Çertifikatomania e zyrtarëve të shtetit

579
Sigal

Megjithëse karta e identitetit e ka zëvendësuar, de facto dhe de jure, certifikatën duket se para dyerve të bashkive do të shohim edhe për shumë kohë grupe njerëzish. Ata presin të marrin një certifikatë. Ky fenomen që ndodh prej kohësh, kur institucionet janë të detyruara të njohin kartën e identitetit, ashtu siç e njohin pikat doganore të Maqedonisë e Malit të Zi. Në kushtet kur certifikata kërkohet gjithandej, domosdoshmërish duhet të paraqitesh në dyert e Gjendjes Civile të bashkive dhe komunave. Por sikur të mos mjaftonte kjo, ky dokument “skadon” shpejt, pasi sapo kalojnë 3 muaj, ai bëhet i pavlefshëm. Patjetër duhet të shkosh tek Zyra e Gjendjes Civile, ku mbi të gjitha oraret e gjata të pritjes të acarojnë. Në qoftë se rastis të shkosh në një njësi vendore, do të përballesh menjëherë me qytetarë që me të drejtë janë të tensionuar, dhe kanë të drejtë. Kjo pasi vetëm ideja, që aty do të gjesh radhë të gjata, të streson. Këtë mendim kanë qytetarët e moshave të ndryshme deri tek  pensionistët. Tek i pyet ata të shprehen se “certifikata më duhet për djalin sepse po kërkon punë dhe kudo që ka prezantuar CV-në i është kërkuar edhe certifikatë me fotografi”. Çfarë paradoksi? Një tjetër grua e moshuar thotë se “më duhet certifikata për të marrë lekët e kompensimit sepse që pas vdekjes së burrit jetoj vetëm, por më thonë se më parë duhet të paguaj taksën e gjelbërim-pastrimit, e cila nuk është pak, por 50 mijë lekë të vjetra”. Në rajonin nr. 1 të Durrësit shpërndahen rreth 300 certifikata në ditë, ndërkohë që janë të regjistruar afro 45 mijë banorë. Por edhe në ditë të zakonshme, kur ka flukse me njerëz orari punës shkon deri në ora 17.00. Vështirësia qëndron në faktin se më shumë këto dokumente kërkohen në ambasada. Por edhe në zyrat e përkrahjeve sociale, në zyrat e pensioneve dhe nëpër shkolla, por  për nga numri i madh i certifikatave që tërheqin, rekordin e thyejnë refugjatët. Këta të fundi duhet të kenë certifikatë për pasaportë kur shkojnë në ambasadë, por edhe kur iu duhet të fusin dokumentet për të nxjerrë leje qëndrimi. Po pse çdo tre muaj një certifikatë? Një punonjëse e Gjendjes Civile në Durrës shprehet se, “është vendosur kështu, për arsye se qytetari mund të ndryshojë vendqëndrim, derisa kudo të kërkohen certifikata, do të ketë gjithmonë shumë punë dhe fluks njerëzish që presin është e rëndësishme, që qytetarët të mund të pajisen me kartat më moderne të identitetit”. Ky është një detyrim për identifikimin e tyre, që përbën një kërkesë të rëndësishme, në mënyrë që të arkivohet përfundimisht diskutimi mbi vërtetësinë e dokumenteve të lëshuara nga gjendja civile dhe të bëjë të mundur që qytetarët shqiptarë të çlirohen nga çertifikatomania. Pas VKM, për fotokopjimin e tyre nga zyrat e shtetit, është kufizuar në mënyrë të ndjeshme lëshimi i tyre, por sërish mbetet problem që rëndon edhe burokracinë shtetërore, edhe arkën e xhepin e qytetarëve, pavarësisht se çmimi i tyre është shumë i lirë. Aktualisht është ecur për përzgjedhjen e karakteristikave teknike, por duhet zgjidhur mënyra për të lehtësuar kohën e qytetarit. Ndonëse nga pikëpamja ekonomike është me interes shumë të madh për qytetarët, marrja e kartës së identitetit duhet t’i shpëtojë ata nga sfilitja dhe radhët e gjata për marrjen e një certifikate.