Prof. Dr. Valter Shtylla: Prizreni – Qytet Historik që meriton trajtim të veçantë

423
Sigal

Komuniteti njerëzor është i sistemuar përgjithësisht nëpër një numër të pamatë qytetesh, që nga metropolet deri tek qytezat dhe lokalitetet. Natyra e veçantë, mikroklima, terreni, përmbajtja historike, etj., janë disa nga faktorët që përcaktojnë vlerat dhe efektin tërheqës të një qyteti. Interes të veçantë paraqesin mjaft qytete në Europë që përshkrohet nga lumenjtë si Budapesti, Vjena, Beogradi, Praga, Parisi, Roma, Shkupi, Novisadi, Këlui, etj. ku lumi përbën monumentin kryesor natyror dhe urbanistiko-arkitektonik. Ai rregullon mikroklimën, kultivon kurorën e gjelbër të qytetit dhe përbën faktorin relevant turistik të trojeve ku rrjedh. Edhe në Shqipëri hasen disa qytete të ndërtuara gjatë lumenjëve si Çorovoda e Berati në Osum, Librazhdi, Elbasani e Peqini në Shkumbin, Fieri në lumin e Gjanicës dhe mbi të gjitha qyteti i Shkodrës i rrethuar nga liqeni dhe lumi Buna e lumi Drini i cili kalon edhe në Lezhë. Në veri Drini e Fani lagin Kukësin dhe Rrëshenin, etj. Por ndër qytetet e trojeve shqiptare, me lum që përshkon dhe ndan qytetin, më tërheqës dhe më panoramaniku është qyteti i Prizrenit. Lumëbardhi, siç e quajnë vendasit ndan përmes qytetin nga lindja në perëndim, soditur nga maja e Kalasë.

Lumi vizaton një linjë që pothuaj simetrikisht ndan qytetin dhe me urat dhe monumentet, që e shoqërojnë nga të dy brigjet. Të ngjan me një rrjedhë, që përqendron pranë vetes kulturën historike të qytetit. Por nuk është vetëm lumi, faktikisht simboli i qytetit, ai që e përcakton Prizrenin si një nga qytetet më të rëndësishëm të trojeve shqiptare. Ai është një qytet i mbushur me histori, me ngjarje dhe lëvizje politike dhe përmban në gjirin e tij një numër të konsiderueshëm objektesh dhe monumentesh historike nga të gjitha kohërat, që dëshmojnë për përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe ekzistencë. Prizreni përfaqëson për shqiptarët një qendër politike, ekonomike, tregtare, kulturore e njëherazi edhe një vatër mikpritjeje e mirëkuptimi. Gjatë historisë së tij Prizreni është dëmtuar djegur e shkatërruar disa herë me qëllim e keqdashje e herë rastësisht. Janë dëmtuar asamble historike, kryesisht Varoshi poshtë Kalasë, objekte të veçanta, banesa, vepra kulti etj., bile deri në vitin 1999 e më tej. Megjithatë qyteti e ka ruajtur fizionominë, linjat kryesore, urbanistike, megjithëse të cunguar, siluetën historike, monumentet, etj. Prizreni njihet si vendbanim që në kohët antike. Në shekullin xııı p.e. sonë në këto anë mbizotëronte fisi Ilir i Dardanëve. Për historikun e qytetit tashmë është shkruajtur e botuar shumë. Gjatë funksionimit të rrugës romake e Lissus-Naisus, Prizreni njihet me emrin Theranda. Në këtë shkrim do të trajtojmë monumentet dhe vlerat historike sipas rrjedhës së lumit nga Kalaja e deri në daljen e qytetit. Objekti historik më përfaqësues dhe dominant i qytetit është Kalaja. Ajo është rinovuar në shekullin e VI-të nga parandori Justinian I mbi themelet e një fortifikimi paraardhës ilir i punuar me blloqe. Siç dihet ky perandor ishte me origjinë ilire nga këto anë. Gjatë pushtimit Osman Kalaja ishte e banuar prej garnizonit turk, me gazernat, xhaminë, etj. Poshtë Kalasë shtrihet lagjia Varosh (lagja e parë jashtë Kalasë).

Pak a shumë e ngjashme me Mangalemin e Beratit. Varoshi me banesa dy-tre katëshe me shumë dritare, shtrirë me shkallëzime nga Kalaja deri në lumë, përbën një kompleks ‘Qendër Historike’ me origjinë solide, por sot mjaf të cunguara vende-vende për shkak të djegieve. Kalldrëmet tipike nëpër rrugicat e ngushta copëzojnë integritetin e këtij kompleksi urban të shekujve 18-19-të. Sot ky kompleks historik kërkon një studim të veçantë për zonifikimin rehabilitizimin dhe për qendrimet rast pas rasti. Në vazhdim majtas lumit ndodhet Çarshia (pazari) e qytetit i pasur me zanate si argjendar, armëtar, punishte lëkure, ëmbëltore, etj. Si dhe sheshi i shatërvanit ku janë zhvilluar tubimet politike, etj. Shatervani publik ndërtim i shek. 19 punon edhe sot.

