Mbaj vesh si lulëzon një grua buzëmbrëmjeve në prill!
mbaj vesh këngën e bilbilit ,strehëve të saj nën gush,
frymëmarrjen e sythit me aromë petalesh mbi gjinj,
ekstazën dehëse, që turbullon dhe më të egrin burrë.
Mbaj vesh gurgullimën, që rrjedh në luginën e gjinjve,
kristalet e qumështit, kur rrokullisen mbi kërthizë,
flladin përvëlonjës, në kreshtën pjellore të pëqinjve,
vullkanin që rri në pritje, të ndizet nga një puhizë.
Mbaj vesh rigëtimat e dënesat sikur po jep shpirt,
kur e përkëdhel buza zjarrmuese e mashkullit të ri.
Mbaj vesh si e ndez urinë për burrë me të sajin flirt,
si hap gonxhen diellore dhe përpin burrin me furi.
Mbaj vesh dhe mos pengo lulëzimin e një gruaje,
dashurohu me tingujt, që përcjell galaktika e saj,
adhuroje teksa lëngon dhe lulëzon nëpër vuajtje,
kur shtrydh lotin e dhimbjes, pa patur asnjë faj.
Mbaj vesh si lulëzon një grua buzëmbrëmjeve në prill,
si zhvesh sythet butësisht, siç zhvishet një burbuqe,
si përpiqet të kundërmojë çdo fllad, me të ëmblin trill,
kur vë në gjumë universin dhe e përkund nëpër muzgje.