Historitë e trafikimit dhe misteret e zhdukjes së veturave luksoze, që u janë kapur trafikantëve

591
Bardhyl Berberi 
Dy doganat e Pogradecit ajo e Qafë –Thanës dhe e Tushemishtit kanë qenë shumë të preferuara për trafikantët e huaj dhe ata vendas për trafikimin e makinave. Një rrjet i tërë vepronte në këtë zonë, sidomos me disa trafikantë italianë, të cilët bashkëpunonin me ata vendas. Kështu në vitin 2001 policia kufitare e doganës së Tushemishtit bllokon një veturë tip “Porsh” prodhimi i vitit 2000 ngjyrë gri metalixato. Vetura po trafikohej nga një trafikant italian makinash, Xhuzepe Martineli. Gjatë kontrollit nga policia dhe më pas Interpoli rezultonte, që vetura i ishte vjedhur një turisti francez në Itali dhe më pas me një numër false shasie u tentua të kalohet në Pogradec ku pritej prej tre shqiptarëve, dy prej tyre policë nga Shijaku. Që të tre arrestohen, por vetëm pas pak ditësh gjatë masës së sigurisë gjyqtarja Luljeta Mançellari e gjykatës së Pogradecit e lë të lirë Xhuzepe Martinelin, vetëm me detyrim paraqitjeje në gjykatë, duke e justifikuar këtë veprim me një raport që kishte lëshuar një mjek nga drejtoria e burgjeve në Tiranë, ku thuhej se Xhuzepe Martineli nuk mund të qëndronte në qeli, pasi kishte probleme kardiake! Por, sapo ai sistemohet në një hotel të qytetit brenda natës Xhuzepe Martineli zhduket nga Pogradeci dhe kalon kufirin në mënyrë klandestine në Maqedoni, pasi pasaportën e kishte të bllokuar. Kjo lajthitje e gjyqtares L. M bëri bujë dhe mblidhet urgjentisht Këshilli i Lartë i Drejtësisë nën drejtimin e Presidentit të asaj kohe z Rexhep Mejdani dhe asaj i hiqet titulli i gjyqtares. Sa për kuriozitet vetëm para pak muajsh vjen nga Italia një letër porosie në komisariatin e Pogradecit, e cila kërkonte të dinte, se ku po e vuan dënimin Xhuzepe Martineli, pasi i kishin dalë probleme të tjera me drejtësinë italiane. Vetura “Porsh” ka qëndruar vetëm dy javë në oborrin e policisë dhe është zhdukur natën. Vetëm pas pak muajsh bie në dorën e policisë një trafikant tjetër italian 52 vjeçari Klaudio Makabiani nga Breshia e Italisë, i divorcuar dhe momentalisht atëherë bashkëjetonte me një amerikane. Klaudio Makabiani, siç doli në gjyq kishte hyrë dhe kishte dalë në Shqipëri disa herë dhe kishte sjellë vetura të viteve të fundit të vjedhura në vendin e tij dhe si për koincidencë, siç doli gjatë hetimit, me të njëjtat dokumente të falsifikuara Klaudio Makabiani kishte sjellë disa vetura nëpërmjet doganave të Qafë Thanës dhe Tushemishtit dhe më pas largohej me avion nga Rinasi. Klaudio Makabiani arrestohet në doganën e Qafë Thanës pas verifikimit të dokumenteve. Ai ishte duke trafikuar një xhip “Pajero” prodhim i vitit 2001. Makabiani ngelet në burg dhe pas disa seancash gjyq dënohet me katër vjet burg për trafikim të mjeteve motorike. Vetura e tij Xhipi “Pajero”, që ish oficerët e policisë dyshojnë, se ishte vetura që bëri aksident djali i ish presidentit Mojsiu, ka qëndruar mbi dy vjet pa u ndezur në oborrin e policisë dhe kur kanë ardhur për ta marrë shoferët nga prokuroria e Përgjithshme makina është ndezur me kavo.

