Suplementi Pena Shqiptare/ Të pathënat për Dritëro Agollin

530
Tushemishtarët, ky behar do të jetë i trishtë, na mungon Dritëroi !
Bardhyl Berberi 
Dje po pija kafe me Tola Bushon guzhinjerin e hotel “Mileniumit “ ky lokal po rikonstruktohet por ç’e do thotë Tola me keqardhje. Këtë behar nuk do të na vijë Dritëroi …Se si më duket Tushemishti pa Dritëroin dhe gati i përlotur i hodhi sytë pikërisht tek një tavolinë që ndodhej në krye të lulishtes së lokalit . Atë tavolinë nuk e zinte asnjeri dhe kur ulej dikush qoftë dhe ndonjë personalitet kamerieri i thoshte …Kishte më shumë se 20 vjet që pushonte nga dy tre muaj pikërisht tek ky hotel në Tushemisht. 

– Këtu jo, se është tavolina e Dritëroit… Dhe ajo ngelej e lirë. Njohja ime me Dritëroin është e hershme, qëkur punoja tek revista “Hosteni” dhe Dritëroi pothuajse vinte çdo ditë tek revista, jo vetëm sillte shkrime, por ishte mik i ngushtë me kryeredaktorin e revistës “Hosteni”, Niko Nikollën. Më shumë se me artin poeti të prek edhe me “paktin” që ka bërë me lexuesin qysh me “tregimin e parë e të parën vjershë” e, ndonëse ishte në moshën e tretë, vazhdon të mos e prishë atë, por “të kumbojë: “Ndryshe jeta ime nuk jetohet”. Dhe siç e ka vënë në pah edhe kritika jonë letrare, “tani, pas përmbysjes së komunizmit, me veprat e shkruara dhe jetën e tij, ai është bërë figurë qendrore e historisë së letërsisë shqipe”. Edhe pse i moshuar Dritëroi nuk ka ndryshuar në asgjë; as në karakter me fisnikërinë e përzemërsinë e tij për të ndihmuar cilin do, as edhe kur reagon, me atë shpotinë sa të ëmbël e djegëse. Siç thotë Rexhep Qosja në ditarin e vet; “ ndër njerëzit e rrallë, të paktë, të cilin, sa më shpesh ta takosh, aq më shumë të pëlqen dhe sa më shumë ta njohësh aq më shumë e nderon. Ai është artist i vërtetë, artisti më i madh, i fjalës së gjallë shqipe”. Duke pirë nga një gotë verë në tavolinën e tij në Tushemisht, e pyes befas 

– Çdo të thotë të jesh i moshuar, në ditët tona?
– Vjen një ditë dhe vërtet plaku rëndohet shumë, – thotë Dritëroi pa e fshehur.

– Ka disa që kalojnë një pleqëri jo të këndshme nga shëndeti. Mund të shfaqet skleroza, të dalësh nga shtëpia e të mos dish të kthehesh. Por ata që dinë të punojnë mirë, dinë ta largojnë sklerozën nga vetja. Skleroza vjen tek ata që nuk e vënë në lëvizje as trupin, as trurin. Në Devoll ka pak sklerozë, se atje njerëzit punojnë shumë. Edhe unë kam punuar shumë. Që i vogël jam mësuar të mbjell misër. Babai hapte brazdën përpara me qetë, unë hidhja farën pas tij. Ndonjëherë më shante se hidhja shumë misër. Po më mirë shumë, se pastaj e rrallon, po doli rrallë çfarë do t’i bësh? Kurse prashitjen e kisha frikë, se mos ua prisja rrënjët bimëve. Plak do të thotë edhe të të dhembin kockat, do të thotë ta parandjesh se po të vjen fundi. Po ai që e di si është ndërtuar jeta, nuk ka frikë. Këtu është vendi për të folur ca më shumë, po plaku është llafazan dhe nuk i mat shumë fjalët. Mbase për këtë edhe “Zyloja” me këtë rast më ka bërë një ese: “Pse nuk u ndezën qirinj mbi tortën e pleqve?… Vallë a kanë takat pastaj ti shuajnë?!”