100 -vjet Transporti Ajror Shqiptar(1925-2025)
Një shekull më parë Vlora ashtu si tani, po për arsye krejt të tjera, ishte në qendër të shtypit shqiptar. Nga ky qytet u realizua fluturimi i parë në linjat e brendshme ajrore të Shqipërisë. Kjo ndodhi në datën 25 mars të vitit 1925, 11 ditë pas nënshkrimit të kontratës Konçensionare. Linja e fluturimit Vlorë – Tiranë ishte ngjarja më e madhe për kohën.

Një lajm i vitit 1923 më nxiti të hedh sytë nga Vlora jonë e bekuar, për t’ju treguar atyre që nuk e dinë, se përveç Shpalljes së Pavarësisë, nga ky qytet i lavdishëm nisi edhe historia e Transportit Ajror të Udhëtarëve në Shqipëri. Në vitin që sapo lamë pas, ky lloj transporti mbushi një shekull. Po ç’farë mësova nga lajmi që mban datën 14 dhjetor 1923? Tre vjet pas Luftës së Madhe të Vlorës, Qeveria Shqiptare kishte në inventarin e Ministrisë së saj të Luftës disa aeroplanë, të cilët po testoheshin:
Aeroplanët e prurë prej Ministrisë së Luftës janë tue fluturue shumë mirë. Njeni nga ata në 10 dhjetor shkoi në Durrës me nji fluturim prej 7 minutash. Së afërmi do të shkojë në Shkodër.
Ishin të paktë ata funksionarë shtetërorë që e dinin ndoshta, se këto fluturime testuese,
ishin në një farë mënyre skicimi i linjave të para të transportit ajror të udhëtarëve, që do të niste në një të arthme të afërt në Shqipëri. Për të qeshur dhe për të qarë kur mendon se një shekull më vonë, ne nuk kemi linja të brendëshme të transportit ajror të udhëtarëve.

Loja fluturoi-fluturoi
Diskutimet mbi aeroportin e Vlorës së fundmi më kujtuan pa dashur lojën “Fluturoi- fluturoi” që luanim në fëmini. Ishte një nga lojrat më të përhapura në ato kohë, e cila vinte në provë vëmendjen dhe shkathtësinë. Nuk kishte kufizim të numrit të lojtarëve, por përgjithësisht ajo luhej me pesë apo gjashtë vetë. Të gjithë fëmijët vinin në tokë gishtin tregues dhe drejtuesi lojës thërriste; fluturoi, fluturoi … psh, avioni, apo gomari, etj. Ngritja e dorës me gishtin tregues lart ishte shenja e aprovimit, ndërkohë që mbajtja e saj ulur,tregonte të kundërtën. Pra ishte një kombinim mes fluturakëve dhe atyre që s’kishin lidhje fare me fluturimin. Gabimi shoqërohej me daljen nga loja. Në fund kur mbeteshin vetëm dy lojtarë, ata e drejtonin lojën me rradhë, derisa dikush prej tyre të gabonte. Kështu shpallej fituesi, i cili si shpërblim bëhej drejtues i lojës pasardhëse.
Xhepat e thilikosur
Në një ditë pranvere ne qeshëm të gjithë kur pamë shokun tonë Maksin, që kishte veshur një palë pantallona ndryshe. Në xhepat e përparmë të tyre ishin hapur thile dhe ishin vendosur kopsa. Me një fjalë sa herë që doje të fusje duart në xhep, duhej të zbërtheje më parë ato. Me arsyen e një ndryshimi të tillë, u njohëm gjatë lojës “Fluturoi, fluturoi” të asaj dite, kur Petrua tha fluturoi, fluturoi.., dhjeçja (10- lekëshi)… I vetmi që ngriti dorën ishte pikërisht Maksi. Ne qeshëm të gjithë, jo për ngatërresën e tij, po përkokëfortësinë me të cilin ai mbrojti faktin se lekët mund të fluturonin vërtetë. Këtë ja kishte thënë gjyshe Aspasia kur ai humbi lekët që ajo i kish dhë nëpër të blerë bukë. Ai nuk dinte të thoshte se ku i kishin humbur ato, ndërkohë që gjyshja ja preu; ti mor bir të fluturojnë lekët nga xhepi. Për të mos e përsëritur më gabimin ajo i hapi thile në të dy xhepat e përparmë të pantallonave dhe ju vendosi edhe nga një kopsë. Pas kësaj ajo e porositi; Thilikosi xhepat gjithmonë, mos të të fluturojnë lekët përsëri, more bir!
