PROFIL/ Nga pishina-në jetë, ja si “zbardhet” karriera e shpinistit shkodran. E vlerësojnë Mjeshtrat e Mëdhenj, Petrit Guma dhe Sadik Mema, si dhe Mjeshtri Ilir Ymeri
Nga Agron KAJA

Duke qënë një ish-notar dhe rekordmen i elitës, si e mbani mënd një shkrim apo një kronikë sportive, që është folur për ju?
Atëhere kur unë garova në sportin e notit, në televizion dhe në gazetë kishte gjithmonë kronika, kryesisht në kohën para dhe pas garave. Sot ndoshta nuk i kujtoj me detaje, por në memorrjen time ato kanë lënë shumë kujtime të bukura.
Ju keni qënë vetëm notar, apo jeni marrë edhe me sporte të tjerë në ushtrim, apo edhe në trajning?
Jo jo, kam qënë vetëm notar, sepse sportet e tjerë edhe nuk më tërhiqnin. Sporti në atë kohë ishte i bukur, dhe unë preferova vetëm notin. Sportin e ushtrova me pasion, edhe pse në dukje sikur nuk më ka tërhequr. Por e shijova si kampion.
Gjatë karrierës suaj, sa e keni ndjerrë veten si pjesë e notarëve që kanë ditur të notojnë dhe të garojnë si kampionë?
Krejt normale që ndjeheshim të gjithë të tillë. Në Shkodër, e gjithë qytetaria ka patur respekt për sportistët, ku noti ishte një sport i preferuar. Unë i kam sjellë Vllaznisë një titull kampion pas 11 viteve, kur kam mundur Tomor Danon, atëhere kampion.
Kur ka nisur rrugëtimi juaj sportiv, në cilën moshë dhe si i kujtoni rrethanat?
E kam nisur rrugëtimin tim sportive në not në vitin 1974 me Pionierët e Vllaznisë. Për herë të parë kam shkuar në një Spartakiadë të Pionierëve në Durrës, ku pas dy javëve që kisha nisur not kam dalë në vëndin e dytë në Shpinë dhe Bretkocë 100 m e 200 m.
Po karriera juaj që të notonit me një ekip të elitës në Shqipëri, kur dhe si ka nisur?
Gjithmonë Vllaznia, ku pas një viti unë garova me të Rinjtë dhe të Riturit e Vllaznisë, deri në vitin 1986 kur edhe u largova si sportist. Kam garuar edhe dy vite me Partizanin kur kam shkruar shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe me Kombëtaren.
Garën e parë në karrierë, apo rekordin e parë që keni thyer, si e kujtoni?
Po, gara e parë në karrierën time sportive ka qënë në Durrës në vitin 1975 në stilin e Bretkocës. Kam dalë në vëndin e dytë në këtë garë, e cila për mua ka qënë një nga garat më të bukura në karrierë, sepse ishte vetëm pas dy javëve stërvitje.
Cili ka qënë trajneri juaj i parë, a mbeti ai një shembull për rezultatet tuaja?
Trajneri i parë te pionierët ishte Halim Zaganjori, ndërsa me të Rriturit ka qënë Shuaip Mehmeti. Të dy i kujtoj me nostalgji, ndërkohë me Shuaip ishte një periudhë më e gjatë dhe e kujtoj si një trajner serioz. Me Partizanin trajner kisha Petrit Casllin, ndërsa me Kombëtaren Pavllo Kisin.
Ju keni garuar kryesisht në garën Bretkocë, më shumë në Shpinë, cilët ishin rivalët në gara apo edhe në thyerjen e rekordeve kombëtare?
Kryesisht rival kam patur Xhaferr Lamin e 17 Nëntorit, Tomorr Danon e Flamurtarit, Sokol Hotin e Lokomotivës, Stavro Ballkonin e Romeo Gjeneralin të Butrintit. Të gjithë kanë qënë rivalë në gara, por edhe shokë të mirë jashtë gare.
Keni garuar në pishinë, në det të hapur apo në maratonë, ku e keni patur më të lehtë?
Garimi im më i lehtë ka qënë në pishinat e Shkodrës, ndërsa garën më të bukur e kam bërë në Sarandë kur kam mundur kampionin Tomor Dano. Kjo është një nga më të mirat, dhe tjetra kur thyemë Dinamon në stafetën Mix 400 m në kampionat.
