– A do vish të më takosh? – tha Flora.- Po, patjetër do vij, më ka marrë malli për ty, ka dyzet e kusur vjet që nuk të shoh- i thashë mikeshës sime të hershme.- Kam edhe ditëlindjen – tha. Vajta te dyqani i luleve dhe bleva një buqetë me gjashtëdhjetë e pesë trëndafilë. Aq vite sa kishte mikesha ime, të cilës pothuaj nuk ia mbaja mend siluetën e fytyrës…E kisha një peng të madh që dikur nuk i dola në mbrojtje Florës aq sa do të ishte dashur. Jo se unë do ta kisha shpëtuar, se kjo qe e pamundur. Por, të paktën të kisha shpëtuar shpirtin tim nga mëkati. Nuk qeshë vetëm unë që nuk e mbrojta. Ishim të gjithë ne miqtë dhe mikeshat e saj që nuk e mbrojtëm. Ne na thanë se babai i Florës qe armik dhe prandaj Flora duhej ta ndërpriste shkollën. Na thanë se ishte bijë armiku. Florës i shkonin lotët çurg në mollza. E shumta që bëmë ne ishte t’i jepnim shamitë tona të fshinte lotët. Dhe këtë e bëmë. Por, nuk bëmë asgjë tjetër më shumë… Unë vetëm thashë se Flora ishte vajzë e mirë. Kaq thashë se nuk isha trim të thoja më shumë se kaq. Nuk mund të thoja që, për shembull, megjithëse babai i saj qenkej armik, e bija mund të mos qe e tillë. Sepse armiku ishte si një sëmundje malarjeje që ngjitej në të gjithë fisin e armikut, madje mund ta merrnin virusin edhe të afërmit dhe ata që kishin rastisur të ishin shokë t ë armikut. Babain e Florës e pushkatuan. Florën nuk e pashë më. E harrova sikur të mos kishte qenë kurrë gjallë. Jo se doja ta harroja, por se më duhej për veten të robëtohesha të mbaja frymën time. Kur më telefonoi Flora përsëri, i thashë vetes se tani ishte çasti t’ia rrëfej pengun që më mbeti në shpirt dyzet vjet më parë. T’i kërkoja të falur që nuk e mbrojta. Flora m’u shfaq si një degë e përthyer ulliri në portë. E përqafova dhe ia vura në prehër tufën me gjashtëdhjetëepesë trëndafilë. I ndrinë sytë dhe tha: -Nuk e kam marrë kurrë me mend se mund të vinte një ditë që të të takoja pa qenë më vajza e armikut…. – As unë – përsërita fjalët e saj. Po prisja që Flora të ankohej për ata që ia vranë babain, që ia shpallën armik, që na detyruan edhe ne të përsërisnim si papagallë se babai i saj ishte armik. Asgjë e këtille nuk ndodhi. Më vuri një gotë me uiksi në tryezë, mbushi edhe një për veten dhe më ftoi të cakrronim gotat. – U bëfsh një qind – i thashë dhe e putha në ballë. – Edhe po të bëhem – tha Flora- unë kaq sa jam sot do të vdes. Zëre që dyzet vjet që shkuan nuk i bëra hiç… Por, kurdo që të vdes, këtë tufë trëndafilash nuk kam për ta harruar. – Dhe sigurisht nuk ke për ta harruar edhe që unë nuk të mbrojta kur duhej – thashe unë vetëtimthi, me gjasë se ishte çasti t’i kërkoja të falur. – Oh, jo jo. As që është nevoja ta kujtosh atë ditë. Unë nuk kam më fuqi të kujtoj atë që më vrau babain, jo më ju që ruajtët lëkurat tuaja, dhe bëtë mirë… – Nuk e urren ti atë që të vrau babain- guxova ta pyes unë, i bindur se po bëja një pyetje retorike. – Nuk di çfarë të them – tha ftohtë Flora. Si tha këto fjalë më ftoi edhe një herë tjetër të cakrronim gotat me uiski. Por unë mbeta kaq i shashtisur sa për çudi më ra gota ne dysheme dhe u bë copë copë… Kur u ktheva në shtëpi ndjehesha kaq i lodhur sa më dukej se nuk kisha qenë në një urim për ditëlindje, por sikur kisha testuar veten tek psikiatri, nëse edhe unë, larg qoftë o Zot i madh, e doja agresorin sikur të kisha qenë edhe vetë viktimë…Unë ia dhurova një tufë me trëndafilë Florës pas dyzet vjetësh…






















