600 punonjës të bypass-it të Fierit kanë vite pa paguar, paralajmërojnë grevën e urisë

594
Sigal

Punonjësit e 55 firmave që kanë punuar në by-passin e Fierit kërcënojnë se do të nisin grevë urie javën tjetër në Tiranë, në rast se nuk marrin zgjidhje për 9.6 milionë euro punime të kryera aty. Ndërsa qeveria është në fazën e vlerësimit të tenderit për përfundimin e by-passit të Fierit, rreth 600 punonjës që kanë punuar aty, kërcënojnë se do t’i bllokojnë punimet me shembullin e protestave në Kukës. Ndërsa qeveria pret të shpallë fituesit e tenderit të ri për të përfunduar by-passin e Fierit, përfaqësues të 55 kompanive që kanë punuar aty deri në vitin 2016, paralajmërojnë se nuk do të lejojnë askënd të futet aty, në rast se ata nuk marrin 9.6 milionë euro të prapambetura. Dhe si shembull të bllokimit dhanë atë të Kukësit. “Themelet i kemi hedhur ne dhe askush nuk ka të drejtë të vendosë qoftë dhe një gur pa u likuiduar ne”. “Asnjë nga ne nuk dëshiron që në këto objekte të ketë skandale, sepse këto skandale vinë nga pa përgjegjshmëria mbi pagesat në drejtimin tonë”. “Ky shtet po na bën të hapim luftë me njëri-tjetrin”. Nënkontraktorët e kompanisë italiane “Serenissima” që braktisën punën disa kohë më parë, janë ngritur për herë të 9-të në protestë, por këtë herë ishin ultimativë. Ata kërkuan zgjidhje nga qeveria, ose në rast të kundërt javën tjetër nisin grevën e urisë përballë Ministrisë së Transporteve. “Do mblidhemi në grevë urie, nuk mund të lëmë të gjithë këta punëtorë pa paguar, gjithë këto borxhe pa larë”. “Shteti u detyrohet kompanive, punonjësve të by-passit të Fierit dhe Vlorës 9.6 milionë euro”. Janë rreth 600 punonjës të kompanive nënkontraktore e furnizuese, të cilët kërkojnë pagesën e punës së bërë gjatë periudhës 2015-2016, dhe kërkojnë angazhim maksimal të të gjithë aktorëve për zgjidhjen e situatës.