Më 19 dhjetor Kushtetuesja vendos për vlefshmërinë e përgjimeve të SKY ECC

105
Sigal

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg e ka shpallur të ligjshëm përgjimin nga aplikacioni i bisedave të EncroChat dhe mund të përdoren si prova, e kanë përdorur kryesisht persona të përfshirë në botën e krimit. Ky vendim do të ketë impakt edhe në Shqipëri, pasi janë kryer shumë hetime nga SPAK, bazuar në bisedat e zbardhura në Francë nga këto aplikacione. Flitet se Kushtetuese poi  bëhet presion, pasi janë të implikuar zyrtarë të lartë dhe deputetë

 

Më 19 dhjetor të këtij viti, në orën 10:00, Gjykata Kushtetuese do të përcaktojë përfundimisht nëse aktet e përftuara nga aplikacioni “SKY ECC” për llogari të hetimeve nga SPAK, duhen konsideruar të ligjshme ose jo.

Teksa gjykatat e tjera me radhë kanë rrëzuar pretendimet e personave nën hetim, apo të pandehur, për pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë e tyre, biznesmeni strategjik Pëllumb Gjoka e dërgoi çështjen në Kushtetuese.

Materialet e ardhura nga Franca e Belgjika me qindra fashikuj, në përmbajtje të të cilave ka komunikime të grupeve kriminale, janë përdorur nga SPAK për të kryer një sërë arrestimesh, duke pretenduar zbardhjen e dhjetra ngjarjeve kriminale.

Së fundmi në GJKKO pati një debat mes avokatëve dhe përfaqësuesve të akuzës nëse bëhej fjalë për përgjime apo dokumenta, e teksa mbrojtësit e të pandehurve pretenduan se në gjyq, prokurorët pranuan për herë të parë që nuk janë përgjime.

Në këtë mënyrë, sipas avokatëve SPAK konfirmoi pretendimin e tyre, teksa tashmë hapet një tjetër debat mbi ligjshmërinë e formës se si janë marrë këto të dhëna.

Padia e Pëllumb Gjokës në Kushtetuese për pavlefshmëri të akteve ka kaluar në dhomë këshillimi, ndërsa këtë të mërkurë është caktuar edhe një datë për shqyrtimin e saj nga anëtarët e Kushtetueses. SPAK nga ana tjetër kërkon që kushtetuesja ta rrëzojë ankimin duke lënë në fuqi masat e dhëna nga GJKKO dhe apeli i GJKKO, që i konsideron prova të ligjshme.  Komunikimet në “SKY ECC” dhe “Encro Chat” në një sërë vende të BE janë konsideruar si prova të ligjshme.