Bardhyl Agasi: Moikom Zeqo, intelektual i shquar nё kulturёn tonё kombёtare

Telegraf.al / Më 3 Qershor mbushen 75 vjet nga lindja e M.Zeqos, një prej figurave më të shquara të kulturës sone kombëtare, poet, shkrimtar, historian, arkeolog, enciklopedist, akademik, politikan si ish deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Ai është autor i mëse 100 librave në gjini të ndryshme, i mijra shkrimeve në organe të shumta brënda dhe jashtë vendit, i diskutimeve dhe ligjëratave në forume dhe samite edhe ndërkombëtare, ku shfaqej si nje intelektual i shquar shumdimensional. Veçanërisht në periudhën e vendosjes se pluralizmit politik ai u bë një nga kontribuesit më të mëdhenj në zhvillimin e mendimit politik dhe demokratik të vendit dhe të shoqërise sonë.Ai mbetet një tribun i mendimit intelektual progresist, një atdhetar i angazhuar aktivisht në zhvillimet dhe ngjarjet politike shoqerore dhe mjaft nga shkrimet dhe studimet e tij iu kushtuan çështjes sonë kombëtare. M.Zeqo u bë një nga zërat më në zë të Kuvendit të Shqipërisë, gjatë legjislaturës 1992-1996 në mbrojtje të proçeseve demokratike, të raporteve mazhorancë-opozitë, të ndërtimit të një kushtetute të vërtetë demokratike, të mbrojtjes së luftës çlirimtare  dhe të drejtave të njeriut sipas kartës europiane.