Cila është periudha e kohëzgjatjes së karrierës tuaj si notar, dhe cilët ishin ekipet që përfaqësuat?
Si ekipe kam përfaqësuar Vllazninë, Partizanin dhe Kombëtaren. Kohëzgjatja ime ishte në 13 vite dhe kryesisht me Vllazninë jam ndjerrë më i plotë dhe më i përkushtuar, edhe pse Partizani e Kombëtarja ishin kulmi i karrierës sime.
Sa mbahet mënd në memorrien tuaj gara e fundit që keni bërë si notar i elitës?
Gara ime e fundit me Kombëtaren ka qënë kur u largova në vitin 1985 dhe shkova në Shkodër. Ndërsa gara e fundit u zhvillua në Durrës, ku garova në 100 m dhe 200 m stil Shpinë. Në 100 m në vëndin e parë, në 200 m më mundi Ilir Ymeri.
Në kohën kur ju keni garuar, si ka qënë infrastruktura në sportin e notit?
Në tërësi nuk ka qënë ndonjë infrastrukturë e mirë, kryesisht në Shkodër. Në Sarandë garat te Zadrat zhvilloheshin si spektakël. Në Durrës ishin kushtet më të mira në pishinën 50 m, ndërsa në det ndjehesha më i lirshëm dhe notoja më mirë.
Po si trajner, e keni patur mundësinë apo dëshirën për ta ushtruar?
Çdo sport kërkon talentin e pasionin, dhe unë këtë e pata vetëm si notar. Nuk e kisha shumë me dëshirë të trajnoja, sepse është e vështirë të bëhesh trajner, se sa një notar i mirë. Nuk do ishte keq, por ky motiv tregon gjithçka në këtë aspekt.
Pasi jeni larguar nga aktiviteti, e ndiqni ritmikën e garave të notit në Shqipëri?
Në Shqipëri jo, nuk mund ta ndjek për arsye se jam larg, në Itali. Ndaj nuk ndjehem plotësisht i angazhuar, pse jo edhe për arsye pune. Do ishte mirë që veç garave që zhvillohen këtu në Itali, të shikoja edhe ato shqiptare.
Si e mbani mënd garën e fundit që keni parë në notin shqiptar?
Në Katania të Italisë para 17 viteve kam ndjekur ekipin tonë Kombëtar me trajner Agron Ismailati. Nuk u ndjeva mirë, sepse notarët shqiptarë nuk prezantuan ndonjë vlerë të dukshme. Tashmë ka ndryshuar, por ende ka shumë nevojë, duhen investime.
E keni dëshirën, apo mundësinë, që ende ju të jeni në aktivitet dhe të trajnoni një ekip noti?
Mirë do ishte, por mundësitë e mia nuk janë për të qënë në aktivitet. Pse jo, edhe mosha nuk është se të afron për t’u marrë. Kam dëshirë që vetëm të takohem me shoqërinë e sportit, sepse sporti më ka dhënë shumë shumë, më dha emrin e mirë.
Ka disa vite që funksionon SHKVN në Shqipëri, sa vlerë ka kjo për ju veteranët e Notit?
Me këtë Shoqatë, është bërë një punë fantastike, për zotin Agim Çiraku dhe Mjeshtrin e Madh Sulejma Mema. Kjo është shoqatë me shumë vlera pasi e sjell më afër historinë, dhe në të gjithë Shqipërinë takohemi me nostalgjinë e viteve të karrierës.
Në këto vite dhe në këtë moshë, me se merreni sot ju Mjeshtri i ujit, Tonin Radovani?
Sot unë jetoj dhe punoj në Itali, deri në muajin maj që dal në pension. Nuk kam menduar që pensionin ta kaloj në aktivitet sportive, edhe pse Noti më ka dhënë bukurinë e jetës që e kam shijuar dhe e shijoj ende e sot.
Në Shkodër, e gjithë qytetaria ka patur respekt për sportistët, ku noti ishte një sport i preferuar. Unë i kam sjellë Vllaznisë një titull kampion pas 11 viteve, kur kam mundur Tomor Danon e Flamurtarit, atëhere kampion e rekordmen

