/Gazeta TELEGRAF
Duke ndjekur me shumë vëmendje në tv punimet e kongresit të PD-së.
Duke dëgjuar me respekt diskutantët dhe raportin, më vinte ndërmend një autori i shekullit të 11-të, poet dhe filozof, ka shkruar një libër që në shqip e përkthej si “Përzgjedhja e Perlave”, quhet Shlomo Ibn Gabirol, hebre i vjetër.
Aty ai thotë se ka katër mundësi për t’u pozicionuar përballë së vërtetës djegëse:
- Janë ata që e njohin ku qëndron problemi dhe e dinë se ku është problemi. Ca prej tyre e thonë, ca e mendojnë por nuk e thonë, ca thonë të kundërtën e asaj që dinë, sepse janë batakçinj ose kopilë të mëdhenj. Ose liderë të mëdhenj!
- Ca të tjerë e dinë se ku fle ariu, pra e dinë të vërtetën, por nuk e dinë se e dinë. Këta ose janë tipa modestë, të sjellshëm, ose nuk kanë guxim t’i pohojnë vetes ato që dine, sepse nuk ua mban, kurrizi, ose sepse kanë aftësi mendore të kufizuara.
- Ka të tjerë që nuk e dinë të vërtetën, nuk e njohin problemin, por nuk e dinë që nuk e dinë, dhe për rrjedhojë kujtojnë se e dinë. Këta janë mendjefyella ose tipa që kënaqen me ca hamendje që i marrin si të vërteta ose mendojnë sa diametri i një gote rakie, ose aq dinë. Ose janë të sinqertë, por të padobishëm.
- Ka të tjerë realistë që nuk e dinë fare ku qendron problemi, ku është e vërteta, por ama e dinë që nuk e dinë dhe janë të qetë, të heshtur, presin një biletë vajtje – ardhje, kaq!
E more, Shlomoooooo, sa i madh je! Kujtojnë këta se je naiv!