Frank SHKRELI*/ Kongresi i Kinës dhe të drejtat e njeriut

621
Sigal

Në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin filloi Kongresi Popullor i Kinës, ku gjatë dy javëve të ardhshme udhëheqësit më të lartë të kinezë do të emërojnë zyrtarisht presidentin e vendit dhe do të diskutojnë mbi prioritetet kombëtare për vitet në vazhdim.  Disa muaj pasi mori detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste kineze, zoti Xi Jinping do të zëvendësojë presidentin e tanishëm zotin Hu Jintao. Ndërsa për udhëheqësit komunistë kinezë, Kongresi është një rast për t’u mburrur me arritjet e deritanishme dhe për të shpalosur planet për të ardhmen e vendit, qytetarët kinezë kanë filluar të marrin guximin të bëjnë thirrje për reforma dhe të venë në dukje pakënaqësitë e tyre me klasën politike të vendit.  Njëkohësisht, edhe disa akademikë të njohur kinezë kanë bërë thirrje për ndryshime demokratike në Kinë. Media ndërkombëtare njofton nga kryeqyteti kinez se, Kongresit ku po marrin pjesë nja 3000 delegatë nga i gjithë vendi—e që në të vërtetë është një mbledhje legjislative e kontrolluar nga Partia Komuniste – po i bëhet thirrje që të bëjë ndryshime rrënjësore në jetën e përditshme të kinezëve.

 Individë dhe grupe të ndryshme po bëjnë thirrje për ndryshimin e politikës së Kinës në lidhje me të drejtat e njeriut, për eliminimin e kampeve të punës; bëjnë thirrje për drejtësi për demonstruesit e vrarë të lëvizjes pro-demokratike studentore, ku mbetën të vdekur me mijëra studentë e punëtorë në Qershor të viti 1989, si dhe për zbardhjen e fakteve. Megjithë, thirrjet e tanishme, por edhe gjatë dy dekadave të kaluara, autoritetet kineze nuk kanë aprovuar kurrë bërjen e hetimeve të pavarura për tragjedinë e vitit 1989.  Grupe të ndryshme  kineze kërkojnë gjithashtu, ajër dhe ujë të pastër, si dhe rroga më të larta.

Historikisht, thirrjet për ndryshime në Kinë, megjithëse nuk përfillen dhe ata që i bëjnë mund të ndëshkohen rëndë, ato nuk janë të reja.  Disa vjet më parë, një grup i udhëhequr nga akademikë, avokatë dhe shkrimtarë,  botuan një letër të hapur që u nënshkrua nga më shumë se 14-mijë veta, me të cilën i bënë thirrje autoriteteve kineze që të merrnin masa konkrete për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përmendur konkretisht Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, të cilën Kina e ka nënshkruar në vitin 1998, por nuk e ka ratifikuar dhe e cila, ndër të tjera, obligon respektimin e lirisë së fesë, lirisë së fjalës dhe të drejtën e vetëvendosjes.  Në vigjiljen e hapjes së Kongresit të Kinës, një grup tjetër aktivistësh të të drejtave të njeriut iu drejta rishtas qeverisë kineze me thirrjen që të ratifikojë Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike. Në këtë letër drejtuar Kongresit, thuhet se, ”Druhemi se për arsye të mungesës së respektit për të drejtat e njeriut dhe për mungesën e plotë të respektimit dhe të sigurimit të drejtave dhe dinjitetit të njerëzor, në rast të një krize të përgjithshme kombëtare, e gjithë shoqëria do të përfundojë në një urrejtje dhe brutalitet.”

Aktivistët kinezë të të drejtave të njeriut, por edhe vërejtësit ndërkombëtarë, thonë se nuk presin që autoritetet kineze të konsiderojnë seriozisht thirrjet e grupeve të të drejtave të njeriut për respektimin e të drejtave civile dhe politike në vend. Një prej nënshkruesve të këtij peticioni, shkrimtarja Dai Qing, i tha gazetës amerikane USA Today se peticioni i tyre nuk ka as mundësinë më të vogël të merret parasysh, pasi nuk është Kongresi, por është Partia Komuniste ajo që vendosë mbi këto çështje. Por ajo shtoi se,  ”Gjëja më e vogël që ne mund të bëjmë në këtë mes si intelektualë, është të ngremë zërin sado pak mbi çështjet më të rëndësishme, siç janë të drejtat e njeriut dhe të drejtat politike të qytetarëve. Ne duhet që me çdo kusht  të përpiqemi që Kina të jetë e hapur karshi botës, jo vetëm nga pikëpamja ekonomike dhe financiare, por të jetë e hapur gjithashtu, edhe ndaj vlerave dhe standardeve universale”,  të drejtave të njeriut.