Dhe pas pak muajsh i vjen radha të bjerë në rrjetën e policisë kufitare 30 vjeçari Bruno Lorenxini nga Roma, i cili vjen në doganën e Tushemishtit me një veturë Passat “Bora” prodhimi i vitit 2002. Bruno Lorenxini kur u paraqit në doganën e Tushemishtit së bashku me dokumentet e makinës paraqiti edhe një dokument si gazetar i TV Rai Uno dhe se vinte në Shqipëri për të bërë një reportazh. Dokument ishte false pas verifikimeve që i bëri policia dhe dokumentet e veturës ishin false, vetura ishte e vjedhur dhe kishte ardhur për t`u trafikuar. Kështu Bruno Lorenxini pas gati një vit e gjysmë qëndrimit në qeli, del në gjyq dhe i quhet burg koha e qëndrimit në paraburgim. E veçanta e tij ishte se, gjatë kohës që kishte qëndruar në paraburgim me të burgosurit shqiptarë, ai e kishte mësuar brenda vitit gjuhën shqipe dhe komunikimin në sallën e gjyqit e ka bëri shqip. Bruno Lorenxini u vizitua në burgun e Pogradecit edhe nga babai i tij. Lorenxini pranoi në sallë, që makina kishte ardhur në Shqipëri për t`u trafikuar, po shpjegoi dhe një mekanizëm, se këto vetura të viteve të fundit me një sistem të lartë sigurie dhe me alarm nuk është e lehtë për t`i vjedhur, por ne kemi hyrë në marrëdhënie me pronarët, shtoi ai, pasi pronari italian e ka siguruar makinën dhe e mban një vit apo 6 muaj, kur i mërzitet makina apo i ka bërë një gërvishtje të vogël na e jep neve çelësin e makinës ta kopjojmë. Pasi ne kemi kaluar kufirin shqiptar, ai atje në Itali e deklaron të vjedhur, kështu ai merr lekët e plota nga siguracioni plus një pjese parash që nxjerrim që i japim ne nga shitja e makinës, pasi ia u kemi shitur trafikantëve shqiptarë. Dhe historitë vazhdojnë me një Benz tjetër të viteve të fundit nga një shtetas serb që po e futej nga dogana e Tushemishtit. Në fund të vitit 2004 në doganën e Qafë Thanës bie në rrjetën e policisë një veturë tjetër BMV- S6 prodhim i vitit 2003. Vetura drejtohej nga 45 vjeçari Kujtim Kura. Pas dyshimeve të policisë kufitare zyra e anti trafiqeve u lidh me Interpolin dhe rezultoi që vetura ishte e vjedhur në Gjermani, në periferi të Myhihut një shtetasi gjerman, madje i ishte marrë çelësi i makinës me kërcënim dhunshëm. BMV-S6 prodhim i vitit 2003 sapo ishte blerë nga shtetasi gjerman 65 mijë euro. Kujtim Kura i tha policisë, se ai ishte vetëm transportuesi i mjetit dhe pronarët e tij ishin të tjerët.

Para disa kohësh ka rënë në rrjetën e policisë shqiptaro maqedonasi Telek Hasani nga Tetova e Maqedonisë. Telek Hasani ishte duke u futur në doganën e Qafë Thanës një veturë tip xhip “Porsh Kajene”, prodhimi i vitit 2005 me një vlerë prej 85 mijë eurosh. Sistemi i doganës gjatë kontrollit konstatoi, se kjo veturë “Porsh Kajene” ishte vjedhur në Bosnjë –Hercegovinë dhe ishte pronë e një këngëtareje me shumë emër, kanë thënë burimet policore. Një fakt është, se veturat luksoze janë të lakmuara nga pushtetarë të fuqishëm ndonëse zhvillohet një tender ,por ato merren nga ata që i kanë planifikuar për t`i blerë me një çmim simbolik, siç ka ndodhur edhe me veturën tip “ Porsh”, e cila është parë më pas në Tiranë nga bashkëshortja e një ish-funksionari të lartë në qeverinë e asaj kohe.
Prokuroria e Pogradecit 
Shkuam në prokurori për të mësuar fatin e këtyre mjeteve të kapura trafikantëve të makinave. Prokuroria na thotë se në bazë të nenit 190 të procedurës penale me vendim të gjykatës sendet e një vepre penale apo mjetet e trafikuar sekuestrohen dhe kalojnë në favor të shtetit ku janë kapur. Në bazë të një vendimi zyra e përmbarimit bën një ankand dhe këto shiten më pas.
Në zyrën e përmbarimit 
Në zyrën e përmbarimit na thanë se janë të hapur ndaj shtypit dhe mund t’iu japin informacionin e nevojshëm, por kanë kaluar vite dhe duhet një punë voluminoze për gjetjen e proces-verbaleve të ankandeve. Zyra e përmbarimit është e sigurt për xhipin “Pajero “që iu kap Klaudio Makabianit, i cili i ka kaluar Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë për të tjerat duhen hapur dokumentet dhe kjo do shumë kohë!
Sigal