. Arti, po ta pyesësh tani që duket sikur sapo ka dalë nga “galera”, është më i tmerrshmi. “Që ai të mundet të arrijë në nivelin e së vërtetës duhet të “vetëshkatërrohet”. Ti e di vetë sa herë u shkrua e u shua romani “Arka e djallit”, derisa pas njëzet vjet pa dritën e botimit?… Kështu edhe me “Fletoren e Bamkës” në këtë roman ndodh si me Pikason, i cili prishte e vizatonte edhe mbi tablotë e të tjerëve, sa kritika e quajti “kanibal”. “Kujdes Pablo, i thoshte miku i tij Brak, shkatërron e shkatërron, do të gjendesh ndonjë ditë i varur pas telajove të tua”. Sot e dimë, ky piktor i famshëm spanjoll gjendet “i varur” në tëra galeritë e botës, madje edhe në Rusi, ku diçka e tillë dikur ishte herezi. Me vdekjen e Bamkës, me që ra fjala, kam dashur të them, se njeriun ndonjëherë nuk e lënë as të qeshë, as të bëjë shaka, po i vihen pas: “Pse e the këtë proverb? Pse e tregove atë anekdotë?” Kishte gjëra që njerëzit i thoshin me njëri-tjetrin që në socializëm. Për shembull në vitet `80, kur kishte krizë për ushqime qarkullonte ajo barcaleta, që rastësisht u takua mishi me preshin dhe e pyeti preshi, po ku je more vëlla, i tha mishit, nuk po takohemi fare në tenxhere unë kam mbetur vetëm sade dhe mishi ia kthen me qeseri, ku do të më takosh mua ti, mua më kanë mbyllur vetëm në bllokun e vilave …

-Letërsia për mua është siç është perëndia për hoxhën edhe priftin. Ajo duhet të përmbajë të gjithë elementët e jetës, por po të paraqiten ashtu si janë në natyrë, nuk ka art. Ato duhet të ngrihen në art. Personazhi duhet të të mbetet në mendje. Kjo është letërsia e vërtetë. Ta thuash në letërsi të vërtetën artistike. Poeti duhet të shohë harmoninë e objekteve. Kështu krijohet arti. Përveç kësaj harmonia duhet të jetë në lëvizje.”

Po kushdo që e ka lexuar Dritëroin e di tashmë, që vepra e tij është shprehje e një bote në lëvizje e veprim. Veprimtaria letrare e tij shtrihet në dy periudha: periudhën e diktaturës, ku nuk guxoje të shkruaje ç’ke mendoje dhe atë të pasdiktaturës. Në periudhën e parë siç është vënë në dukje nga kritika, poeti luftonte për një liberalizim të poezisë, një thellim të realizmit. Në periudhën e dytë ai ka mbetur besnik i vetvetes, duke ruajtur qartësinë e thjeshtësinë, frymën e spikatur popullore e shqiptare, por duke e pasuruar më tej tematikën e saj. Madje për këtë ai këmbëngul në bisedë me miqtë e tij letrarë se: “Arti është mjet në ndryshimin e jetës; vjen si një dëshmitar të vërtetojë marrëveshjen në emër të së “mirës, harmonisë”, pas çdo ndryshimi. Shoqëritë njerëzore kalojnë faza të ndryshme. Një stinë e keqe është kur ka krizë ekonomike dhe njerëzit interesohen më shumë për bukën e gojës, shtëpi edhe punë. Kur ti ketë vënë këto në vijë kthehet e krijon, bën art dhe qytetërim. Qytetërimi është si një shtëpi që vazhdimisht e përshtatim; në një anë prishim, në anën tjetër njëkohësisht ndërtojmë. Tani që po kalojmë si tërë bota një fazë të vështirë, mund të themi, “kush e ka mendjen për art”. Por si njerëz të “mendjes” jemi të detyruar të parapërgatitim, “shtëpinë” e nesërme, ku do të banojnë të rinjtë, të cilët kanë nevojë për vizion. Për këtë jemi përgjegjës e duhet të punojmë me këmbëngulje e durim. Dhe jam optimist se ata do t’i kthehen asaj. Mbi të gjitha i besoj njeriut