Terapia gjinore në QSUT, reagon Vëllazëria Ungjillore: Po cënohet familja tradicionale

Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë kundërshton çdo propagandë e cila po tenton dhe manifeston në forma të ndryshme të denigrojë dhe shkatërrojë institucionin e familjes në kombin tonë. I bëjmë thirrje opinionit publik që të ruajë maturinë, respektin dhe përgjegjësinë në komunikim, duke mbrojtur dinjitetin e familjes.

Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë (VUSH) ka reaguar publikisht lidhur me udhëzimin e ministrisë së Shëndetësisë për terapinë hormonale për personat transgjinorë, e cila pritet të ofrohet nga shërbimit publik shëndetësor në vend, në QSUT.Përmes një deklarate publike, VUSH shpreh shqetësimin për atë që e cilëson si “zhvillim të ideologjisë gjinore”, duke theksuar se familja tradicionale, e cila mbetet në qendër të besimit dhe vlerave që organizata përfaqëson, po cënohet.“Ne ndajmë shqetësimin se familja tradicionale po cënohet përmes nismave dhe këtyre zhvillimeve të fundit. Qëndrimi pro familjes, mbështetja për vlerat e familjes tradicionale, burrë dhe grua, siç e njeh edhe Kodi i Familjes i Republikës së Shqipërisë, i jep të drejtën çdo qytetari shqiptar për t’i artikuluar dhe mbrojtur këto qëndrime publikisht”, thuhet në reagimin e tyre. Sipas VUSH-it, identiteti njerëzor si mashkull dhe femër është i dhënë nga Zoti dhe nuk mund të ndryshohet nga vullneti i individit.Në reagim përmendet edhe pastori Akil Pano, për të cilin VUSH shpreh mbështetje përballë “gjuhës së rënduar publike, sulmeve personale dhe përpjekjeve për stigmatizim”. “Ne kemi familjen në qendër të besimit tonë dhe të vlerave biblike që përfaqësojmë. Besojmë se mbrojtja e familjes, siç e njeh Bibla, tradita dhe legjislacioni shqiptar, mbetet një vlerë themelore për shoqërinë tonë.Bibla mëson se ekziston vetëm një Zot që është Krijuesi dhe Zot i të gjithëve. Asnjë nuk mund ta njohë veten pa e njohur me të vërtetë Atë që na krijoi. Identiteti ynë i vërtetë, si meshkuj dhe femra, është dhënë nga Zoti. Nuk është vetëm marrëzi, por është dhe e pashpresë, të përpiqemi ta bëjmë veten ashtu siç Zoti nuk na krijoi që të jemi. Ne ndajmë shqetësimin se familja tradicionale po cënohet përmes nismave dhe këtyre zhvillimeve të fundit.”, thuhet në deklaratë.

NOA