueshëm.

Njerëzve po u mbërdhin jeta në çadrat e pas tërmetit, kurse Tigri ngjyen flokët dhe zgërdhihet me poza sportive, se ka hall të duket më riosh si plak pervers.

Nxënësit nuk kanë para për libra, jo më për internet e kompjutera, por ministrja flet për mësim on line, sikur po rrëfen ndërresat e linesave.

Kriminelët pasi patën të korra të shëndetshme po i tundin alltitë çdo ditë duke vrarë në mes të qyteteve, por Sandër gazlotsjellësi qahet se prindërit nuk i kanë edukuar si duhet.

…dhe lista është e gjatë sa qiellgërvishtëset që po e gëlltisin Kullën e Sahatit.

Në fund i fusim një gërnetë tek i njëjti ballkon, pasi secili për vete e Zoti për të gjithë.27.al