Kryemadhi: “Ne jemi bashkëfajtorë në qeverisje, ashtu sikurse jemi pjesë e sukseseve”

459
Zëvendëskryetarja e sapozgjedhur e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, thotë se ashtu siç është pjesë e sukseseve të reformave të realizuara nga qeveria, njëjtë ndihet edhe bashkëfajtore për gabimet dhe arrogancën e kësaj qeverisje. Madje pikërisht tek arroganca që përfaqësues të qeverisë kanë shfaqur, Kryemadhi sheh edhe zanafillën e nisjes së “revoltës” së Partisë Demokratike, që sot proteston prej rreth 3 muajsh dhe ka deklaruar bojkotin e zgjedhjeve.
E ftuar në emisionin “Komiteti” të gazetarit Berat Buzhala, zonja Kryemadhi, thotë se nuk është zgjidhje për opozitën që të mos marrë pjesë në zgjedhje, ashtu sikundër shprehet se një garë elektorale pa PD-në është si të luash futboll pa kundërshtar! 
“Nëse do kemi një klasë politike të civilizuar…sado që të jesh mund të blesh votën, fukarallëkun e njeriut, po shpirtin nuk e blen dot,. Dhe shqiptarët e kanë kuptuar, i kanë marrë lekët politikanëve por si kanë dhënë votën. Edhe në jemi bashkëfajtorë në qeverisje, ashtu sikurse jemi pjesë e sukseseve. Ne ndërtuam një sistem të tillë, që Shqipëria u mbush me kanabis, që krijuam një arrogancë me njerëzit, me qytetarët, me opozitën. Ndoshta kjo arrogancë bëri që opozita të ndihej e pa sigurtë, e pa përfshirë dhe normalisht ajo në një moment të caktuar përfiton dhe kërkon ta përdorë për interesat e saj. Por mendoj se bojkoti i zgjedhjeve nuk të jep zgjidhje të nxjerr jashtë loje. Zgjedhjet pa opozitën është si të luash futboll me një ekip. Ne po dëgjojmë të korruptuar të korruptuar, por emra nuk po dëgjojmë, nga opozita”, u shpreh Monika Kryemadhi.
E pyetur se nëse nuk do të ishte politikane cili do të kishte qenë profesioni i saj, Kryemadhi ka rrëfyer se ka pëlqyer gjithnjë mjekësinë. Megjithatë për shkak të 1 pikë të humbur ajo ka përfunduar studimet për bio-kimi.
“Unë kam mbaruar për bio-kimi. Në fakt kam dashur për mjekësi nuk e kam fituar për një 1 pikë. Më pas mbarova fakultetin e bio-kimisë nuk punova asnjë ditë faktikisht bëra masterin për menaxhim biznesi, i cili ishte një bashkëpunim midis Universitetit të Ekonomisë dhe Universitetin e Nebraskës. Më pas kam shkuar në Gjermani në një shkollë të Natos, shkolla “Marshall”, për politikat e sigurisë rajonale. Më pas kam bërë doktoraturën që ka të bëjë me shkencat ekonomike, sa i përket temës së sigurimeve shoqërore në Shqipëri. 
Shkencat e natyrës më kanë ndihmuar për të qenë pak racionale dhe kalkuluese ndërsa shkencat ekonomike më kanë ndihmuar për të qenë fleksibël e hapur dhe tolerante,”-është shprehur Kryemadhi.
Zëvendëskryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, zonja Kryemadhi tregon njohjen me Ilir Metën dhe “borxhet” që Partia Socialiste i ka asaj.
“Ilir Meta e ka thënë i pari kur më pyetën në gjende civile se çfarë mbiemri do mbaja, ma lehtësoi mua. Unë kam hyrë në Partinë Socialiste 5 minuta para Metës, jemi takuar për herë të parë në zyrën e Musa Ulqinit në nëntor 1991 dhe atje kemi filluar angazhimin tonë për takimin kombëtar të FRESSH-it më 15 janar 1992, dhe që këtej kanë filluar në mënyrë natyrale, marrëdhëniet, përplasjet, grindjet, debatet, intrigat politike brenda një forumi rinor, derisa erdhi një moment që në janar të 1994 kurorëzuam puthjen e pare. 
Edhe PS më ka ca borxhe të tjera. Se në vend të bëja dashuri si gjithë moshataret e mia bëja mitingje “Lironi Fatos Nano”. Kështu që jemi të larë. Kur Iliri bëri 45 vjetorin, një nga arsyet që Iliri e bëri ishte se i tha Gramoz Ruçit që ja kemi borxh PS-së një darkë të madhe. Dhe kjo ditëlindje ishte si një lloj respekti për ata socialistë që ishin udhëtarë në historikun tonë të atyre viteve në PS”, tregoi Kryemadhi
Znj Kryemadhi në intervistën e saj theksoi se ndihet e zhgënjyer nga klasa politike. Sipas saj, çdo ditë që kalon në konflikt, përkthehet në më pak mundësi punësimi për qytetarët shqiptarë.
“Unë ndihem e zhgënjyer për klasën politike, kjo vjen si rezultat i papjekurisë politike ose si rezultat i papërgjegjshmërisë politike. Çdo ditë që ne kemi konflikt, shqiptarëve ju zvogëlohen vendet për punësim, dhe çdo ditë e më shumë rriten problemet. E morën me shaka kur unë thashë se çdo ditë që Basha e Rama përplasen, ikin nga vendi 100 ditë pune. Në një informacion vetëm brenda 3 muajve të fundit, në Tiranë gjatë këtyre 3 muajve kanë bërë kërkesë 1 mijë biznese për tu larguar”, u shpreh znj. Kryemadhi.
Zëvendëskryetarja e LSI-së, znj. Kryemadhi ka rrëfyer edhe për lidhjen saj familjare me këngëtaren me famë botërore Bebe Rexha dhe nëse ajo do të performojë në fushatën e LSI-së..
“Mamaja ime me babain e Bebe Rexhës janë kushërinj të parë. Ne dibranët i themi dajë kushërinjve. Jemi të afërt. Mamaja ime është nga Dibra e madhe, nga familja Rexha. Dhe lidhjet tona janë shumë të afërta. Njihemi, shkojmë nëpër dasma, nëpër aktivitete. Bebe ishte nga të parat që uroi metën president”
“Jo. Unë nuk do dëshiroja që ajo të ishte pjesë e saj, se ajo ka të bëjë me karrierën e saj, çdo gjë që ka arritur në jetë e ka arritur vetë, edhe pse e vetme, a ndihmesë. Ajo e ka nisur çdo gjë vet. ..Madje më ka treguar: Kur jam nisur nga Los Angelos për Nju Jork nuk kisha as kartë krediti me vete”, tha znj. Kryemadhi.
Sigal