Basha: Sot ka një dritë shprese për shqiptarët, PD do të mundësojë hapjen e negociatave

460
Sigal

·       
Rekomandimi
për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian
është një lajm i shkëlqyeshëm për Shqipërinë dhe për gjithë shqiptarët.

·       
Reformat
e thella që ne ndërmorëm hodhën gurët e themelit dhe ndërtuan konturet e këtij
procesi përmes asociimit të Shqipërisë dhe përmbushjes së gjithë detyrimeve për
marrjen e statusit kandidat.

·       
Rruga
që kemi përpara është e vështirë, sfida të mëdha dhe të menjëhershme na presin,
mbi të gjitha zgjedhjet e ardhshme dhe prerja e lidhjes së politikës me krimin

·       
PD,
partia e interesit kombëtar, partia e integrimit europian të vendit do të jetë
po kështu partia që do të hapë negociatat me Bashkimin Europian, dhe përmes
bashkimit të të gjithë shqiptarëve që duan një qeveri të kontrolluar nga
qytetarët dhe jo nga krimi, që duan një qeveri të pastruar nga korrupsioni, çka
mund të kaloj vetëm përmes një drejtësie vërtetë të pavarur dhe jo të kapur nga
qeveria, ne do t’ia dalim.

 

Konferenca e plotë për mediat e Kryetarit të Partisë
Demokratike Lulzim Basha

 

Të dashur bashkëqytetarë,

Të nderuar përfaqësues të medias,

Rekomandimi për hapjen e negociatave për
anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian është një lajm i shkëlqyeshëm për
Shqipërinë dhe për gjithë shqiptarët.

Urojmë dhe shpresojmë që ky rekomandim të
kthehet sa më parë në një vendim të Këshillit Europian për hapjen e negociatave
të Shqipërisë. Kjo është një fitore në radhë të parë e qytetarëve shqiptarë që
kanë besuar dhe besojnë tek e ardhmja europiane e vendit, që kanë luftuar dhe
luftojnë për të ardhmen europiane të vendit. 

Hapja e negociatave do të jetë fillimi i
një rruge të gjatë, të vështirë por të sigurt dhe të pakthyeshme të përparimit
të vendit tonë.

Sot ka një dritë shprese për të gjithë
shqiptarët që e duan Shqipërinë si gjithë Europa. Në çerekshekullin e kaluar
Shqipëria ka njohur probleme të mëdha, kriza të rrezikshme shoqërore dhe
politike dhe si shumë shpesh ka njohur edhe dështime. Prandaj ia dedikoj këtë
arritje, në radhë të parë dhe ja njoh si meritë njerëzve të thjeshtë, ka qenë
forca e dëshirës së tyre dhe presioni që i kanë bërë politikës ajo që i ka
detyruar politikën të ndërmarrë hapa në procesin e integrimit.

Si kryetar i Partisë Demokratike, partisë
së lindur me sloganin :“Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!”, partisë që i
kontribuoi këtij vendi me firmosjen e marrëveshjes së stabilizim asociimit, me
dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Europian, me marrjen e
rekomandimit pozitiv për statusin kandidat; si partia që bëri të mundur lëvizjen
e shqiptarëve pa viza në zonën Shengen, nuk mund të mos shpreh vlerësimin më të
madh për kontributin që kanë dhënë burrat dhe gratë, demokratë dhe demokrate,
Partia Demokratike bashkë me gjithë shqiptarët në këtë proces.

Reformat e thella që ne ndërmorëm hodhën
gurët e themelit dhe ndërtuan konturet e këtij procesi përmes asociimit të
Shqipërisë dhe përmbushjes së gjithë detyrimeve për marrjen e statusit kandidat.

Natyrisht vlerësoj kontributin e gjithë
kujt tjetër në këtë proces. Rruga që kemi përpara është e vështirë. Sfida të mëdha
dhe të menjëhershme na presin, mbi të gjitha zgjedhjet e ardhshme dhe prerja e
lidhjes së politikës me krimin, e cila ka rezultuar në një dëm të pallogaritshëm
për të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë, me formën e saj më akute,
kanabizimin e vendit.

Partia Demokratike dhe unë jemi të
vendosur të jemi në krye të këtyre përpjekjeve. Personalisht zotohem se do të bëj
çdo gjë që politika të kthehet në një instrument që i shërben aspiratave të
qytetarëve dhe mbi të gjitha të aspiratës së tyre europiane.

Kjo rrugë e vështirë do të kaloj doemos
përmes disa sfidave me të cilat për fat të keq kryeministri sot refuzoi të përballet.
Sfida numër një mbetet ajo e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sfidë po kaq e
madhe, siç u shprehën qartë komisioneri Hahn, që dëshiroj ta falënderoj bashkë
me ekipin e tij dhe përfaqësuesja e Bashkimit Europian në konferencën me
Kryeministrin, mbetet lufta kundër krimit, lufta kundër korrupsionit, fusha në
të cilat Shqipëria nuk ka bërë përpara.

