4 selitë fetare, ultimatum Qeverisë: Feja në shkolla të jepet nga priftërinjtë, hoxhallarët dhe baballarët

718
Tashmë nuk është më një ide dhe projekt, por një vendim shtetëror, që në shkollat shqiptare të sistemit parauniversitar të futet si lëndë mësimore edhe kultura librore fetare e të tre besimeve që veprojnë në vendin tonë. Se si do të ndahen orët mësimore të çdo besimi fetar brenda një dite mësimore, një klase e një shkolle, këtë “formulë” e dinë “profesorët” e Ministrisë së Arsimit, të cilët janë edhe promovuesit e futjes së mësimit fetar në shkollë, mbasi vërtetë që ka një lëndë fetare unike që futet në shkolla, por do të ketë disa programe mësimore fetare, sipas kulturës së secilit besim fetar katolik, ortodoks, mysliman, bektashi, madje kanë nisur kërkesa edhe nga “filiale” të tjera besimesh fetare që veprojnë në Shqipëri, të cilët kanë nisur ankesat në Presidencë, Qeveri, në Ministrinë e Arsimit, në Komitetin Kombëtar të Kulteve, duke kërkuar edhe angazhimin e qendrave të tyre fetare nëpër botë! Por ky vendim, ose më saktë nisja e eksperimentimit “Pilot” të mësimit fetar në shkollën shqiptare parauniversitare në semestrin e dytë të vitit mësimor 2016-2017, nuk është qa i lehtë sa çduket. Që në “njoftim” të tij, pati shumë kundërshti nga specialistë të arsimit, të botës shkencore, të shoqërisë civile, të medies, të mësuesve të sistemit parauniversitar, të prindërve e të krejt opinionit shoqëror, ashtu siç kishte edhe aprovim të plotë prej selive të besimeve fetare në Shqipëri. 
Drejtuesit fetarë, ultimatum: Mësuesit të jenë priftërinj, hoxhallarë e baballarë
Pas “zhurmës” së madhe e cila si në çdo rast “zgjati vetëm 3 ditë”, prej disa ditësh ka dalë në skenë edhe një problem tjetër, me të cilin ka nisur të përballet qeveria dhe Ministria e Arsimit, por dhe institucione të tjerë shtetërorë e shoqëror. Sipas informacionit të ardhur në “Telegraf”, katër selitë drejtuese të komuniteteve fetare që veprojnë në Shqipëri, konkretisht Komuniteti Mysliman, Selia Bektashiane, Kisha Katolike dhe Kisha Ortodokse, pasi kanë siguruar futjen e programeve të tyre fetare në shkolla, kanë hedhur një “hap” tjetër me të avancuar, të shoqëruar me një tjetër kërkesë “delikate”, që në gjuhën popullore shqiptare, thuhet kështu: “Oreksi vjen duke ngrënë”. Të bërë bashkë në një qëllim, krerët mysliman, bektashi, katolikë e ortodoks i janë drejtuar qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit me një kërkesë të formës së prerë, që vendimi, ose më saktë ligji për futjen e mësimit të fesë në shkolla, të plotësohet edhe me një element tjetër të domosdoshëm, i cili sipas tyre ndikon në cilësinë e mësimdhënies së lëndëve fetare në shkolla! Konkretisht, drejtuesit e katër besimeve fetare shqiptare, kërkojnë nga qeveria dhe Ministria e Arsimit, që lëndët e fesë në shkolla të mos jepen nga mësues “civilë” që varen prej drejtorive arsimore rajonale e zonale, por të jepen nga “profesorë” hoxhallarë, priftërinj e baballarë. Sipas informacionit, fillimisht kërkesa e përbashkët e 4 krerëve të selive fetare që veprojnë në Shqipëri nuk është pranuar nga Ministria e Arsimit, nën arsyetimin se shkolla është laike, ndaj dhe mësuesit duhet të jenë “civilë” e jo misionarë me veshje fetare. Përgjigja e Ministrisë së Arsimit ka shkaktuar reagim të 4 selive fetare, të cilët e kanë kthyer kërkesën, në ultimatum për zbatim. Sipas tyre, ata i kanë gati “mësuesit” hoxhallarë, bektashinj e priftërinj dhe sipas “ultimatumit”, do t’i paraqesin ata në me libra në duar, në shkollat ku do të nis projekti “Pilot”, i shpallur nga Ministria e Arsimit. Nëse ky “ultimatum” i selive fetare do të pranohet, atëherë në filim të muajit shkurt 2016, në shkollat ku do të nis projekti “Pilot”, krahas mësuesve “civilë” nëpër klasa do të shikojmë të japin mësim edhe hoxhallarë, baballarë e priftërinj!