Veçanërisht ai i kushtoi vëmendje rolit të madh të intelektualëve për thellimin dhe zhvillimin e demokracisë në vend. Ai vetë edhe pse ishte një i majtë, socalist nuk bëri pjese në anëtarësinë e asnjë partie, por qënien  në parti të intelektualeve ai e shikonte si një rol të tyre për emancipimin e vetë partive, për të mos qenë brenda kornizave të tyre ideologjike dhe propagandistike, kur demtoheshin apo pengoheshin zhvillimet demokratike, apo bashkimi kombëtar. Sipas Zeqos nuk duhet të përsëritet formula e së kaluarës që shkrimtarët, intelektualët në përgjithësi të shikoheshin apo trajtoheshin si ndihmës të partisë. . Partitë edhe vdesin, madje edhe duhet të vdesin-theksonte ai, -kur është e nevojshme dhe llogjike. Vetëm kombi nuk vdes kurrë dhe kjo është kryesorja. Pa mohuar aspak rolin dhe vlerën e madhe të partive në demokraci dhe në zhvillimin e kombit, duke e trajtuar në rrafshin kulturor, Zeqo vinte në dukje se fjalën e parë e kanë intelektualet dhe gjenia e popullit, sepse çështjet me themelore kombëtare  nuk jane thjeshtë pronësi partiake, por janë pronë e popullit. Sipas tij intelektualët e vërtetë përbëjnë thelbin e dinjitetit kombëtar në çdo periudhë kohore dhe është mendimi i tyre, që bëhet prijës i mendimit shoqëror. Dhe ai i referohej mendimit dhe veprës së madhe të Naimit, De Radës, Nolit, Migjenit që frymëzuan lëvizje dhe ngjarje të mëdha historike- shoqerore. Duke theksuar dhe njohur këtë rol të madh të intelektualëve, përgjegjësinë e tyre para kombit dhe shoqërisë, Zeqo po ashtu thekson që dhe shoqëria, partite politike, qeveritë demokratike, shteti, instucionet e tij duhet të tregojnë kujdes të vazhdueshëm për mbështetjen e tyre, veçanërisht ekonomike, për vlerësimin e punës së tyre mendore, intelektuale, se ndryshe-shkruante ai, kombi do të humbasë fuqinë më të madhe që ka. Si një intelektual me ndjenjë të thelle kombëtare ai ndjen dhimbje për çdo gjë që pengon edukimin kulturor të masës, madje dhe veprimeve të turpshme ordinere që dëmtojnë, shkatërrojne apo plaçkitin vlera  kulturore që dëshmojne për kulturën e madhe shekullore të popullit tonë. Ai ngre zërin fuqishëm për mbrojtjen e vlerave arkeologjike, historike, duke u ndalur në raste konkrete nëpër muzetë tona, arkeologjike, etnografike apo historike. Për më shumë dhimbje e tij kthehet në zemërim e revoltë për ato raste kur nuk mirëmbahen, apo mbyllen fare dhe muze për figura të mëdha të kombit. Si një dokument historik mbetet letra e tij dërguar një ministri të kulturës, me të cilin kishte miqësi dhe e respektonte si një shkrimtar me vlera në letërsi, për shpërbërjen e shtëpisë muze të Migjenit, si një akt turpi për Shqipërine dhe kulturën tonë. Ai kërkonte që kudo të ngriheshin muze, dhe në zona rurale, se nga gjiri i popullit kishin dalë figura të shquara luftëtarësh, atdhetarësh, poetë e gjuhëtarë, artistë që meritonin të përkujtoheshin dhe që edukonin breza të tërë me vepren e tyre, Zeqo merr në mbrojtje figura të ndryshme, jo vetëm të së kaluarës, por dhe të periudhës së demokracisë, kur në emër të bindjeve politike intelektuale të ndryshëm hiqeshin nga puna, duke ua mohuar kontributet e tyre në fusha të ndryshme. Madje vete ai, duke u ngritur mbi ndasitë dhe bindjet partiake u la pa punë për 15 vjet rresht, nga të dy krahët politike, kur zinin vende të rëndësishme  dhe drejtuese në institucione kulturore dhe të artit njerëz pa kulturën dhe aftësite e nevojshme, por që ishin shquar për militantizmin e tyre partiak. Në gjithë veprën e tij ai udhëhiqej nga shembujt më të mirë të idealizmit tonë kombëtar. Madje frymëzimin e tij krijues ai e ngriti në piedestal me libra kushtuar mjaft prej figurave të tilla, si për Onufrin, Naimin, Nolin, Migjenin ,Poradecin, Qosen, Agollin si dhe në shkrime të panumërta për shkrimtarë dhe artistë si për Shuteriqin, Kadarenë, Reshpën, Halitin. etj, për të cilët ndjente respekt të madh deri në miqësi. Ai ishte mik i të gjithë krijuesve, piktorëve, skulptorëve, të skenës dhe të ekranit, dinte të vlerësonte dhe të nderonte veprat e tyre. Por me aq forcë ngrihej edhe kundër qëndrimeve diskriminuese, përçarëse, keqdashëse dhe amatoreske të disa njerëzve që ushqeheshin nga një ndjenjë primitive, hakmarrëse , politizuese, aspak demokratike, që në emër të një lufte klasore të re ngriheshin dhe vazhdojnë akoma për fat të keq të sulmojnë dhe disa arritje të mëdha kombëtare, veçse ndodhen në kohën e kaluar diktatoriale, si psh ndaj njëhsimit të gjuhës letrare, apo në kinematografi, letërsi, arte figurative etj. -Gjuha letrare shqipe-përgjigjej M.Zeqo, është rezultat i zhvillimit të brendshëm historik, një origjinalitet i vetë gjuhës në një proçes konvergimi mbidialektor. Dialektet, shprehej ai, nuk janë gjuhë më vehte, por variante të vetkuptueshme dhe jo përjashtuese dhe as antagoniste të një gjuhe të vetme. Tendenca regresive dhe përçarëse , se kjo vepër e madhe e shkencës sonë gjuhësore dhe kombëtare, se gjoja ishte bëre nga udhëheqja e diktaturës komuniste, ishte jo shkencore dhe e dëmshme për demokracinë tonë. Rëndësi të madhe M.Zeqo në shumë shkrime, intervista të tij i kushtonte veçanërisht, medias, shtypit, duke theksuar nevojën e një shtypi të pavarur, objektiv dhe të lirë, të kulturuar. Ai çmonte meritat e arritura të shtypit të lirë shqiptar, siç shprehej ai si të jashtëzakonshme, sidomos në shtimin e organeve të shtypit dhe të ekraneve televizive, por që duhet t’i kushtojnë vëmendje ruajtjes nga banalizimet dhe nga varësitë politike. Duke i atribuar rolit të madh të kulturës në të gjithë fushat e jetës sonë, Zeqo theksonte sidomos idesë absolute të përparimit të shtetit, kur në krye, në funksione drejtuese vihen njerëz të ditur, të kulturës, të shkencës, të elitës shoqërore, njerëz të ndershëm , të pakorruptuar, që nuk manipulohen as nga qëllime politike, as nga qëllime partiake. Edhe në shkrime të tij të fundit, si të parandjente, apelonte për bërjen e një reforme rrënjësore në drejtësi.  Zeqo shpesh vinte në dukje se kudo, në çdo aspekt të jetës duhet t’i ruhemi mediokritetit dhe nëqoftëse duam përparim të shtetit tonë, të kombit tonë, të popullit tonë duhet të udhëhiqemi nga kulti i Punës.

Mokiom Zeqo lindi në qershor, por… dhe në qershor u nda nga jeta, nga familja, nga miqtë dhe shokët, u nda prej nesh, por iku për të mbetur gjithmonë dhe gjithmonë duke e ngritur vetë piedestalin e lavdisë dhe thjeshtësisë së tij me veprën e tij të madhe të mermertë.

NOA