Shpopullimi: Shqiptarët po ikin, jepen 5233 leje pune për aziatikët

117
Sigal

Shqipëria po boshatiset me shpejtësi. Sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA) gjatë 9 -mujorit 2022 kanë marrë leje pune 5,233 shtetas të huaj dhe deri në fund të vitit pritet të lëshohen edhe një sasi e madhe lejesh qëndrimi, nisur nga kërkesat e larta që janë bërë tek agjencitë e punësimit kryesisht turq, egjiptian, filipinas dhe indian. Reagon për BBC-in ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati: Përgjegjësia për emigrimin e shqiptarëve në Britani, është e jona si politikanë. Të rritet standarti i jetesës

Të dhënat tregojnë se punonjësit e huaj më së shumti vijnë të punësohen në industrinë përpunuese, në sektorin e ndërtimit, në bujqësi dhe peshkim, etj. Vitin e kaluar 16 për qind të lejeve të punës u lëshuan për shtetas turq, egjiptian, filipinas dhe indian.”

Shqiptarët kanë marrë rrugët e emigrimit. Emergjenca për të plotësuar nevojat e tregut të punës me punonjës të huaj po rritet me shpejtësi muaj pas muaji, për shkak të emigracionit të lartë të fuqisë punëtore vendase dhe nga ana tjetër nga rritja e kërkesës për të prodhuar në Shqipëri pas pandemisë Covid-19 dhe luftës në Ukrainë.

Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) gjatë 9 -mujorit 2022 kanë marrë leje pune 5,233 shtetas të huaj. Ky numër ishte 4% më i lartë se gjithë kontratat e punës që u dhanë për të huajt për vitin 2021.

Deri në fund të vitit pritet të lëshohen edhe një sasi e madhe lejesh qëndrimi për punë ndaj të huajve nisur nga kërkesat e larta që bizneset në sektorë të ndryshëm të ekonomisë kanë bërë tek agjencitë e punësimit.

Të dhëna më të detajuara nga AKPA tregojnë se punonjësit e huaj më së shumti vijnë të punësohen në industrinë përpunuese, në sektorin e ndërtimit, në bujqësi dhe peshkim, etj.

Vitin e kaluar 16 për qind të lejeve të punës u lëshuan për shtetas turq, egjiptian, filipines dhe indian. Punonjës nga këto vende u punësuan kryesisht për industrinë fason Tik dhe ndërtim.

Vitet e fundit sidomos pas pandemisë Covid-19, bizneset në të gjithë sektorët kanë shpallur emergjencën për punonjës. Kjo u theksua sidomos këtë vit, pasi një valë e madhe emigracioni u theksua në moshat të reja. Sakaq është në rritje trendi i largimit me kontrata pune.Të dhënat zyrtare nga Britania e Madhe, tregojnë se nga fillimi i vitit deri në fillim të nëntorit rreth 12 mijë shqiptare janë futur me gomone, shumica të rinj. Gjithashtu Eurostat raportoi se mbi 10 mijë shtetas shqiptare kanë kërkuar azil në 6 mujorin e parë.

Mijëra të tjerë largohen me llotarinë amerikane me viza studenti dhe për bashkim familjar. Largimet nga vendi janë aq të mëdha sa shumë sektorë raportuan rënie të konsumit për këtë fakt.

Tentativat për të zëvendësuar fuqinë punëtore me të huaj duket se, janë mjeti i vetëm për disa sektorë. Gjovalin Shtjefni, i cili prej 10 vitesh drejton fabrikën e prodhimit të veshjeve “Rubin” në qytetin e Shkodrës tha se, nëse nuk arrin të importojë punonjës të huaj do të detyrohet të mbyllë aktivitetin në dy vitet në vijim.

Bizneset ankohen se kostot për importin e punonjësve të huaj janë të larta, gjithashtu ka shumë burokraci. Kompanitë shqiptare janë përgjithësisht të vogla dhe kërkojnë një sasi të limituar punonjësish.

Erald Pashaj, administrator i EP & Partners Consultancy shpk (EPPC), një kompani që ka në fokus burimet njerëzore tha se kostot aktuale që një firmë duhet të paguaje për një punonjës nga Nepali janë 1200 euro dhe më pas një rrogë neto 550 euro në muaj.

Nëse një kompani paguan për 10 punonjës nga Nepali, 50 për qind e tyre mund të jenë totalisht joproduktivë, ndërkohë marrja e tyre me rroga shumë të larta largon punonjësit shqiptarë që paguhen më pak.