Ndaj dua të siguroj qytetarët shqiptarë
se PD, partia e interesit kombëtar, partia e integrimit europian të vendit do të
jetë po kështu partia që do të hapë negociatat me Bashkimin Europian, do të nisë
këtë proces kulmues për ëndrrën tonë europiane. Dhe përmes bashkimit të të
gjithë shqiptarëve që duan një qeveri të kontrolluar nga qytetarët dhe jo nga
krimi, që duan një qeveri të pastruar nga korrupsioni, çka mund të kaloj vetëm
përmes një drejtësie vërtetë të pavarur dhe jo të kapur nga qeveria, ne do t’ia
dalim.

Pyetje:
Z. Basha ju po thoni që sigurisht Partia Demokratike ka patur një rol në procesin
e integrimit të Shqipërisë, por kjo që u vendos sot nga Bashkimi Europian është
vlerësimi i reformave të kësaj qeverie të cilat e çuan në këtë moment. Në fakt
nuk u dëgjua nga ana juaj asnjë deklaratë në lidhje me atë që është ndërmarrë
gjatë kësaj kohe dhe ka çuar në këtë vendim? Bashkimi Europian nuk foli për
zgjedhje të lira apo për çështje të cilat ju i keni kërkuar jo vetëm në Shqipëri
por edhe në arenën ndërkombëtare siç janë zgjedhjet e lira apo krimi, sigurisht
kusht ishte ligji i Vetingut dhe zbatimi i këtij ligji. Si e shihni ju këto dy
momente?

Basha:
Së pari, më lejoni t’ju them se PD është e vendosur
të japë kontributin e saj dhe e ka provuar këtë me vepra dhe jo me fjalë. Dy
reforma thelbësore, të vlerësuara nga Komisioni Europian do të ishin të
pamundura pa PD, pa qëndrimin tonë të palëkundur pro europianist dhe pro
vlerave të Europës. Reforma në drejtësi, konsensusi unanim për ndryshimet
kushtetuese është shprehimisht vlerësuar nga Komisioni Europian si një
kontribut thelbësor i opozitës shqiptare, i Partisë Demokratike.

Së dyti, ligji për dekriminalizimin, për
prerjen e lidhjeve të krimit me politikën dhe politikës me krimin është vlerësuar
botërisht, ndërkomëbtarisht si një hap i domosdoshëm për ecjen përpara të Shqipërisë.

Pyetja që më bëtë për zgjedhje të lira
dhe të ndershme, mund t’ua kthej ju dhe përmes jush edhe atyre që na ndjekin përmes
medias: A ka shqiptarë demokratë apo socialistë, apo  të çfarëdo bindje që beson se Shqipëria mund të
ecë qoftë edhe një milimetër përpara drejt bashkimit me kombet europiane në
Bashkimin Europian, pa garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme?! 

Më lejoni të shkoj një hap me tej. A
mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme pa prerë lidhjet e krimit me
politikën, çka do të thotë zbatim i plotë i ligjit të dekriminalizimit?

A mund të ketë zgjedhje të lira dhe të
ndershme në një vend ky aktiviteti kryesor ekonomik, si volum i Prodhimit të
Brendshëm Bruto është kthyer kultivimi 
dhe trafikimi i drogës?

A mund të ketë zgjedhje të lira dhe të
ndershme me një qeveri që ekziston vetëm për të zhvatur buxhetin e qytetarëve
shqiptarë përmes prokurimeve pa tender?

Këto janë probleme të thella dhe të
mprehta që raport-progresi i Komisionit Europian i ngre qartë dhe në mënyrë të
vendosur për këdo që ka sy për të lexuar dhe veshë për të dëgjuar.

Partia Demokratike ka dhënë kontributin
e saj për reformën në drejtësi dhe do të vazhdojë ta japë atë. Por jo një
reformë në drejtësi ku kryeministri apo ministrat e tij të siguerojnë imunitet
përmes mbajtjes në sistem të prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar që
mbyllin dosjet e tyre apo futjes në sistem të militantëve që garantojnë mosndëshkueshëmrinë
e tyre.

Ndaj është e domosdoshme të zbatohet
reforma në drejtësi sipas konsensusit unanim të 22 korrikut. Partia Demokratike
dhe unë qëndrojmë për këtë: Zbatimin e plotë, pa mëdyshje të Kushtetutës së 22
korrikut. Është pala tjetër e cila në dhunim të hapur të zotimeve që kishte
marrë çoi në Kuvend dhe miratoi pa konsensusin e opozitës ligje që bien ndesh
me Kushtetutën e 22 korrikut.

