Tiranë, krim i trefishtë, burri vret gruan, vjehrrën dhe veten

513
Sigal

Ora 10:40 Njoftimi i plotë i policisë
Sot më datë 10.03.2015 rreth ores 05.55 në afersi te Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në Laprakë, në brendësi të banesës së shtetases Ëngjëllushe Shaqiri, te ish konviktet e ish Shkollës së Partisë ka ndodhur një ngjarje e rëndë kriminale ku për pasojë janë vrarë më armë zjarri shtetaset;

– Ëngjëllushe Shaqiri 65 vjec,
– Izaura Rustemi (e bija) 28 vjec
– Emiljano Rustemi 32 vjeç.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë si dhe është formuar grupi hetimor i përbërë nga specialistë të hetimit të Sektorit për Krime të Rënda, ekspertë kriminalistë si dhe është njoftuar prokurori i gatshëm. Grupi hetimor ka filluar kryerjen e veprimeve hetimore e proceduriale dhe sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.

Nga veprimet hetimore paraprake të kryera në vendngjarje rezulton se rreth orës 05.50 shtetasi Emiljano Rustemi ka shkuar në banesën e vjehrës shtetases Ëngjëllushe Shaqiri ku banonte dhe bashkëshortja e tij Izaura Rustemi dhe pas një debati disa minutësh ka vrarë me armë zjarri tip automatik bashkëshorten dhe më pas vjehren shtetasen Ëngjëllushe Shaqiri të cilat kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Disa minuta më pas autori është vetvrarë.

Nga hetimet paraprake rezulton se autori i vetvrarë Emiljano Rustemi lindur në Tiranë e banues ne Tiranë në rrugën “Myslim Keta”, ka ardhur nga emigracioni nga Greqia më datë 04 Mars 2015, ku nga të dhënat paraprake hidhen dyshime se ka qënë i dënuar dhe ka vuajtur rreth 1 vit burg për veprën penale të vjedhjes. Gjithashtu nga hetimet dyshohet se motivi i vrasjes është mosmarveshje të cilat kanë lindur pas divorcit që bashkëshortja i ka kërkuar.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar me cilësinë e provave materiale arma e zjarrit automatik tip “Kallashnikov”, 11 gëzhoja të kalibrit 7.62 si dhe sende të ndryshme të cilat do zbardhin plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe hetimit.

Materiali proçedurial do t`i referohet Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Ora 08:30 Kunata e Ëngjëllushes: Babai nxirrte gruan dhe fëmijët për të lypur
Kunata e Ëngjëllushe Shaqirit, e cila mbeti viktimë në vrasjen e trefishtë mëngjesin e sotëm, tregon para kameras së A1 Report se Izaura Rustemi dhe 3 fëmijët nxirreshin në rrugë për të lypur nga bashkëshorti i saj.

Sipas saj, e ëma dhe tre fëmijët jetonin prej 3 vitesh në shtëpinë e Ëngjëllushes për shkak të vështirësive ekonomike. Ndërsa lidhur me momentin e krimit kunata e Ëngjëllushes shprehet se fëmijët kanë qenë në banesë dhe ka qenë një komshi i cili i ka marrë nga shtëpia për t’i larguar nga ngjarja e rëndë.

“Këtu jetojnë që 3 vjet, që kur është futur i shoqi në burg se ishte kapur duke vjedhur në Greqi, dhe i mbante e ëma me 3 fëmijët. E ëma punonte te tregu dhe i ushqente ata. Kur ka hyrë në burg këto kanë qenë atje, më pas ka shkuar e ëma dhe e ka marrë se nuk e mbanin as prindërit e tij, të Emilianos, dhe e nxjerrin për të lypur me fëmijët. Në momentin kur ka ndodhur vrasja fëmijët kanë qenë në shtëpi dhe i kanë marrë një komshi dhe i ka futur brenda. Unë Ëngjëllushen e kam kunatë, motrën e burrit.” tregon ajo

Ora 08:00 Konflikti dyshohet për motive xhelozie
Burime nga policia bëjnë të ditur se nga të dhënat e para dyshohet se konflikti mes çiftit ka ndodhur për motive xhelozie

Ora 07:45 Vrasja në shtëpinë e vjehrrës, çifti kishte 3 fëmijë
Të dhëna të tjera bëhen të ditur nga krimi i rëndë brenda familjes në Laprakë.  Vrasja bëhet e ditur se ka ndodhur në shtëpinë e vjehrrës, e cila njëkohësisht mbeti viktimë
Ëngjëllushe Shaqiri.

Kjo pasi Izaura Rustemi, bashkëshortja e autorit jetonte në shtëpinë e së ëmër pasi çifti ishte në proces divorci. Po ashtu bëhet e ditur se çifti Rustemi mes tyre kishin edhe 3 fëmijë. 

Ora 07:30 Autori me precedentë, çifti ishte në proces divorci
Sipas policisë, Emiljano Rustemi rezulton një person me precedentë penalë, i cili ka qenë dënuar më parë me 1 vit burg në Greqi. Ai është kthyer së fundmi më 5 Mars nga shteti fqinj.

Nga të dhënat e para të policisë bëhet e ditur se çifti Emiljano dhe Izaura Rustemi ishin në proces divorci. Konfliktet mes çiftit është edhe pista ku policia po heton lidhur me ngjarjen.