——————————-
Projekti “Pilot” në 10 shkolla të Tiranës: Nis në semestrin e dytë të vitit mësimor 2016-2017
Ideja e qeverisë për të futur kulturën fetare në shkolla do të konkretizohet në semestrin e dytë të vitit shkollor 2016-2017. Programi është gati dhe mendohet të implementohet si projekt “Pilot”, fillimisht në 10 shkolla të Tiranës në semestrin e dytë të vitit shkollor e jo që në muajin shtator, siç u përfol në krye të herës. Lënda, emri i së cilës mendohet të jetë “Historia dhe kultura fetare”, do të jap koncepte mbi fenë për jo më shumë se 10 orë në muaj, për nxënës të klasave të gjashta e të dhjeta. Të gjitha shkollat do të mësojnë kulturën fetare, në rast se ky projekt jep frytet e duhura. Sipas Ministrisë së Arsimit, tashmë ka përfunduar hartimi i programit mësimor përkatës. Duke qenë se janë shumë pak shkolla, ka më pak punë me trajnimin e mësuesve dhe me përgatitjen e materialit, proces që do të nisë në fund të muajit gusht 2016. Programi fetar në shkolla, do të ndahet mes praktikës dhe teorisë, ku pjesën më të madhe, pra 60% të mësimit do të jetë teori! 
———————————————–
Argumenti i selive fetare: mësuesit me veshje fetare, si veshja e mësuesve të fizkulturës 
Në kërkesë-ultimatumin e tyre, drejtuesit e 4 selive fetare, si argument për dhënien e mësimit të fesë nga mësues hoxhallarë, baballarë e priftërinj, përdorin paralelizmin me mësuesit |civilë” që japin lëndet e tjera në arsimin parauniversitar. Ata thonë, se nuk ka asnjë arsye që lëndët e fesë të mos i japin mësues hoxhallarë, baballarë e priftërinj me veshje fetare, mbasi uniformat e tyre janë në përputhje të plotë me lëndët që japin dhe me besimin fetar që do të përfaqësojnë në stafin mësimor. Sipas krerëve drejtues të besimeve fetare, mësuesit hoxhallarë, baballarë e priftërinj duhet të trajtohen në barazi me mësuesit “civilë”, duke veshur uniformën sipas lëndëve që japin. Psh, sipas tyre, mësuesit hoxhallarë, baballarë e priftërinj duhet të lejohen me uniformë fetare, siç lejohet mësuesi i fizikës, kimisë, biologjisë e matematikës që japin mësim me uniformë të bardhë, apo siç lejohet mësuesi i fizkulturës të jap mësim me veshje sportive! 
————————————–
DASH, deklaratë për aktivitetin, raportet me shtetin dhe të drejtat e besimeve fetare në Shqipëri 
Në raportin vjetor për gjendjen e lirive fetare në botë Departamenti amerikan i Shtetit, në pjesën që flet për Shqipërinë thotë se shteti është neutral ndaj çështjeve fetare, njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare, garanton lirinë e fesë dhe ndalon diskriminimin fetar. Qeveria ka marrëveshje me 5 grupe fetare dhe shteti ndihmon me fonde 4 prej tyre. Grupet fetare janë ankuar se është bërë pak përparim për zgjidhjen e rreth 1 mijë pretendimeve të tyre për kthim pronash të sekuestruara gjatë regjimit komunist. Kisha autoqefale ortodokse shprehu pakënaqësinë e saj ndaj shkatërrimit nga autoritetet lokale të një strukture që ajo thoshte se ishte kishë. Përmes Këshillit Ndërfetar, thuhet në raport, udhëheqësit e komuniteteve suni, ortodokse, katolike, protestante dhe bektashinj takohen për të diskutuar shqetësimet e tyre të përbashkëta, informon |Zëri i Amerikës”. Dy shkelësit më të mëdhenj të lirive fetare, sipas raportit të DASH, janë grupet “Da’esh” dhe “Boko Haram”, që kanë kryer disa nga krimet më mizore. 
