Gjykata Kushtetuese rrëzon ankesën e partive të vogla për ndarjen e fondeve pas zgjedhjeve

274
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Gjykata Kushtetuese rrëzon ankesën e partive të vogla, të rreshtuara në koalicionin e drejtuar nga Partia Demokratike, për ndarjen e fondeve pas zgjedhjeve. Partia Agrare Ambientaliste, Partia Republikane, Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partia Demokristiane e Shqipërisë, kërkuan nga Gjykata që të shfuqizojë parashikimin e ndarjes së fondeve për partitë pjesëmarrëse në koalicion, mbi bazën e mandateve që kanë marrë në zgjedhjet e fundit. Në vend të kësaj formule, këto parti kërkuan që fondet, të ndahen mbi bazën e votave që marrin secili subjekt pjesëmarrës në koalicion. Si shembull, me formulën e lënë në fuqi nga Kushtetuesja, Partia Republikane, do të përfitojë fonde për zgjedhjet e radhës, vetëm për dy mandate, aq sa deputetë ka nxjerrë në Kuvend.

Argumentet e Gjykatës  Kushtetuese

Në rrëzimin e kërkesës së aleatëve të PD-së për formulën e shpërndarjes së parave për partitë politike mbi peshën elektorale që ato kanë, Gjykata Kushtetuese ka vënë në peshore dy parime.

Së pari, parimin e barazisë para ligjit, që në pretendimin e aleatëve të PD-së shkelej nga përcaktimet e Kodit Zgjedhor për ndarjen e fondeve dhe së dyti, seriozitetin dhe ndarjen e drejtë e objektive të këtyre fondeve, mbi bazën e peshës reale që partitë kanë në elektorat. Në fund, Gjykata Kushtetuese ka vendosur në unanimitet se përcaktimet e Kodit Zgjedhor, nuk cenojnë parimin e barazisë dhe janë në përputhje me Kushtetutën e vendit.

U rrëzua gjithashtu edhe kërkesa e bazuar te procedurat, pasi siç pretenduan partitë kërkuese ndryshimet kaluan me procedurë të përshpejtuar. Gjykata tha se në bazë të dokumentacionit të shqyrtuar, nuk rezulton kështu dhe se, nisma është e paralajmëruar dhe depozituar në Kuvend, që në janar të vitit të kaluar. “Në këto kushte, metodologjia e përdorur për shpërndarjen e fondeve partive anëtare të koalicionit, sipas mandateve dhe jo sipas votave, nuk e cenon parimin e barazisë, pasi ekziston përligjje e arsyeshme dhe objektive, që është pamundësia e identifikimit të votave që merr secila parti si pjesëtare e koalicionit”, thotë Gjykata Kushtetuese në arsyetimin e saj. Gjykata citon vendime të ngjashme nga Gjykatat Kushtetuese të Çekisë, Letonisë dhe Gjermanisë. Në praktikat e këtyre gjykatave, ligjvënësi e ka lidhur shpërndarjen e këtyre fondeve me rezultatin e zgjedhjeve dhe numrin e mandateve përfaqësuese në Kuvend, sepse kjo reflekton pozicionin real të një partie politike dhe veçanërisht shkallën e pjesëmarrjes në pushtetin legjislativ. “Ky është një kriter i mjaftueshëm për t’i ndarë partitë politike në ato që kanë një domethënie reale për veprimtarinë politike në vend, bazuar në vullnetin e votuesve që ato përfaqësojnë, dhe në ato që nuk arrijnë të përfaqësojnë një pjesë domethënëse të zgjedhësve, pasi rezultojnë të pasuksesshme në zgjedhje. Ky parashikim ka si qëllim të kufizojë ekzistencën e subjekteve që marrin pjesë në zgjedhje, kryesisht për të përfituar fonde nga buxheti i shtetit, por që nuk kanë peshë reale në jetën politike të vendit dhe mbështetje domethënëse nga zgjedhësit”, thotë Gjykata Kushtetuese.