Të bardhë më vijnë nëntorët ndër vite,
Rreshtuar në moshë pëllumbërisht,
Në rrugë, në sheshe, flamuj, brohoritje,
Dhe njerëz të bindur që rrinë shenjtërisht.
Rreshtuar në moshë, fjalime, kujtime,
Ku ishe, nga erdhe, ç’u bëre një jetë!
Me ëndërra të gjata e rrugët në ikje,
Plotmbushur me heshtjet që zverdhin si fletë.
Të humbur në hartë rënkojnë kalendarët,
Fletëgrisur, përzierë, pa radhë, çorodi.
të humburit s’ heshtin, flenë gjumë fitimtarët.
Rrahur bulevardet me shoqata, parti…
Të bardhë më vrapokan nëntorët nga vitet,
Me moshën tulatur krejt pëllumbërisht.
I mardhur nga shirat e shkundur nga mitet.
Përplas dy pëllëmbë dhe hesht paqshmërisht.
METAMORFOZË.
S’më vërsulen më qente Bulevardit të Gështenjave,
U mblodhën në geto nga njerëz të qeverisë.
Kaq shumë qen nuk kam parë as në pikun e ëndërrave
Grindje kaq s’më ka dhënë humbja e dashurisë.
Bulevardi i fjetur në mëngjes dhe në darkë:
Për çudi nuk po tundet, grindavec si atëherë.
Kolonitë prej qensh zënë vozisin si varkë.
Ka në fund shumë ushtarë… më në majë, oficerë…
Dhe në krye, në krye, me tri këmbë shfaq shpërfilljen,
Një bardhosh që çalon, fat i keq udhëheq!
Ja gjymtuan një këmbë, te dënuan mosbindjen,
Ah, njëherë, kur dhe dreqi nuk e njohu veten dreq!
S’më gërmushen më qentë, ah, dikur hiqja keq!
(Parlamenti ish mbushur plot me zëra të rinj!)
Te kjo rrugë gështenjash përshëndes burra pleq,
Nis kërkoj tej në hyrje, se mos shoh dhe fëmij.
Dhe pyes veten: ç ’ndryshoi që s’më leh më askush?
Ku u humbën gjithë qentë me ca dhëmbë gjithëprerës?
Zbret një re, më qafon dhe më thotë: Or babush!
Nëpër rrugë ka shumë qen.Në qytet nuk ka njerëz!
Në pasqyrë shikoj veten se mos kam transformim,
U mësoka njeriu të jetë tjetërdikush!
U përshtatka kaq lehtë si për dreq gjeni im,
Veten pyes ç’farë ndryshoi, që s’më leh më askush?!






