————————————————-
Qëndrime “PRO” dhe “JO” mësimit të fesë në shkolla
Arben Kallamata: Në shkolla të mësohet vetëm për moralin e fesë 
Nxënësit e shkollave duhet të mësojnë për moralin e fesë. Jo të interpretuar sipas konteksteve që i leverdisin këtij apo atij grupi apo individi në një çast të caktuar, por për moralin e vërtetë që mund të nxirret nga tekstet fetare me syrin e paanshëm të një intelektuali të shekullit të 21-të. Për mësimet e mira të saj-mos vidh, mos fli me gruan e komshiut, mos fyej, por edhe për mësimet e saj jo dhe aq të mira mbi mënyrën se si duhen trajtuar skllevërit; si dhe kur duhen rrahur gratë; me çfarë dhe sa duhen mbuluar ato; ose si duhen vrarë apo masakruar, plaçkitur e përdhunuar popullsitë që i nënshtron me luftë; si të bësh mëkate sa të duash dhe të të falen ato duke u lutur e duke hedhur pare në faltore etj. Shkolla është për të dhënë dije, jo për të predikuar. Duke dhënë dije, jashtë predikimit, shkolla do të përgatisë njerëz të ndërgjegjshëm, që dinë të mendojnë në mënyrë të pavarur dhe t’i marrin vetë vendimet për jetën e tyre.
Shkolla ka mundësinë t’iu mësojë nxënësve të vërtetën se si janë përhapur fetë. Se si dhe kur dolën fetë monoteiste, si u shpikën ato abrahamike nga njerëzit primitivë të Lindjes së Mesme të katër mijë vjetëve të shkuara, si u përhapën ato me shpatë e me kërbaç, me dredhi e sa me mashtrim. Si kanë luftuar me njëra-tjetrën për ndarje territoriale – të mësojnë për perandoritë fetare, për fushatat fetare, për kryqëzatat dhe kryqëzimet, turrat e druve dhe gjuetitë e shtrigave, monopolizimin e dijes dhe mostolerimin e të menduarit ndryshe, shkatërrimin e kulturave paraardhëse dhe kontrollin total. T’iu mësojë se si janë futur fetë e ndryshme në popullin tonë dhe cili ka qenë roli i tyre i vërtetë në (pengimin e) krijimit të kombit. Të mësojnë edhe ç’mendonin rilindësit, ata që ngritën kombin shqiptar për fetë dhe rolin e tyre.
Zamira Çavo: Ky vendim është një ogur i keq për të ardhmen e shoqërisë
Sigurisht të zhvillosh disa orë mbi historinë e feve në Shqipëri është dicka positive. Por vetëm disa orë. Më tej cdo hap I hedhur do cojë në fragmentim në kundërvënie dhe në debate armiqësore që do të sjellin një rezultat aspak të dëshirueshëm. Dhe le të jenë trajnuar kudo në botë mësues të tillë. Realiteti shqiptar nuk mësohet jashtë por brënda vendit.
Atehërë cfarë i duhet arsimit të varfër shqiptar një hap I tillë? Të corodisë edhe më shumë të rinjtë që boll të coroditur janë për shkak të teknologjisë dhe mungëses së kurikulave të denja në shkolla? Unë mendoj se më parë se të ndërmarrim këtë hap duhet të kërkojmë më shumë nga edukimi laik në shkolla, më shumë nga edukimi shoqëror nga masmedia, nga institucionet fetare, sepse në se këta faktorë do të jenë si janë sot, ju garantoj se hapi I hedhur është një ogur I keq për të ardhmen e shoqërisë
Dikush mund të thotë se edhe në vende të tjera zhvillohen orë të fesë. Po, zhvillohen, por mësohet katekizëm, islamizëm apo ku e di unë se cfarë dhe kjo I lihet në dëshirë vetë nxënësit. Por si e ka menduar Kryeministri ta zgjidhë këtë problem?
Nëse ka menduar ta zgjidhë këtë si e bëjnë vendet e tjera, them se do i futemi një deti që do prodhojë tallaze sociale e që në vend që të vemë vetullat do nxjerrim sytë. Uroj unë ta kem gabim dhe kryeministri të drejtë!
Sigal