dhe zemrës së tij. Megjithëse zemra është e mbuluar, nuk ka ndonjë xham përpara për ta parë, ajo ka një veti që e bën atë të tejdukshme. Mbase kjo më bën të besoj te kjo materie filozofike, te njeriu, i cili, që kur lind e deri sa vdes, përpiqet të mësojë. Këtë e kam thënë edhe para studentëve të Universitetit Amerikan dhe është bërë pjesë e reklamës së tij.” Punëtor i pa lodhur i letërsisë dhe njeri që rron nga letrat dhe për letrat. Në këtë udhë të gjatë krijuese e gjejmë sot pothuajse në të gjitha gjinitë e, krijimtaria e tij ka njohur mjaft suksese letrare brenda dhe jashtë vendit. Por mbi të gjitha si njeri që drejtoi për disa vjet Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë i dha shtysë letërsisë dhe arteve të saj në përgjithësi. Por siç nuk i pëlqen të lavdërohet, as është përpjekur ndonjëherë të përgënjeshtrojë historinë e saj dhe të vetes së tij. As edhe Sadijes, e cila është jo vetëm bashkëshortja, por edhe historiania më e mirë e jetës së tij. “Dritëroi nuk ka qenë kurrë dogmatik, ndërhyn Sadija në bisedë . – Ja vështroni jetën private të tij. U martua me një ruse dhe rrethanat e ndanë prej saj. Sikur të mos mjaftonte kjo, u lidh me mua, që kisha probleme me biografinë. Ai ish komunist dhe gazetar, kurse në familjen time, jo vetëm që s’kishte asnjë komunist, por xhaxhai im ishte dënuar. Ditën e dasmës, veshur me fustan të bardhë, u ktheva në spital ku ishte shtruar babi im, se vuante nga tuberkulozi. Shkova e putha atë dhe kjo ishte një sfidë, sepse u mblodhën të gjithë të sëmurët që ishin aty. Dhe qava deri te ura e Bunës, atje ku Dritëroi më tha t’i prisja lotët”. I priste pastaj ajo dasma në Devoll me të afërmit dhe për disa ditë pushime për muajin e mjaltit në një shtëpi pushimi të punëtorëve në Pogradec, ku iu bë zakon, si atij shtërgut për të kaluar çdo verë në Pogradec. Sadija “s’e le” të bëjë çap. -Ku e ke makinën, më tha një mëngjes, dua të dal në qytet. Së bashku me Sadijen dhe mbesën e tij, Anën shkuam nga Tushemishti në Pogradec. Sadija shkoi tek një farmaci, pasi Anës i ishte bërë një alergji nga uji i liqenit. Së bashku me Dritëroin u ulëm tek lulishtja e Enkelanës. E përshëndesnin shumë pushues .- Dëgjo do të pimë kafe por unë e dua dhe një raki të vockël ta pi shpejt e shpejt, se po erdhi Sadija nuk të le ajo… Njerëzit kanë nevojë për “VIP-a” të vërtetë. Por edhe Dritëroit i mungojnë njerëzit, ata “janë atdheu” dhe në këtë sfidë pleqërie ky plak filozof thotë se; “atdheu përbëhet nga disa rrathë që sa vijnë e zgjerohen. I pari dhe më i vogli është rrethi i familjes, pastaj oborri, komshinjtë, lagja, fshati, krahina dhe krejt atdheu. Kështu e ka thënë edhe Çajupi: “Atdhe quhet toka,/ ku më ka rënë koka,/ Ku kam dashur mëm’ e atë,/ ku më njeh dhe gur’ i thatë.” Kur isha në Përmet me një mikun tim dhe po shkonim drejt shtëpisë së tij, nga larg vumë re tymin që dilte nga oxhaku i dhomës së miqve. Ai u ngazëllye dhe më tha: “Paskan ardhur miq të tjerë!” Kurse një shkrimtar rus ka thënë; “Tymi i atdheut tim më duket i ëmbël!” Mjafton ky detaj domethënës që ndeshet në dy vende kaq të largëta mes tyre, për të kuptuar raportin që krijohet midis krijuesit dhe atdheut të vet.