Pse e bëri këtë?! Sepse mesa duket nuk është
në interesin e saj zbatimi i menjëhershëm i këtyre amendamenteve kushtetuese, të
cilat ne i kemi votuar me ndërgjegje të plotë dhe kanë mbështetjen e plotë të
opozitës deri në zbatimin e tyre deri në një. Këtë kërkon Bashkimi Europian, ky
është një ndër kushtet që u radhit sot bashkë me lajmin e mirë që iu dha
shqiptarëve dhe për këtë Bashkimi Europian, qytetarët shqiptarë, duhet ta
llogarisin Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën si aleatin dhe mbështetësin
numër një.

Ne nuk do të lejojmë zhbërjen e Reformës
në Drejtësi. Ne nuk do të lejojmë një drejtësi të kapur nga Kryeministri. Por
kemi besim të madh se përmes ndihmës së faktorit ndërkombëtar përmes
mekanizmave kushtetues që vendi zotëron, do ta rikthejmë në binarët kushtetues procesin
e reformës në drejtësi, dhe do të nisim pa vonesë zbatimin e kësaj reforme, si
një ndër kushtet kryesore për ecjen përpara të Shqipërisë, për hapjen faktike
të negociatave që është objektivi më madhor i Partisë Demokratike e që do të
jetë pa dyshim arritja jonë më e parë pas marrjes së besimit të qytetarëve
shqiptarë.

Pyetje:
A do të bashkëpunoni me mazhorancën për reformat, pasi z.Rama sapo u shpreh
skeptik për mungesën e vullnetit të opozitës duke ju konsideruar madje edhe
bllokues?

Basha:
Z. Rama në të kaluarën jo fort të largët, ka bërë deklarata fort të rënda të
cilat janë mbajtur shënim se çfarë thotë dhe se çfarë bën. Ti thuash Policisë
së Shtetit se armiku juaj kryesor nuk është krimi por është opozita, nuk është
thjesht lajthitje, por është një qëndrim i qartë, jo vetëm kundër opozitës, por
edhe në raport me krimin. Por, nuk jam këtu për të folur për z. Rama, sepse për
z. Rama sot besoj ka një konsensus të madh shoqëror dhe politik: Largimi i tij
i hap rrugë zbatimit të kushteve të Bashkimit Europian. Dhe ne do të punojmë me
të gjithë qytetarët e ndershëm shqiptarë për të larguar çdo pengesë, çdo
pengesë që qëndron në rrugën europiane të Shqipërisë.

Sot bëri sikur shtriu dorën e bashkëpunimit
ndaj opozitës. Por edhe kur dorën e ka patur të mbledhur grusht, edhe kur
gjuhën e ka patur, siç e ka të helmatisur në raport me opozitën, kjo opozitë,
kjo Parti Demokratike dhe ky kryetar kanë bërë gjithçka dhe do të vazhdojnë të
bëjnë gjithçka për të nesërmen europiane të Shqipërisë.

Sepse kjo nuk ka të bëjë me Edi Ramën,
nuk ka të bëjë me një njeri, por ka të bëjë me qindra, mijëra familje
shqiptare, me fatin e miliona shqiptarëve sot dhe nesër. Ndaj, kemi qëndruar
fuqishëm për vlerat themelore të Bashkimit Europian, vlerat themelore të
Europës. Drejtësinë e pakapur. Një vit e gjysëm betejë për të mposhtur puçin
institucional që kishte përgatitur dhe gatuar dhe ja dolëm. Tani, nuk kërkojmë
asgjë më shumë dhe nuk pranojmë asgjë më pak se zbatimi në gërmë dhe në shpirt
i Kushtetutës së 22 korrikut. Dekriminalizimin, nuk e kërkuam për veten tonë, por
e kërkuam sepse jemi të bindur se as Bashkimi Europian, as Shtetet e Bashkuara
të Amerikës, as NATO, askush nuk mund të pranojë apo të tolerojë një vend që
humb dinjitetin e tij përmes një qeverie të kontrolluar nga krimi. Dhe kjo vlen
edhe për zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Nuk bëhet fjalë thjesht për kritere
teknike. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme për Partinë Demokratike, për mua, jam
i bindur për shumicën e një pjese dërrmuese të shqiptarëve, janë një proces i
zëvendësimit të një qeverie të korruptuar dhe të kontrolluar nga krimi, me një
qeveri të kontrolluar nga qytetarët shqiptarë dhe që i shërben qytetarëve
shqiptarë.