Itinerari i fluturimit të parë inagurues Vlorë-Tiranë, është vendosur përsëri në qendër të vëmendjes 100 vjet më vonë, por në sens të kundërt, Tiranë – Vlorë. Kjo sepse në Tiranë vendoset gjithçka kur flitet për investimet në Shqipëri.

Dykonçesione kornizë të një shekulli
Historia e konçesioneve nuk është ndonjë gjë e re për shoqërinë Shqiptare. Thonë që koncesioni i parë lidhet me Qeverinë jetëshkurtër të Ismail Qemalit. Por unë nuk do të merrem me vajgurin, me të cilin thuhej se lidhej ky konçesion. Në këtë shkrim do të sjellim në vëmendje konçesionin aq të përfolur të Aeroportit të Vlorës, ku shpresojmë të ngrihen dhe ulen së shpejti aeroplanët që e shfrytëzojnë këtë lëndë djegëse.
Pak histori
Transporti ajror i Udhëtarëve në Shqipëri u konçesionua 100 vjet më parë, në 14 mars 1925. Përfaqësues i palës shqiptare ishte Ministri i Bujqësisë Kristaq Kotta, ndërsa përfaqësues i Shoqërisë koçensionare “Adria Aero Lloyd”, ishte Otto Habermehi, i cili banonte në Tiranë. U ndala në këtë kontratë pasi ka diçka që tërheq vëmendjen vetiu, krahasuar me atë të Aeroportit të Vlorës një shekull më vonë. Po sjell këtë detaj nga kontrata:
“Për të parin vit shoqëria detyrohet me e përshku me ose pa udhëtarë, të paktën dy herë në javë vijën Shkodër, Tiranë, Korçë e Vlorë.
Pra ishte detyrim. Nuk kishte subvencionim shtetëror, për faktin se kishte pasagjerë apo jo. Njëqind vjet më vonë Qeveria Shqiptare pranoi t’i japë firmës kontraktuese trajtim ekstra;
Qeveria Shqiptare i jep 130 milion euro garanci shtetërore në 10 vjet, konçensionit.
Thënë ndryshe, ka apo s’ka udhëtarë, konçesionari paguhet nga taksat e shqiptarëve. Duke ditur që kostua e ndërtimit tëAeroportit të Vlorës shkon në 105 milion euro, fare thjesht mund të bëjmë pyetjen; Kush e ndërton aeroportin, firmat konçesionare apo Qeveria me taksat e shqiptarëve? Komentet e tjera besoj se do të ishin të tepërta.

Firmat mbi kontrata
Kontrata koçensionare e vitit 1925 e formuluar në dy gjuhë, shqip dhe frëngjisht, mban firmat e Ministrit të Drejtësisë Petro Poga, Ministrit të Financave dhe njëkohësisht Zv. Ministër i Jashtëm Mufit Libohova, Ministrit të Punëve Botore e Bujqësisë dhe Zv. Ministër i Punëve të Brendëshme Kristaq Kotta.
Kontrata e 100 viteve më vonë u refuzua të firmosej nga dy ministra, Gjiknuri e Ahmetaj. Kohë më vonë ajo u firmos nga zv. kryeministrja Belinda Balluku.
