(Rreth librit “Pa titull”)
Në një librin tim kushtuar veprës shumëdimensionale të poetit, prozatorit, eseistit, publicistit, dramaturgut dhe kritikut letrar Shpendi Topollaj, e kam quajtur atë: “Një shkrimtar i çuditshëm”. E kam quajtur të tillë, jo vetëm se profesioni i tij ka qenë oficer e më pas, jurist, jo vetëm për nivelin e lartë të veprave të tij, as se për të dhe veprën e tij janë shkruar gjashtë libra voluminozë, por se duke e nisur rrugën e botimeve me vonesë, pas moshës 45 vjeçare, pra, pas ardhjes së demokracisë, ai pa asnjë dyshim, me 83 librat e tij, mund të konsiderohet ashtu sikurse e kanë quajtur me të drejtë, si më prodhimtari në fushën e letrave tona. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti, që edhe pse asnjëherë nuk ka pranuar promovimin e librave të tij, ai lexon pa reshtur krijimtarinë e autorëve të tjerë, shkruan rreth tyre, organizon paraqitjen te lexuesit dhe analizat që bën, i boton sa në gazeta, aq edhe në librat e tij. Ndaj dhe shkrimtari i mirënjohur Xhevat Mustafa, duke u bazuar te thellësia e gjykimit, erudicioni dhe sidomos dashamirësia e tij, që mirëfilli është krijimtari në kuptimin që i jepte Ciceroni kësaj gjinie kur arsyetonte se “Unë kritikoj duke krijuar, jo duke gjetur gabime”, ka thënë se është fat për atë shkrimtar, veprën e të cilit e analizon Shpendi Topollaj. Dhe ja ku vjen ai, pas botimit të “Kadareja i pavdekshëm” (për të cilin Helena i shkruante se sa do të doja sikur ta kishte lexuar vetë Ismaili), me librin e ri të titulluar “Pa titull”, botimi Shtëpisë Botuese 2M, ku janë përfshirë shkrimet e tij, kushtuar veprës së shkrimtares së mirënjohur Mira Meksi “Ikona e Plagosur”, romanit të Ani Wilms “Dielli në mërgim”, librit të Profesor Irakli Koçollarit “Lufta e Ftohtë”, monografisë “Musine Kokalari një Yllësi” të Uran Butkës, romanit “Gabor” të Prof. dr. Fatmir Terziut, “Shkrepje të rralla fotografike” të Qerim Vrionit, poezisë së Jaho Margjekës, jetës së dr. Lame Koçit nga Eva S. Ceca, romanit të Hysen Qendros, studimit historik të Josif Ristos për Tempullin e Dodonës, veprës së Ali Balliut, Hasan Shahinajt, mjeshtrit Halil Rama, përkthyesit Gëzim Baruti, koleksionistit Hysen Dizdari, e deri piktorëve Arben Kristani e Muhamet Malilaj etj. Duke lexuar të 45 librat vetëm me kritika letrare të Shpendit, nuk ka sesi të mos kujtosh se qysh te libri i tij i parë “Flakët e Fjalës”, i ndjeri Gjergj Zheji vinte në dukje se kemi të bëjmë me një lloj të ri kritike. Dhe i tillë ka mbetur ai në analizat e pafund kritike që bën, gjë për të cilën akademiku Kopi Kyçyku shkruante: “Nga pikëpamja e formës kemi të bëjmë me artikuj kritikë, por mënyra si shtjellohen e zbërthehen temat, na jepet mundësia të gjendemi përpara essesh të mirëfillta, që kanë doza të forta, – gjithnjë në masën e duhur, – filozofike e psikologjike”. Nga ana e tij, kundërshtri viktorian i çdo lloj dogme dhe mediokriteti, Oskar Uajlld (Oscar Wilde), kishte mendimin se “është kritika ajo që krijon atmosferën intelektuale të një epoke”. E përmenda këtë, për të thënë se kultura jonë letrare ka nevojë për analiza letrare si këto të autorit të çuditshëm e dashamirës Shpendi Topollaj, i cili në çdo sallë ku ligjëron e në çdo artikull që boton, teksa vlerëson veprat e shkrimtarëve tanë, krijon atë atmosferën që përmend Uajlldi. Prandaj, edhe shkrimtari shkodran Sadetin Limani e ka quajtur atë “Njeri Kometë”. Sepse pikërisht si një kometë që përhap dritë në skutat e errëta të universit, Shpendi përhap dijen…Ai si një kometë e vërtetë përpin librat e shkruar e të studiuar prej kush e di sa krijuesve, hulumtuesve kontributor për vendin e tyre në tërë viset shqiptare e më gjerë dhe përcjell me bishtin e saj ndriçues analizën e tij të hollë sintetike… me pathos e dashuri e mirënjohje për secilin. Një pozitivist i pashoq që e nxjerr fjalën e mirë edhe prej fundit të dheut”. Nuk kam çfarë të shtoj tjetër, veçse t`u them: lexojen librin e tij të porsa botuar “Pa titull” dhe ia vini vetë titullin.




