Edhe organizata e të drejtave të njeriut Human Rights Watch, në një letër dërguar udhëheqësve të Partisë Komuniste kineze në vigjiljen e Kongresit,  i bën thirrje  qeverisë kineze të përdorë këtë mbledhje vjetore për të miratuar ligje për forcimin edhe sigurimin e të drejtave të njeriut, duke mbyllur kampet e punës dhe duke ratifikuar Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike.  Kjo organizatë me qendër në New York ritheksoi ato që tha në raportin e saj vjetor se: “Megjithë rritjen ekonomike, urbanizimin dhe  faktin se ajo është tani një fuqi globale- vitet e fundit- Kina nuk ka shënuar aspak përparim në fushën e të drejtave të njeriut”.   Mbyllja e kampeve të punës dhe ratifikimi  Konventës  Ndërkombëtare  nga autoritetet e Pekinit, do të dërgonin mesazhe të rëndësishme se Kina është serioze,  “për  ndërmarrjen e reformave ligjore dhe për respektimin e të drejtave bazë të njeriut”.

Por shenjat nuk janë të mira se autoritetet kineze kanë në mend do të bëjnë ndonjë ndryshim në lidhje  respektimin e këtyre  të drejtave për qytetarët kinezë,  përfshirë edhe atë të një prej të drejtave universale,  e që është  rrjedha e lirë  dhe e papenguar  e  informacionit anë e mbanë botës.  Disa ditë më parë,  para se të fillonte punimet  Kongresi në Pekin,  transmetuesit ndërkombëtarë të lajmeve,  Zëri i Amerikës (VOA) dhe BBC njoftuan se programeve të tyre edhe në gjuhën angleze me valë të shkurtra  po u bëhet tani zhurmë brenda territorit të Kinës. Kina, sipas njoftimit të “Zërit të Amerikës”, u bën zhurmë rregullisht  programeve të VOA-s  në gjuhët vendase. Sipas një njoftimi për median, Drejtori i “Zërit të Amerikës”, zoti David Ensor,  tha se:  “Rrjedha e lirë e informacionit është një e drejtë universale dhe “Zëri i Amerikës” do të vazhdojë të ofrojë  informata të sakta dhe të balancuara në platformat që mund të arrijnë në zonat që i nënshtrohen  censurës.

Ndërkohë që, reputacioni i Partisë Komuniste është dëmtuar rëndë dhe ndërsa idetë e revolucionit tani duket se janë braktisur, një ekspert i çështjeve kineze në Universitetin Kombëtar të Singaporit, Zheng Yongian i tha gazetës the New York Times se, pasi në Kinës ekziston një mosbesim i thellë, midis popullit dhe qeverisë,  qeveria nuk është entuziaste për të ndërmarrë reforma , duke shtuar se ata bëjnë ndryshime brenda qeverisë, pa i dhënë shoqërisë asnjë kompetencë dhe si rrjedhim njerëzit ndjehen të zhgënjyer nga premtimet për reforma.

Drejtori kinez i filmave Ai Xiaoming i tha “Zërit të Amerikës” se njerëzit presin ndryshime në jetën shoqërore kurdoherë që ndodhin ndryshime në udhëheqje, por  shtoi se: “Kinezët nuk kanë besim që ndryshimet të vinë nga udhëheqësit e tyre politikë, të cilët jetojnë jashtë problemeve me të cilat përballet vendi”.  “Këta udhëheqës,- tha ai,- pinë ujë që përgatitet posaçërisht për ta. Familjet e tyre as nuk jetojnë më në Kinë dhe kur takohen këta udhëheqës ata i lënë të gjitha problemet dhe kritikat tek dera”.

 Tani, lexuesi mund të thotë, po ç’na duhen punët e Kinës ne, kemi hallet tona. Deri diku e vërtetë kjo, por  kur të merret parasysh se Kina është vendi  i dytë me ekonominë më të madhe në botë pas Shteteve të Bashkuara dhe është vendi numër një me popullsinë më të madhe në botë dhe me një ushtri, e cila i ka rrënjët në Partinë Komuniste të cilës i është betuar dhe një vend, i cili bën kërcënime territoriale ndaj fqinjëve të saj, ndërkohë që, buxheti ushtarak i saj vazhdon të arrijë nivele të pa para më herët – bota më mirë t’i kushtojë kujdes më të madh gjërave që po ndodhin në politikën e brendshme dhe të jashtme të Kinës, para se të jetë vonë.

*ISH- DREJTOR I VOA-s