Vlora -Inagurimi i transportit ajror
Një shekull më parë Vlora ashtu si tani, po për arsye krejt të tjera, ishte në qendër të shtypit shqiptar. Nga ky qytet u realizua fluturimi i parë në linjat e brendshme ajrore të Shqipërisë. Kjo ndodhi në datën 25 mars të vitit 1925, 11 ditë pas nënshkrimit të kontratës Konçensionare. Linja e fluturimit Vlorë – Tiranë ishte ngjarja më e madhe për kohën. Artikulli i botuar në shtypin e kohës mbante titullin: “Aeroplanët në Shqipëri”.
Aeroplanët në Shqipëri
Gazeta “Dielli” e Bostonit, dt. 18 prill 1925 në artikullin me titull “Aeroplanët në Shqipëri”, na ka dhënë një përshkrim të plotë të kësaj ngjarjeje:
Dje i gjithë populli i Tiranës bashkë me autoritetet e vendit pritën me pa durim mbritjen e aeroplanëve të kompanisë kontraktuese “Adrio Aero Luyd”. Midis popullit ndodheshin gjithë zyrtarët e ministrive të ndryshme dhe Charge d’Affaire i Gjermanisë, i cili kishte përgatitur edhe dy buqeta me lule, për tja dorëzuar aeroplanistit që do të arinte më parë.
Nga Vlora u nisën dy aeroplanë me numrat 124 dhe 151. Ata mbritën, u pritën në Tiranë rreth orës 17.00 nga një numur i madh banorësh, të cilët e duartrokitën fort këtë risi të transportit të udhëtarëve në Shqipëri. Në një lloj aspekti kjo ishte edhe “gara e parë ajrore” organizuar në qiellin shqiptar, përderisa nga populli dhe personalitetet pritej me kërshëri se kush nga aerolanët do të mbrinte i pari.
Ky investim mori famë edhe për shkak se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës sipas projektit, do të jetë edhe më i madhi në Ballkan. Ashtu si një shekull më parë edhe tani u fol për komoditetin, kapacitetin dhe risitë e këtij investimi në fushën e Transportit Ajror të Udhëtarëve në Shqipëri. Por të gjitha këto u harruan pas përfoljes dhe debateve që kanë lindur, jo vetëm për kontrollin e aksioneve të këtij investimi, por edhe për një aferë të mundëshme korruptive. Pra me një fjalë, përpara fluturimit të pasagjerëve, kanë fluturuar lekë dhe influenca.
Mbritja
Aeroplanët mbritën në Tiranë me një diferencë prej 7 minutash nga njeri-tjetri. I pari mbriti aeroplani me Nr. 151, i cili itinerarin Vlorë – Tiranë e përshkoi për 38 minuta, ndërkohë që aeroplani me Nr. 124 e bëri atë për 45 minuta. Ishte planifikuar që në një kohë të shkurtër të fillonte funksionimi i plotë i transportit ajror të udhëtarëve në Shqipëri, ku Tiranës dhe Vlorës do t’i shtoheshin edhe qytetet e Korçës dhe Shkodrës. Dy aeroplanët e inagurimit të linjës së transportit ajror shqiptar, do të mbulonin pra edhe itinerarët Tiranë -Korçë. dhe Tiranë – Shkodër. Teksa lexoja këto rradhë të një lajmi të para 100 viteve, po ndjeja një keqardhje të pashoqe. Si pa dashur po më vërtetohej para syve fakti se, indiferenca shtetërore ndaj Gjirokastrës në këtë drejtim, i ka rrënjët shekullore. Gjirokastra jonë e bukur, nuk ishte përfillur fare në transportin e ri të udhëtarëve që po lindte në Shqipëri.