Për këtë nuk duhet thjesht një ndryshim,
por duhet një përmbysje totale e këtij sistemi që i ka nxjerrë qytetarët
shqiptarë jashtë vendimmarrjes, që ka asgjësuar hapësirën politike të debatit
dhe ku vendimmarrjet më të rëndësishme për shëndetësinë, për arsimin, për
bujqësinë, për punësimin, për prokurimet, merren në zyrat e krimit. Këto janë
sfida të vërteta. Ky është realiteti me të cilin përballen sot shqiptarët dhe
opozita është në ballë të përpjekjes për ti dhënë shqiptarëve shpresën dhe
besimin tek një e nesërme europiane.

Sot kemi këtë lajm, të mirë, i cili vjen
pa dyshim si rezultat i kontributit tonë në shumë vite. Vjen gjithashtu si
rezultat i të vetmes reformë ku duhej kontributi i opozitës dhe opozita e dha
këtë kontribut, por që mbetet peng jo si rezultat i mosbashkëpunimit të Partisë
Demokratike me qeverinë, por si rezultat i mosbashkëpunimit të qeverisë me
opozitën për të luftuar krimin, për të zbatuar ligjin për dekriminalizimin, për
të reflektuar dhe luftuar problemin e madh të drogës dhe për të garantuar
zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Por dora ime mbetet e shtrirë për këdo
që nuk ka interes të mbajë statuskuonë e qeverisë të kontrolluar nga krimi,
statuskuonë e zgjedhjeve që prishin, kapen e blehen. Statuskuonë e kthimit të
drogës në aktivitet kryesor ekonomik të Shqipërisë. Dhe jam i bindur se dora
ime e bashkëpunimit se thirrja ime, thirrja jonë për një aleancë të gjerë,
rezonon sot me shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Ka një shpresë, ka një dritë
në fund të tunelit, por tuneli është i errët dhe i vështirë. Së bashku do t’ia
dalim në krye.

Pyetje:
Z. Basha, Komiteti i Stabilizim Asociimit më parë në Bruksel nuk ka arritur të
dalë në një deklaratë të përbashkët duke qenë se pjesa më e madhe e PD-së  votuan kundër një pjese të amendamenteve të
hartuara nga europarlamentarët. Mendoni sot që një pjesë e deputetëve tuaj
gabuan, pasi Majlinda Bregu votoi si maxhoranca?

Basha:
Më lejoni të korrigjoj informacionin që shpallët këtu. E vërteta është se në 13
mbledhjet e Komitetit të Stabilizim Asociimit ka patur vetëm një deklaratë ku
opozita e drejtuar nga unë ka dhënë konsensusin. Në 12 raste të tjera, ky
komitet nuk ka arritur kurrë në një deklaratë dhe kjo nuk ka të bëjë me
qëndrimet e europarlamentarëve, po ka të bëjë dhe ka pasur të bëjë me
mosrakordimin politik mes mazhorancës dhe opozitës, edhe kur kemi qenë ne në
qeveri, edhe sot kur qeveria është kjo që është.

Dita e djeshme ka qenë ora kur opozita
duhej të vendoste, midis të vërtetës dhe gënjeshtrës. Të pranonte një deklaratë
ku zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dekriminalizimi, korrupsioni dhe problemi
i drogës zeroheshin, apo ti ngrinte këto probleme, këto sfida me qëllim që së
bashku me të gjithë faktorët e interesuar kombëtarë dhe ndëkrombëtarë të bëjmë
ç ‘është e mundur për zgjidhjen e  tyre,
pasi pa zgjidhjen e tyre Shqipëria nuk mund të bëjë asnjë hap përpara. Zgjidhja
e tyre nuk mund të jetë monopol i një partie.

Si opozitë kemi drejtuar gishtin tonë
tek Edi Rama, përgjegjësin kryesor për thellimin e situatës së korrupsionit, të
krimit dhe të drogës. Por nuk na mungon vullneti që me çdo faktor politik dhe
shoqëror të bëjmë detyrën tonë dhe e dimë fare mirë, e dimë ne, e dinë
shqiptarët që na ndjekin, e di Europa, e dinë Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
se Shqipëria mund të ecë përpara vetëm pasi të zgjidhë këto probleme të rënda
dhe të rënduara gjatë këtij tre vjeçari e në veçanti gjatë vitit të fundit.

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, zbatimin
e ligjit të dekriminalizimit dhe trajtimin e problemit të madh me të cilin është
ballafaquar këtë vit, atë të drogës, si aktiviteti kryesor ekonomik i
shqiptarëve. Shpreh besimin tim të madh se kjo shkëndijë shprese për Shqipërinë
Europiane, do të kthehet në një burim frymëzimi për t’u bashkuar me PD, për të
realizuar së bashku reformat e munguara dhe ju jap fjalën se Partia Demokratike
do të jetë në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë dhe do të jemi
ne, partia e interesit kombëtar, partia e integrimit europian të vendit që do
të bëjmë të mundur hapjen e negociatave dhe vazhdimin e rrugës sonë europiane
deri në anëtërësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.