Evolimi në notin shqiptar, sot ka ndryshime të dukshme
Gjatë periudhës rreth 30 vjeçare të emigrimit në Itali, Tonin Radovani sjell edhe një episod, ku tregon si e ka përjetuar. Njëherësh, shpreh edhe konsiderata për ndryshime. “Në Katania të Italisë para 17 viteve, unë kam ndjekur ekipin tonë Kombëtar me trajner Agron Ismailatin. Nuk u ndjeva mirë, sepse notarët shqiptarë nuk prezantuan ndonjë vlerë të dukshme, dhe mua më la një ndjesi jo të mirë. Por kur kam ardhur më vonë në Shqipëri, kam parë se situata ka ndryshuar, edhe pse ka ende shumë nevojë. Mendoj se duhen më shumë investime në infrastrukturë për notin”.
Ilir Ymeri
Tonini përfaqësoi notarët më të mirë të periudhës

Një nga notarët shkodranë që është pjesë e historisë së notit shqiptar si kampion e rekordmen, është edhe Ilir Ymeri. Në fillimet e karrierës së tij ai ka “mposhtur” shkodranin Tonin Radovani, për të cilin ka vlerësimet më të larta. “Kemi garuar rreth pesë vite bashkë mee Tonin Radovanin, i cili ka qënë një ndër notarët më të mirë të periudhës. Ai ka garuar me konkurentë shumë të fortë, si Tomor Dano i Flamurtarit e Shpëtim Muço i Butrintit, të cilët më pas edhe i ka mposhtur në gara. Tonini ka qënë i pari notar që ka bërë kthesën me dy këmbë si delfini, të cilën ia “vodha” unë më vonë. Por Vllaznia krenohet që në atë periudhë kishte Toninin, i cili ka qënë sportist i mirë, por edhe një njeri shumë i mirë. Sepse në shpirtin e tij janë respekti, mirënjohja e vlerësimi për të gjithë. Kujtoj se, kur unë e kalova Toninin në garë, ai më inkurajoi për një karrierë kampioni, dhe ashtu ndodhi”, kështu e vlerëson Mjeshtri Ilir Ymeri, ish-kolegun e tij notar Tonin Radovani.

2 STILE GARIMI
Në karrierën e tij si notar i elitës, Tonin Radovani e nisi rrugëtimin sportiv në stilin Bretkocë. Por suksesin e arriti dhe e vazhdoi në stilin Shpinë.

REKORDET
Gjatë karrierës së tij mbi 12 vjeçare si notar i Vllaznisë, Partizanit dhe i Kombëtares, Tonin Radovani ka thyer rreth 10 rekorde kombëtare.
VLERËSIME NGA KOLEGË E TRAJNERË
PETRIT GUMA, MJESHTËR I MADH
Nga pishina në jetë, Tonini ishte dhe mbetet njeri i veçantë

Në historinë e notit shqiptar ka shumë Mjeshtra ,që në karrierën e tyre e kanë shkruar këtë histori me tituj e rekorde kombëtare. Dhe në këtë histori, mund të quhesh i mangët nëse nuk do ti referohesh karrierës së Mjeshtrit të Madh, Petrit Guma, këtë herë, konsideratave për kolegun e tij Tonin Radovani. Guma e vlerëson si një notar të elitës, por edhe një mik të tillë. “Sa herë që më jepet mundësia të flas për karrierën e Tonin Radovanit si një notar i elitës, nuk mund të mos i bashkoj vlerësimet nga pishina në jetë. Sepse kur e kam njohur Tonin, ju them sinqerisht se më mbetën sytë aty tek garimi i tij, tek stili e rrjedhshmëria mbi ujë. Kësisoj, unë e them me bindje se ai ka qënë një notar i veçantë. Sikundër qytetet e tjera të Shqipërisë, që në sportin e notit kishin kishin specisikat e tyre në stilet e notimit, Shkodra kishte shpinën me Tonin Radovanin, i cili kishte një perfeksion gjatë garimit. Unë do ti bashkoja sportistin me mikun, dhe Toninin nuk mund ta ndaj në të dyja. Nga pishina në jetë, ai është njeri i veçantë dhe një njeri shumë mikpritës”.
SADIK MEMA, MJESHTËR I MADH
Sot na mungon një notar me përmasat e Tonin Radovanit
Mjeshtri i Madh Sadik Mema, tashmë e ka marrë statusin e historianit të notit shqiptar, sepse në kujtesën e tij vijnë si të “gjallë” emra të mëdhenj, të cilët përditshmria e këtij sporti ndër vite sikur edhe i kishte lënë në harresë. Dhe për Tonin Radovanin, Pupi shprehet me konsiderata të larta, si notar dhe si një njeri me kulturë qytetare. “Unë ruaj kujtime shumë të mira për Tonin Radovanin si një notar shtatlartë, elegant dhe muskuloz. Ai ka notuar në nivele shumë të larta në vkarrierën e tij, dhe në këtë periudhë ka thyer e përmirësuar disa herë rekordet kombëtare, sidomos në pishinën 25 m në stilin Shpinë. Tonini ka qënë edhe antar i rekordeve të stafetave me ekipin e Vllaznisë, por ka qënë edhe një antar i ekipit kombëtar të notit në atë periudhë. Si i tillë, unë e respektoj shumë punën e Toninit për nivelete larta që arriti në garimin e tij, ndërkohë sot edhe si një djalë serioz. Sot na mungon një notar i tillë me përmasat e Tonin Radovanit, ai mbetet një ndër notarët më të shquar të Vllaznisë dhe të notit shqiptar”.