Përgjegjësia për emigrimin e shqiptarëve në Britani, është e jona si politikanë

Ditmir Bushati intervistë për BBC

Ish-Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka dhënë një intervistë për mediumin britanik BBC në lidhje me valën e emigracionit shqiptar drejt Anglisë. Bushati gjatë intervistës ka theksuar se një nga arsyet që shqiptarët po udhëtojnë drejt Perëndimit dhe kryesisht Anglisë është mundësia që ofrohet në këto vende. Po ashtu gjatë fjalës së tij, ish-ministri ka theksuar se mos anëtarësimi i Shqipërisë në BE është një tjetër arsye se përse shqiptarët po tentojnë të largohen, pasi ndodhen të zhgënjyer. Intervista:

Partia juaj ka drejtuar vendin për 17 vjet në 25 vitet e fundit. Ndërkohë kjo është vala e katërt e emigrimit dhe të rinjtë vijojnë të largohen nga vendi. A është kjo për të ardhur turp?

Ekziston gjithmonë një trend i përgjithshëm ku njerëzit lëvizin nga vendet më pak të zhvilluara drejt atyre më të zhvilluara. Pavarësisht nëse emigrimi është në rrugë të ligjshme ose jo, e vërteta është se vendi i origjinës humbet shumë. Pasi humbet fuqinë njerëzore. Nuk ka kthim të investimit mbrapsht. Dhe gjithashtu ka një dozë faji që shkon tek qytetarët e zakonshëm, të cilët ndonjëherë penalizohen nga lëvizja e lirë nga një vend në tjetrin, siç ndodh në këtë rast nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Por ata jo thjeshtë po largohen nga Shqipëria. Ata po harxhojnë mijëra paund, duke ia dorëzuar ato para të huajve për të siguruar një vend në varkë nga e cila mund edhe të mbyten. Çfarë ka që nuk shkon kaq shumë në Shqipëri që dikush merr këtë rrezik mbi supe?

Unë pajtohem tërësisht me konkluzionin e dokumentarit tuaj, se situata aktuale nuk ndihmon Shqipërinë dhe Mbretërinë e Bashkuar që të adresojnë rrënjet e vërteta të këtij fenomeni. “Fituesit e vërtetë” në këtë rast janë trafikantët e qenieve njerëzore. Ndaj, unë mendoj se kemi nevojë të adresojmë problemin me themel dhe jo pasojat e tij. Rrënjet e këtij fenomeni kanë të bëjnë padiskutim edhe me modelin ekonomik, të cilin ne këtu në Shqipëri, duhet ta përmirësojmë. Ne duhet të rrisim standartin e jetesës. Ne si politikanë kemi përgjegjësi për të dhënë më shumë shpresë për shqiptarët që të besojnë në të ardhmen e vendit. Por nga ana tjetër, është e nevojshme të lehtësohet regjimi i vizave nga ana e Mbretërisë së Bashkuar. Kam pasur rastin të punoj me katër Sekretarë të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, me ëilliam Hague, Jeremy Hunt, Boris Johnson dhe me Philip Hammond. Së bashku kemi diskutuar disa herë politikat e lehtësimit të regjimit të vizave të Mbretërisë së Bashkuar, jo vetëm për shtetasit shqiptar, por për të gjithë Ballkanin Perëndimor, siç ka bërë BE-ja dhe siç po bën edhe SHBA-ja tanimë. Ne gjithashtu kemi diskutuar sesi të përmirësojmë programet e lëvizshmërisë në mënyrë që të rrisim shkëmbimet ndërmjet shtetasve tanë, duke qenë se ka shumë simpati për Mbretërinë e Bashkuar dhe britanikët në vendin tonë. Dhe është për të ardhur keq që kjo nuk është materializuar ende.

Një nga arsyet se përse shqiptarët duan të largohen nga vendi i tyre, sipas vrojtimeve, ka lidhje me korrupsionin. Sipas Transparency International, kjo është arsyeja e dytë më kryesore se përse njerëzit zgjedhin të largohen. Njerëzit paguajnë rryshfet te zyrtarët për të siguruar një punë, një pasaportë, një leje për drejtim automjeti, për të dërguar fëmijën në shkollën që ata duan. A mund të bëhet më shumë për të ndaluar korrupsionin apo jo?

Ka gjithmonë vend për të bërë më shumë kur vjen fjala te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ka gjithmonë vend për përmirësim kur vjen fjala te mënyra sesi krijohet dhe shpërndahet pasuria. Por nga ana tjetër, shqiptarët ndjehen kulturalisht dhe psikologjikisht shumë të lidhur me Perëndimin. Gjithashtu, ata ndjehen të lodhur nga mospërmbushja e ëndrrës së tyre për t’u bërë pjesë e BE-së. E ndërsa po jetojmë në kohën e teknologjisë, njerëzit shohin bashkëmoshatarët e tyre, kushërinjtë e tyre dhe ndonjëherë zgjedhin këto rrugë të jashtëligjshme për t’u larguar. Siç dhe ju e përshkruani, ne po përballemi me këtë fenomen ku njerëzit nga Franca po shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në shumë raste rezultojnë të jenë shqiptarë. Ndaj, kemi nevojë të forcojmë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona dhe vendeve të tjera që gjithashtu janë të prekura nga ky fenomen.