115 viktima nga aksidentet në 9 muaj

507
Sigal

Përdorimi i telefonit nga shoferet, shkaku kryesor

Aksidentet rrugore kanë ardhur duke u rritur vitet e fundit. Sipas Qendrës Kombëtare të Urgjencës, vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2019 janë regjistruar mbi 4 700 aksidente me 115 viktima.

“Fillimi i vitit ka më pak. Sezoni turistik dhe i verës ka më shumë dhe sidomos muaji Gusht pati më shumë nga të gjithë muajt e tjerë”, thotë Skënder Brataj, drejtor i Urgjencës Mjekësore Kombëtare.

Mosrespektimi i rregullave të qarkullimit dhe përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit janë shkaktarët kryesorë të aksidenteve me pasoja fatale.

“Është një gjë që mund të parandalohet. Duhet të ashpërsohet ligji patjetër. Duhet që njerëzit të ndërgjegjësohen që telefoni nuk është rrezik vetëm për jetën e vet, por edhe për të tjerët.”

Në shumicën e rasteve aksidentet ndodhin në zonat e banuara dhe shpesh shkaktar janë këmbësorët.

“Shumë pak kalojnë në vija të bardha. Nuk është problemi që ecën shpejt shoferi, apo nuk e pa këmbësorin. Edhe mund të mos e shikosh për një moment. Kur të del papritur dhe jo në vijat e bardha detyrimisht do të shkaktosh aksident. Edhe biçikletat, motoçikletat, që futen vend e pa vend. Gjëja më absurde është kur mban familjen në vendin e parë pa e lidhur, apo shumë herë kur shikon që vendosin fëmijën tek timoni.”