Sa herë që na jepet mundësia të flasim për karrierën e Tonin Radovanit si një notar i elitës, nuk mund të mos i bashkojmë vlerësimet nga pishina në jetë
CV Sportive
Tonin Radovani

Datëlindja: 10 maj 1961
Vendlindja: Shkodër
Vendbanimi: Në Padova, Itali
Arsimi: Të Mesmen të Përgjithshme
Profesioni: Në Fabrikën e Këpucëve dhe Kombinati i Drurit, Shkodër
Sporti që ka ushtruar: Notin
Rrugëtimi i karrierës në elitë: Në vitin 1975 me Paratërinjtë e Vllaznisë; 1976-1987 me të Rriturit e Vllaznisë; në vitet1980-1982 me Partizanin; në periudhën 1982-1987 me Vllazninë
Skuadra e parë elitare në karrierë: Në vitin 1976, me Vllazninë stili Bretkocë
Stili i preferuar në gara: Stil Shpinë
Skuadrat të tjera në karrierë: Me Partizanin në periudhën 1980-1982
Gara e parë kombëtare në karrierë: Në vitin në Sarandë, stili Bretkocë
Rekordi i parë kombëtar: Në vitin 1977 në 100 m stili Shpinë në Durrës
Gara e fundit kombëtare në karrierë: Në vitin 1987 në Durrës, kur më ka mposhtur Ilir Ymeri
Rekordi i fundit kombëtar: Në vitin 1985 në Shkodër në 50 m, 100 m, 200 m në Stilin Shpinë
Fitues në gara: Stilin Bretkocë me Paratërinjtë, në Stilin Shpinë me të Rinj dhe të Rritur
Me Kombëtaren: Në periudhën 1985-1986
Tituj e trofe si notar: Në Kampionate dhe në Kupa, Kampion dhe Rekordmen
Vlerësime, tituj e dekorime: Nderi i Notit Shqiptar, Mjeshtër Sporti, Nderi i Notit shkodran nga Bashkia
Aktualisht: Jeton dhe punon në Itali
Kampionët në një foto, historia flet me praninë e tyre

Edhe nga një foto mund të mësosh dhe të tregosh shumë. Sepse edhe ajo flet me gjuhën e saj, me bukurinë e saj dhe të atyre personazheve që jetësohen në katërkëndorin e saj. Dhe aty është Tonin Radovani, me thjeshtësinë e madhështinë e tij, i cili gjatë bisedës u shpreh se shoqëria e sportit tashmë është kthyer në një miqësi, e cila veç takimeve, e bashkon historinë e notit shkodran. Sepse Vllaznia e notit kishte shumë kampionë dhe rekordmenë, kishte trajnerë dhe figura të tjera, që këtij sporti të bukur ujor i dhanë emrin e mirë. Dhe mes tyre është protagonisti i këtij Profili, kampioni dhe rekordmeni Tonin Radovani (I pari djathtas), i cili këtu na vërteton ato çka na tregoi në bashkëbisedimin tonë. Ndaj kur kampionët bashkohen në një foto, edhe historia flet me praninë e tyre.






















