Gëzim Zilja: Analistët e ekranit, “Trapi i Meduzës” dhe Avni Delvina

824
Sigal

Gëzim Zilja

Këto ditë është hapur në Tiranë në hollin e Teatrit Kombëtar ekspozita e piktorit Avni Delvina, që ka ngjallur një interes të jashtëzakonshëm. Në të trajtohet qëndresa e qytetarëve të Tiranës, përballë kryetarit të Bashkisë, që për interesa korruptive vazhdon të zhdukë në çdo pëllëmbë toke të Tiranës historinë, kulturën, traditën dhe identitetin kombëtar. Heroik është veçanërisht qëndrimi e një grupi aktorësh qëndresa e të cilëve ze një vend të rëndësishëm në tablotë e piktorit. Ekspozita u shoqërua nga një album modest me hyrje nga Adriana Kalaja dhe dy vlerësime njëri nga përkthyesi, poeti dhe publicisti Jozef Radi dhe tjetri me katër fraza ekstrakt nga piktori dhe kritiku Adrian Devolli, udhëheqës shpirtëror i Avni Delvinës. Në morinë e pikturave të vendosura plot art e shije por edhe me një kurajë qytetare të rrallë, në hollin e Teatrit Kombëtar spikat një pikturë e veçantë: Ajo titullohet “Heroika e kompromisit” dhe paraqet një trap midis dallgëve ngarkuar me qenie njerëzore në kufijtë e mbijetesës. Në vend të fytyrave të shpërfytyruara të “pasagjerëve” fatkeq të trapit, vizitori dallon lehtësisht fytyrat e një grupi analistësh shqiptarë (një gjetje brilante) me shprehje nga më të ndryshmet. Anash tablosë Delvina, ka vënë këtë diçiturë: “Heroika e Kompromisit. Trapi i Meduzës, vepër e Theodore Gericault (Teodor Xheriko, 1791-1824), plotësuar me figurat e përnatshme të medias shqiptare në shërbimet kazanore të pushtetit! Njeriu… kjo krijesë e brishtë por e aftë për ta manipuluar të vërtetën.” Para se të themi dy fjalë për mesazhet tronditëse dhe të papërsëritshme. që jep kjo tablo e huazuar nga një kryevepër botërore, tashmë e shqiptarizuar plotësisht në ide, ngjyra e mesazhe nga mjeshtri i madh, po sqarojmë shkurt historinë e Trapit të Meduzës.

Meduza, një fregatë francese me katërqind marinarë e pasagjerë në bord, për një gabim trashanik të kapitenit pëson një defekt të rëndë, rreth 160 km nga brigjet e Mauritanisë, më 2 qershor 1816. Ashtu si te “Titaniku”, “Meduza” nuk kishte mjaftueshëm barka shpëtimi. Dyqind pjesëtarë të anijes kryesisht njerëz të kamur largohen me barkat e shpëtimit. Më 5 qershor, 147 marinarët dhe një pjesë e pasagjerëve, pasi ndërtojnë një trap, përpiqen të hipin në të. Gati gjysma nuk arriti të hidhej në trapin e improvizuar dhe u mbyt. Pjesa tjetër u braktis nga anijet e shpëtimit, duke u lënë në mëshirë të fatit. Trembëdhjetë ditë zgjati odiseja e marinarëve deri sa u gjetën nga një anije e rastit që kalonte andej. Nga 147 të braktisurit e anijes shpëtuan vetëm 15 vetë. Ajo që ndodhi në “Trapin e Meduzës” ishte përtej imagjinatës njerëzore. “Pasagjerët” e trapit, pa ushqim, pa ujë dhe asnjë ndihmë kaluan në gjendje çmendurie. Ngjarja u fsheh nga autoritetet franceze për të mos treguar humbjen e anijes, por sidomos atë që ndodhi me të mbijetuarit që përfunduan, duke u ushqyer me kufomat e shokëve të tyre. Piktori asohere vetëm 27 vjeç, zbuloi ngjarjen, madje arriti të takojë dhe dy nga të mbijetuarit, të cilët i kallëzuan me hollësi se ç’ndodhi me njerëzit e braktisur në trap. Ai punoi dy vjet 1817-1819 mbi tablonë gjigante, në vaj, me përmasa 491cm x 716cm, e ekspozoi në Paris në vitin 1819, duke zbuluar të vërtetën që shkaktoi një tërmet në shoqërinë franceze.

Delvina është marrë vetëm me pjesën kanibaleske të të mbijetuarve, duke hequr një paralele të llahtarshme me analistët e përnatshëm të ekraneve shqiptare, që “ndukin e shqyejnë” njëri-tjetrin në shërbim të rrogave të majme, që u paguajnë pronarët e ekraneve dhe njëkohësisht zotërit e vërtetë të Shqipërisë.