Kapaciteti i aeroplanëve
Aeroplanët e parë të linjës së brendëshme ajrore në Shqipëri kishin një kapacitet të kufizuar, që shkonte deri në 330 kg. Ç’do aeroplan kishte si personel 3 vetë, dy pilotë dhe një makinist. Pra veç personelit, ç’do aeroplan mund të transportonte 3 ose 4 pasagjerë. Ata ishin të mobiluar dhe të paisur me të gjitha mjetet për të përballur rreziqet e mundshme.
Fluturimi i avionëve dhe votave
Në dukje të parë nuk ka ndonjë lidhje midis fluturimit në qiell dhe votave në një kuti votimi, por në fakt nuk është kështu. Në një nga fushatat elektorale kur i ndjeri Fatos Nano vendosi kandidaturën në Sarandë, ju premtoi banorëve se investimi më i rëndësishëm që do të realizohej në atë qytet në një të arthme të afërt, do të ishte ndërtimi i aeroportit. Por brenda një kohe të shkurtër bashkë me votat që fluturuan lumë e u futën në kutinë e votimit për të, fluturoi edhe premtimi i tij për aeroportin e këtij qyteti. Miku im Vladimir Qirjaqi kishte besim se në qytetin bregdetar të Sarandës do të merrte jetë transporti detar i udhëtarëve, ashtu si funksiononte dikur. Mundësia e transportit ajror sipas tij, i takonte Gjirokastrës dhe do të ishte një mundësi më shumë për zhvillimin ekonomilk të saj. Por politika shpesh nuk ka këtë “njësi matëse”.
Testimi i Aeroportit të Vlorës
Planet për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës zënë fill në vitin 2019, kur kryeministri i vendit, Edi Rama ishte deputet i Qarkut të Vlorës, ndërkohë që ndërtimi i tij nisi në vitin 2021. Aeroporti zë një sipërfaqe prej 309 hektarësh dhe ka një pistë me përmasa; 3.2 km gjatësi dhe 60 metra gjerësi. Kostua e ndërtimit të tij shkon në 140 milion euro. Testi i parë për çertifikimin e aeroportit u bënë dt. 8 maj 2025, kur në pistë u ul avioni privat i njerit prej aksionerëve të ndërtimit, Bexhet Pacolli, i cili me këtë rast u shpreh:
Le të jetë ky aeroport si një trashëgimi. Ky aeroport më ka tërhequr vëmendjen. Kam marrë kritika për shtyrjen e afateve, por ky aeroport do të jetë shumë funksional. Një aeroport për të cilin kryeministri ynë do të jetë krenar.
Ai është vendosur në lartësinë 2.5 metra mbi nivelin e detit, për të shmangur rreziqet nga përmbytjet e mundshme.
Zhgënjimi
Vite më parë, kur filloi të flitej për mundësinë reale të ringritjes së linjave të transportit ajror të udhëtarëve në Shqipëri, miku im, arkeologu i parë i Gjirokastrës, Vladimir Qirjaqi më thoshte me bindje se pas Tiranës, mundësia për ngritjen e një aeroporti ndërkombëtar i takon vetëm Gjirokastrës. Standartet ndërkombëtare respektojnë një distancë – normë, të largësisë që duhet të kenë dy arodromë ndërkombëtarë nga njeri-tjetri. Këtë standart pas Sarandës,sipas tij, e plotësonte vetëm Gjirokastra. Në vitet që kaluan dita ditës u bëmë e qartë për atë dhe për këdo, kushti i “ruajtjes” së standartit të largësisë. Të gabojnë edhe ndërkombëtarët? Çudi!