Mbi Varosh ruhet Kisha e Shën Spasit, objekt i vllelieve (armunëve) të ardhur në fillimet e shek. 19 pas djegies së Voskopojës. Ajo është ndërtuar në 1830 mbi themelet e një kishe më të hershme. Karshi Çarshisë lumi kalohej mbi Arasta Çuprinë (ura e zanateve). Ura ishte e mbuluar me dyqane me një rrugicë në mes si urat e njohura të perëndimit. Ura Arastë përurohet për herë të parë në fundin e shek. XVIII-të. Është djegur disa herë, për së fundi në vitin 1913. Nga ura e Arastës takon xhaminë e Sinan Pashasë, një nga objektet kryesore të arkitekturës islame në Kosovë. Ndërtuar në vitin 1615. Portiku i rrëzuar u ringrit përsëri gjatë viteve të fundit. Bajrali xhamia karshi saj është ndërtim më i hershëm, nga viti 1561. Ndër urat më impozant në Lumbardhën e Prizrenit është ura e Gurit, urë simetrike me një hark qëndror dhe dy më të vegjël anash . Ura e Gurit, një lloj simboli i qytetit (festa e vjeljes së rrushit) është ndërtuar në vitin 1979 për t’u ringritur përsëri në vitin 1982. Në qendër të Çarshisë ndodhet Katedralja Katolike e Prizrenit ndërtim i vitit 1870. Rrethohet nga administrata dhe çelat ku në vitet 70 ka qëndruar Nënë Tereza. Në narteksin e kishës në vitin 1878 është pikturuar në afresk Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Janosh Huniadi. Duke ndjekur lumin arrihet tek ura e Suzi Çelebiut, një filantrop vendas, që pat ndërtuar xhami, shkollë dhe një urë. Ura i takon, para 1524 kur ai ndërroi jetë. Ajo sot është e rindërtuar, por jo sipas gjurmëve origjinale. Xhamia e Suziut ruhet në afërsi të urës së tij. Hamami i Gaz Mehmed Pashës, nga shekulli i XVI-të është ndër monumentet më të njohura në bregun e djathtë të lumit. Ka funksionuar si Çift-Hamam për të dy sekset duke qenë një nga banjat mesjetare më të spikatura të Ballkanit turistik. Kisha më e rëndësishme e Prizrenit është ajo e Levishkës e ndërtuar më 1307 mbi themelet e një kishe më të hershme bizantine të shekullit X-të . Në vitin 1596 u kthye në xhami dhe vonë , në vitin 1918 filloi të funksiononte përsëri si kishë. Monumenti më i rëndësishëm historiko-patriotik i Prizrenit është Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit i vitit 1878. Bëhet fjalë për Lidhjen e Kombeve Shqiptare ose, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, e cila u mbajt në oborrin e xhamisë Bajrakli. Godina e Lidhjes sot është e rinovuar pas 3-4 djegieve shkatërruese nga administrata serbe.

Përveç këtyre monumenteve, të themi klasike, në Prizren ka shumë vlera të tjera kulturore si shembuj të arkitekturës popullore- banesa qytetare, ndërtime hidraulike, çezma, ujësjellës, qendra botërore e rufaijve, etj, të cilat nuk mund, të përfshihen të gjitha brenda një shkrimi. Kështu mund të shprehemi se Prizreni i Kosovës përfaqëson një qytet të respektuar shqiptar të mbushur me ngjarje dhe figura historike, me monumente kulturore nga të gjitha gjinitë. Është dëmtuar, por përsëri ruan shumë. Nuk gabojmë po ta kategorizojmë si një nga qendrat ballkanike më me emër në histori dhe me një trashëgimi kulturore-historike tepër të larmishme, çka dëshmon për një popull që e respekton dhe e ruan kujtesën e tij historike. Prandaj edhe ky popull që e do dhe e ruan qytetin me gjithë historinë e tij, meriton dhe ai një respekt konkret të veçantë. Statusin Pasuri Botërore thonë nuk e meriton, sepse paraqitet tepër i dëmtuar. Por në Botën kulturore nuk ka vetëm statuse të UNESKO-s. Në Europë, në Ballkan ekzistojnë shoqata e fondacione, që nominojnë statuse të njohura të merituara. E pra Prizreni meriton cilësime të karakterit ndërkombëtar. Kështu ai do të bëhet më i njohur dhe mund të përfitojë dhe kontribute për trashëgiminë . Në ICOMOS (Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Siteve, në Paris të thonë se duke qënë se Kosova nuk është as në OKB e as në UNESKO nuk mund ta ndihmojmë, por ama të sugjerojnë se mund të pranohen autorë individualë nga Kosova, pa kufizime numëri. Mund të veprojë Ministria e Kulturës në Prishtinë për këtë variant, se siç i thonë fjalës “gur- gurë bëhet Kalaja. Shpresojmë se do të gjendet një zgjidhje e merituar për Prizrenin.