– Ruskat e di që të kanë pëlqyer, i them, po që të kesh edhe shkrimtarë kaq të dashur?…
“Prozatori më i dashur për mua është Tolstoi, thotë, kurse si poet Hygoi, sepse kanë kapur një gamë të madhe të jetës politike dhe shoqërore. Ka edhe të tjerë që e kanë bërë këtë, por këta të dy e kanë bërë bukur dhe nuk harrohen. Nga poetët tanë Naimi është i pa vdekshëm, lirik dhe epik. Por mbi të gjitha atdhetar. Sa herë kalon nëpër pyje e male s’ke si të mos kujtosh vargjet e tij; “O malet e Shqipërisë, e ju o lisat e gjatë,/ fushat e gjera me lule, që ju kam ndër mend ditë e natë…” Në krijimet e Naimit nuk ka asnjë fjalë turke, merreni dhe shikojeni për kuriozitet. Kurse shkrimtarët e tanishëm dhe analistët gjysmat e fjalëve i kanë shqip, gjysmat i kanë turqisht e anglisht. Sot më shumë turqizma se në kohën e Naimit! Po do të thoni ju edhe Noli futi shumë fjalë në poezitë e tij. Por në pjesën më të madhe ato futeshin qëllimisht për të satirizuar. Edhe Mjeda është mjeshtër i madh i fjalës. Këta të dy kanë ndikuar tërthorazi në krijimtarinë time, sidomos me temat patriotike dhe kujdesin për pastërtinë e gjuhës.” 

– Po, nëse do të rishkruanit përsëri poemën “Devoll, Devoll”, do t’i bësh ndryshime “Do të isha më i përmbajtur dhe më filozof”, thotë poeti dhe flet për poemën, për ato ndjesi të forta lirike e të përzemërta të një djali të ri siç ishte dikur. Kjo poemë u shkrua me “një rrëmbim shekspirian”, pas një mbledhje partiake kundër burokracisë më 1964, por toni polemizues që vihet re në të është karakteristik për tërë veprën time . Ajo lidhet thjesht me diçka shumë personale (vendlindja ime), por me kalimin e kohës në udhën e saj ndodhi që ajo të bëhet personale edhe për njerëz të tjerë, ashtu si edhe mjaft vepra të tjera të dashura si “Arka e djallit”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, “I teti në bronz”, “Udhëtoj i menduar”, “Pleshti dhe xixëllonjat”, etj. Dritëroj kujton se me honorarin e saj, bleu atëherë, një dyshek pambuku nga ata të kombinatit të tekstileve . Vetëm aq, se aq ishte edhe një honorar në një vend që sapo kishte flakur tej malarjen e mundohej të mësonte të lexonte e të shkruante në mënyrë masive. – Atëherë kur filloi të bëhet poet frymëzimin e parë e gjeta në natyrë. “Unë që kur kam lindur, kam qenë në aleancë me natyrën, thotë. Kontaktin me natyrën e kam pasur me lulet që çelnin, me lumin që e kam vështruar nga sipër, duke e kapërcyer me nogajka Aty kam parë edhe arixhofkat që vinin për të bërë shporta e sepete. Zogjtë i kam njohur përmes bilbilave që këndonin në mëngjes e në mbrëmje. Natyra është e gjerë e madhe, e pa fund , por po të imitohet ajo, është njëlloj si një krimb që zvarritet pas një elefandi”. Por veç asaj kishte edhe “aleatë” të tjerë, mes librave të shumtë në shtëpi, si Naimin, Hygonë, Kahjamin etj. – U bëra apo s’u bëra si ata, këtë nuk mund ta them dot , por përpiqet akoma edhe pse pena në