Një rrëfim ndryshe i Mbappe: Lidhjet njerëzore janë shumë më magjepsëse se paratë

256
Sigal

Kylian Mbappe ka dhënë një intervistë të gjatë për “Paris Match” këtë të enjte.

“Lidhjet njerëzore janë shumë më magjepsëse se paratë, – shpjegon ylli i PSG-së dhe kombëtares franceze. – Kam marrë mësime të dobishme në karrierën e deritanishme”.

Ylli francez, që së shpejti do të mbushë 23 vjeç, shton: “Është përvoja e jetës ajo që ka rëndësi, më shumë se të fitosh para, edhe nëse financat janë të rëndësishme, sepse kemi familje për të mbajtur. Unë jam i etur mbi të gjitha për zbulime, udhëtime, takime me lojtarë, kultura të ndryshme…”

Sulmuesi nuk e përmend në intervistë transferimin e munguar të verës te Real Madridi apo të ardhmen e tij: “Ishte pak e vështirë në fillim të konsiderohesha një xhevahir… Fatmirësisht, prindërit e mi nuk më lanë të shpërqendrohesha nga shumat e parave. Dhe ata bënë mirë, ditën të edukojnë një fëmijë 14-vjeçar, pasi i kishin thënë se vlen miliona euro.

Falë kësaj kam një marrëdhënie të qetë me paratë. E di që janë të rëndësishme, jam i lumtur që i kam, por kjo nuk është ajo që më shtyn çdo sekondë të ditës. Dua të mbetem njeri i përulur, pavarësisht statusit që kam tashmë si futbollist. Unë e vlerësoj shumë sinqeritetin”, deklaroi kampioni i Botës me Francën.