Presidenti Meta vlerëson Eparkun e Horës së Arbëreshëvet (Piana Degli Albanesi), Imzot Giorgio Demetro Gallaro me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

191
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Eparkun e Horës së Arbëreshëvet (Piana Degli Albanesi), Imzot Giorgio Demetro Gallaro.

Kreu i Shtetit i akordoi këtë vlerësim me motivacionin: “Me mirënjohje të thellë për veprimtarinë e çmuar dhe të pakursyer në mbështetje të bashkësisë arbëreshe në Siçili. Për përpjekjet e tij të pareshtura në ruajtjen dhe përcjelljen e riteve dhe të traditave kishtare në gjuhën arbëreshe”.

Pasi vizitoi selinë e Kryepeshkopit të Kishës Bizantine Italo-Shqiptare në Siçili, në Eparkinë e Horës së Arbëreshëve, që u themelua më 30 gusht të vitit 1488 nga një grup arbërish nga Himara, Presidenti i Republikës iu drejtua të pranishëve të mbledhur në Kishën e Shën Dhimitrit:

“I nderuar Shkëlqesia e Tij, Imzot Giorgio Demetrio Gallaro,
Të nderuar kryetarë të bashkive arbëreshe,
Të nderuar personalitete të pranishëm,
Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Jam i lumtur të ndodhem këtu mes jush, në Eparkinë e  Horës së Arbëreshëve, në kishën e Shën Dhimitrit dhe të takohem me komunitetin tuaj të mrekullueshëm.

Një komunitet me vlera të rralla historike, më i madhi i pesë komuniteteve në krahinën e Palermos.

Prej shekujsh, komuniteti i Hora e Arbëreshëvet, bashkë me fshatrat e tjerë arbëreshë në Siçili e në Italinë e Jugut, kanë shërbyer si mbartësit e një trashëgimie shumë të rëndësishme për kombin tonë, duke ruajtur me krenari, dashuri dhe fanatizëm gjuhën, kostumet, ritet, traditat dhe besimin, të sjella nga mëmëdheu i tyre, Arbëria.

Kjo vizitë përbën një kënaqësi të shumëfishtë për mua, pasi është hera e parë që një President i Republikës së Shqipërisë, bën një vizitë zyrtare në komunitetin arbëresh të Siçilisë.

Por, mbi të gjitha, dua t’ju shpreh se ndihem gjithmonë krenar dhe i lumtur kur takohem me Arbëreshët, komunitetin e larguar nga atdheu pas vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Atë komunitet që mbajti gjallë identitetin kombëtar, për më shumë se 550 vitesh.

Urat historike dhe kulturore midis arbëreshëve dhe tokës mëmë nuk u rrënuan kurrë, as në momentet më të vështira të historisë sonë.

Dhe fjalë si arbër, arbëresh, Arbëri janë ruajtur dhe rrojnë sot prej arbëreshëve.

Në rastin e 500-vjetorit të themelimit të Horës së Arbëreshëve, poeti ynë i shquar Dritëro Agollit, në fjalën e tij tha: ‘Arbëreshët janë bijtë tanë pasi nëna e tyre është Shqipëria. Për sa u përket zakoneve, riteve, trashëgimisë kulturore e materiale dhe gjuhës, janë edhe pararendësit tanë, sepse na japin mundësinë të njohim mënyrën e jetesës së shqiptarëve në Shqipërinë e shekullit të 15-të.’

Ne u jemi shumë mirënjohës arbëreshëve edhe për faktin se ruajtën me shumë dashuri figurën e Skënderbeut, dhe po me aq dashuri e kthyen atë sërish gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare duke e bërë atë figurën e bashkimit të gjithë kombit tonë.

U jemi mirënjohës për figura të shquara të letërsisë sonë si Jeronim De Rada, Gavril Dara dhe Zef Serembe, e shumë figura të tjera të ndritura.

Që prej gjysmës së parë të shekullit të 19-të, projekti i parë i Rilindjes Shqiptare, i cili ishte një projekt thellësisht europian, u formulua nga figurat e komunitetit arbëresh.

I jemi mirënjohës edhe Kishës Italo-Arbëreshe, e cila është dalluar në historinë e saj të gjatë dhe martire në udhëheqjen shpirtërore dhe njerëzore të komunitetit arbëresh përgjatë gjashtë shekujve.