Aeroporti i Gjirokastrës
Lajmi i paradokohshëm mbi mundësinë e hapjes së garës për ndërtimin e Aeroportit të Gjirokastrës, ishte për mua nga më surprizuesit. Pas investimeve në Qendrën Historike të qytetit,më në fund po merrej në konsideratë edhe një mundësi zhvillimi ekonomik për qytetin e Uneskos. Miku im arkeolog po të ishte në jetë, do të gëzohej jashtë mase që më në fund Gjirokastra ja mbriti kësaj dite. Përpjekjet e tij dhe të një grupi intelektualësh, adresuar Qeverisë Shqiptare përmes edhe përpjekjeve të pushtetit vendor, më në fund po shkojnë drejt një faze tjetër. Miku im fatkeqësisht u nda nga jeta pikërisht gjatë një takimi ku foli mbi domozdoshmërinë e ngritjes së Aeroportit të Gjirokastrës. Ai më mirë se kushdo e dinte se kjo ishte në fakt një përpjekje e re, e një ëndërre të vjetër të gjirokastritëve për fluturimin.
Ëndërr 1922
Në ditën e njohur ndryshe si “dita e nuseve”, të enjten e datës 15 maj të vitit 1922, zv. Prefekti i Gjirokastrës zhvilloi një takim me parinë e qytetit. Ai i informoi shkurtimisht të pranishmit mbi ndihmën që duhet të jepte rrethi i Gjinokastrës për të blerë aeroplanin që i binte në pjesë, me fillimin e linjave ajrore në Shqipëri. Në këtë mbledhje madje u vendos edhe formimi i një komisioni që do të merrej me mbledhjen e ndihmës financiare në qytet dhe në fshatrat përreth tij. Vetëm Gjirokastra si qytet duhet të paguante një shumë prej 3.000 fr.
Vlora pas 100 vjetëve
Itinerari i fluturimit të parë inagurues Vlorë-Tiranë, është vendosur përsëri në qendër të vëmendjes 100 vjet më vonë, por në sens të kundërt, Tiranë – Vlorë. Kjo sepse në Tiranë vendoset gjithçka kur flitet për investimet në Shqipëri. Ky investim mori famë edhe për shkak se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës sipas projektit, do të jetë edhe më i madhi në Ballkan. Ashtu si një shekull më parë edhe tani u fol për komoditetin, kapacitetin dhe risitë e këtij investimi në fushën e Transportit Ajror të Udhëtarëve në Shqipëri. Por të gjitha këto u harruan pas përfoljes dhe debateve që kanë lindur, jo vetëm për kontrollin e aksioneve të këtij investimi, por edhe për një aferë të mundëshme korruptive. Pra me një fjalë, përpara fluturimit të pasagjerëve, kanë fluturuar lekë dhe influenca.
Varianti i ri i lojës së fëminisë
Pas këtij shkrimi gjithkush e kupton se si ka ndryshuar koncepti i lojës “fluturoi, fluturoi” krahasur me kohën time të fëminisë. Ndryshe nga dikur, sot mund të fluturojë gjithçka. Madje edhe ajo më e paimagjinueshmja. I kthehem padashur kujtimit me Maksin që thilikoste xhepat kur fuste lekët në to. Në vitet, që pasuan ai u bë një ekonomist i shkëlqyer, dhe ndoshta në zgjedhjen e profesionit të tij, me siguri ka ndikuar edhe mënyra e ruajtjes së lekëve, pra zakoni i thilikosjes së xhepave. Kjo më shtyn të besoj se këshillën e dikurshme të gjyshes së tij të mirë, ai mund ta kishte ndjekur edhe për “xhepat” e mëdha të shtetit, nga ku fatkeqësisht konstatohet se paratë fluturojnë gjithmonë e më shpesh. Madje kjo është kthyer në modë, apo traditë. Po meqë jemi tek Aeroporti i Vlorës le të nëvizojmë faktin se; lekët vërtetë mund të “fluturojnë” ashtu si avionët, por jo gjithmonë e kanë të njohur destinacionin ku do të mbrijnë, të njohur si ata. Sot po qesh me veten, pse dikur kemi qeshur me Maksin që thilikoste xhepat. Ai pa dashur, “fluturimin e lekëve”, na i tregoi përmes lojës aq të njohur, “Fluturoi…fluturoi”.



