muzgun e moshës, i rëndon në dorë si plumb. Dhe kjo e mban të gjallë e të ri në shpirt e në mendim. Por brenda realitetit të sotëm shqiptar ai e di që diku është. Po. Dhe ka arsye që të jetë… Kështu për Dritëroin është përmbushur edhe një dëshirë e kahershme e babait të vet, i cili e përfytyronte birin e tij poet të madh kombëtar. Xha Rizai ishte burrë i kënduar e i dalë nëpër botë. Në të ri të tij kishte qenë emigrant në Amerikën Latine, në Argjentinë dhe siç tregon edhe Dritëroi , kishte sjellë prej andej edhe libra, një gramafon e disqe me këngë “La kuka raça”. Punëtor, si devolli. “Im atë, kur erdhi nga fshati për të ndenjur në apartamentin tonë në Tiranë, merrte një kërcu të trashë dhe sëpatën dhe zbriste poshtë për ta gdhendur. -Ç’ke që rri me atë kërcu, i thoja, lere fare! Më hanë duart për punë, more bir, ma kthente.” Po ajo që nuk mund ta harrojë kurrë poeti ishte një poezi; “ e para që kisha botuar në gazetën “Zëri i rinisë”, dhe babi e mbante në kutinë e duhanit dhe ua tregonte me krenari aty nd’arë ku lëronin me qe bashkëfshatarëve të vet, sa herë ndiznin cigare. “Do të bëhet diçka ky djalë patjetër që do të bëhet I thoshin ata ”. E kanë kaluar kaq vite, si në përralla… E u mblodhën përsëri bashkëfshatarët se aty do të ngrihet një qendër kulturore bashkëkohore, e cila do të mbajë jo vetëm emrin “Dritëro Agolli”, por do të ketë në kompleks edhe muzeun për veprën dhe jetën e tij. Madje për këtë është miratuar fondi nga qeveria. “Më mirë kështu, thotë Sadija, dhe në katin lart mund të jetë dhoma muze e Dritëroit. Një shtëpi kulture ku shkon mësuesi dhe zhvillon një bisedë, merr jetë. Vetëm muze, do të mbetej e vdekur. Kemi shumë libra me autografe që mund të ekspozohen atje. Kemi shumë objekte të Dritëroit. Edhe Tolstoi në Jasnaja Poljana e ka muzeun, në fshatin e lindjes.” -Brezi i ri ka nevojë për trashëgiminë kulturore, por ka nevojë edhe për librin. Dhe fatmirësisht rinia nuk e ka braktisur atë. Po shkrimtari nuk mund të thotë; “më lexoni mua!” se librat janë sa yjet në qiell. Rëndësi për shkrimtarin ka që njerëzit të lexojnë. Përmes librit ata kalojnë një çast magjik të jetës së tyre, pa u munduar shumë, siç mund të ndërtojnë edhe një parajsë… Nëpërmjet librit ata krijojnë me letërsinë një lidhje të bukur krejt personale. Sepse shkrimtari duke ndriçuar nga brenda veten, ndriçon edhe të tjerët. Ky vlerësim i komunitetit në Devoll e emocionon Dritëroin, po aq sa ajo vjersha në kutinë e babait të vet kur ishte çunak, se tjetër është të të nderojnë të tjerët e, ndryshe është kur të venë mbi krye njerëzit e tu. Nuk e di kodin e kësaj mirënjohje të thellë e nga buron kjo por jeta nuk përsëritet. E vetmja gjë që nuk duhet shpenzuar kot është koha …Padyshim një nga kulminacionet e anës së panjohur të Dritëro Agollit është ai moment intim kur së bashku me Endri Fifon këndojnë këngën “Manushaqe e vogël” dhe “Durbanlli të qofshim falë”…
Sigal