Komuniteti arbëresh mbetet sot ruajtësi i vetëm i gjuhës, që Skënderbeu dhe bashkëluftëtarët e tij folën gjashtë shekuj më parë.

Ky është një thesar i madh për kombin tonë, për Italinë dhe për trashëgiminë europiane dhe botërore.

Ndaj edhe ruajtja e traditave, dhe veçanërisht ruajta e gjuhës arbëreshe del sot si një detyrë parësore që kërkon kontributin e të gjithëve.

Dëshiroj të theksoj edhe mbështetjen e madhe, që arbëreshët dhanë për atdheun e tyre të ri, Italinë, e cila me rolin integrues, me miqësinë e saj të pashtershme, dhe zemrën e madhe të popullit Italian, krijoi për gjashtë shekuj një mjedis miqësor.

Por ndërkohë krijoi edhe kushtet, që arbëreshët të bëhen pjesë e pandashme e shoqërisë, pa u detyruar të ndryshojnë identitetin, përkundrazi, duke e konsideruar atë identitet të çmuar edhe për Italinë.

Dhe për këtë u jemi gjithmonë mirënjohës popullit të mrekullueshëm italian, shtetit dhe autoriteteve italiane dhe Kishës për punën dhe përkushtimin e vyer që ka dhënë ndaj komunitetit arbëresh.

I shpreh mirënjohjen edhe Hirësisë së Tij, Giorgio Demetrio Gallaro për punën e tij të dalluar episkopale që po bën në shërbim të arbëreshëve.

Komuniteti arbëresh, kjo pasuri e çmuar që lidh edhe më fort dy popujt tanë, meriton më shumë përkushtim dhe kontribut nga të dy anët e Adriatikut, për të arritur regjistrimin e trashëgimisë arbëreshe në UNESCO.

Duhet të kemi një vëmendje më të madhe ndaj komunitetit arbëresh të Italisë, për të lidhur më ngushtë brezat e rinj të një gjaku, të frenojmë fenomenin e humbjes së gjuhës së folur arbëreshe, veçanërisht në brezat e rinj.

Me gjithë kontributin e madh për ruajtjen e arbërishtes nga Katedra e Gjuhës Shqipe e Universitetit të Palermos, si edhe departamenti i Gjuhës Shqipe i Universitetit të Kozencës, sot gjendemi përballë një rreziku serioz të humbjes së gjuhës arbëreshe.

Kjo do të ishte një humbje e madhe jo vetëm për arbëreshët, të cilët e kanë ruajtur atë me fanatizëm dhe dashuri për 550 vjet, por edhe për Shqipërinë, Italinë dhe për të gjithë trashëgiminë dhe kulturën europiane e botërore.

I shtyrë nga ky shqetësim, në rolin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në tetor të vitit 2019, ndërmora nismën për krijimin e Forumit “U jam arbëresh,” duke përfshirë personalitete të shquara nga të dyja vendet tona, personalitete të Kishës Italo-Arbëreshe, gjuhësisë, historisë, etj, me misionin për të dhënë një kontribut konkret në ruajtjen e zhvillimin e gjuhës, traditës dhe kulturës arbëreshe, por edhe për të forcuar lidhjet midis brezave të rinj dhe jo vetëm, nga të dy anët e Adriatikut.

Çdo takim me arbëreshët për mua ka një rëndësi të veçantë dhe më ngjall gjithnjë e më shumë një frymë atdhedashurie dhe krenarie për historinë, traditën, kulturën dhe trashëgiminë e popullit shqiptar.

Gjithashtu, arbëreshët janë një shembull i gjallë i marrëdhënies së shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Italisë, midis dy popujve tanë, të cilët kanë një urë lidhëse kaq të çmuar, si komuniteti arbëresh, që na bën krenarë dhe e forcon edhe më shumë lidhjen tonë shekullore.

Kam kënaqësinë që në emër të popullit shqiptar, t’i akordoj Hirësisë së Tij, Imzot Giorgio Demetrio Gallaro Titullin e lartë ‘Kalorësi i Urdhrit të Skënderbeut’, personalitetit të shquar, i cili ndërton në unitet, dhe u shërben me devotshmëri bijve të Arbërisë dhe pasardhësve të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.”