Ata dalin çdo natë tash tridhjetë vjet duke dërdëllitur lloj-lloj sofizmash ndërsa Shqipëria zhytet thellë e më thellë në batakun e korrupsionit, mungesës së lirisë dhe të vërtetës. Zanafillën kjo histori e shërbimit kundrejt një rroge për të fshehur të vërtetën e ka qysh në ngjarjet e vitit 1997, kur me shkrimet e tyre, disa nga analistët e sotëm (Atë kohë ende pushverdhi e pushverdha) kundrejt një shpërblimi apo page i hidhnin benzinë zjarrit, dezinformonin dhe ndihmuan që shqiptarët të merrnin armët e të vrisnin njëri-tjetrin. Vlorën ata e përcaktuan si një “Bastijë të Shqipërisë”, “një vend që duhet të marrë shembull Evropa sesi fitohet liria,” ”se në Vlorë kanë zbarkuar ushtarë rusë e serbë,” “se për liri në Vlorë janë ngritur dhe fëmijët, të cilët përshëndesin me grusht dhe të dhurojnë një fishek në vend të luleve” etj., etj. Ata përkrahën Komitetet e Shpëtimit Publik, formacione të armatosura të ekstremistëve të majtë dhe kriminelëve dalë nga burgjet (shih emrat me dokumentet e plota në librin “Skaner 1997”) për të rrëzuar qeverinë e atëhershme. Edhe kur hapeshin depot e u vihej zjarri institucioneve shtetërore, vriteshin tre policë në një ditë në Vlorë, edhe kur u vranë gjashtë gardistë në Cërrik, ata shkruanin: “Kur i pyesim se kush i dogji institucionet apo vrau gardistët e policët, njerëzit e revoltuar përgjigjen: Populli. Ata i vrau populli i revoltuar”, kur vrasësit diheshin. Pak, fare pak gazetarë të asaj kohe (edhe sot ata që guxojnë të thonë të vërtetën nuk e kalojnë numrin e gishtave të njërës dorë.) thanë e treguan të vërtetën. Kanë kaluar dy dekada nga viti ’97 dhe pushteti i katërt ende vazhdon t’u shërbejë klaneve politike dhe sundimtarëve kalimtarë, duke thelluar ndarjen politike të shqiptarëve e urrejtjen midis tyre. Kazan, tepsi, kusi, raki, Kadri, ulli, qepë, gjizë, e provincial, i quan kryeministri në intervistat e tij maratonë e të pakuptimta, madje nuk i lë as të flasin. Dhe ata belbëzojnë, nuk ngrenë zërin, heshtin, djersijnë nga sikleti dhe as u shkon mendja të paktën të largohen nga ajo sallë ku i fyejnë dhe i ndalojnë të flasin. Kur janë me njëri-tjetrin bëjnë luanin, tigrin apo hipopotamin dhe, jo rrallë filozofin, duke grirë sallatë deri në orët e vona. Po unë mendoj se mjeshtri Delvina, me kapërcimet, krijimet, montazhet, ngjyrat e imagjinatën e tij të pakrahasueshme duhet të na japë dikur një variant tjetër të “Trapit të Meduzës”. Atje duhet vendosur populli shqiptar, i braktisur, i varfër, i dëshpëruar, pa shpresë lënë në mëshirën e fatit dhe të Zotit. Ky popull në vend të ngrihet kundër të keqes që e ka pllakosur dhe të kërkojë drejtësi, vret vëllanë për një vijë uji, shemb në dru gruan, nënën e kalamajve të vet, vret një të panjohur se i gërvishti makinën, kërkon të marrë arratinë nga ky vend i mallkuar ku nuk po gjejnë derman as të gjallët e as të vdekurit tash 107 vjet. Sepse ka po aq vite që e grabisin dhe e “tredhin” nga trutë. A bëhet një tablo e tillë Avni Delvina? E dhimbshme është, por tani për tani, njeri popull shqiptar po shqyen e kafshon (këtu nuk mohohet dhe “ndihma” e përnatshme e analistëve) atë popullin tjetër, po shqiptar, kushëri, komshi apo farefis për mbijetesë, për një pulë, për një lopë, për dy metra gardh apo një vakt buke më shumë..

Post Scriptum: Megjithëse kryeministri i shan, i ofendon, i tall dhe injoron analistët, si arëzat rreth mjaltit, ata nuk mungojnë t’i shkojnë në intervista, edhe pse të gjitha herët shkojnë për lesh e dalin të qethur e të rruar. Por çuditërisht asnjë nga analistët e nxjerrë në “Trapin e Meduzës” shqiptare të Avni Delvinës, nuk ka shkuar ta shohë ekspozitën. Duket sikur janë marrë vesh midis tyre e kjo duhet të ketë një arsye të fortë. Ndoshta nuk kanë kurajë, sepse ndihen mëkatarë!? Po si thoshte Gëtja:

“Guximin ke humbur?

Gjithçka ke humbur

Te jesh i bindur

Më mirë të mos kishe lindur.”