Vangjush Saro: Hipokrizia e listëbërësve

331
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Fushata për zgjedhjet politike të 25 prillit po hyn në një fazë të vështirë, për shkak të rrëshkitjeve të politikanëve në gropat që kanë hapur vetë më parë. Kështu, ka një përpjekje për të afirmuar emra që janë vetiu të afirmuar, emra që na kujtojnë me seriozitet shkollimin, familjen, punën, parimet. Për shembull, kam dëgjuar disa herë, me shumë respekt, Profesoreshën Luljeta Bozo, përkatësisht një nga këto përzgjedhje, një nga këta “yje” që tash po shkëlqejnë sikur të mos ishin më parë kurrkund… (“Më shumë se për dashuri, para e famë, kam nevojë për të vërtetën.” Henry David Thoreau). Unë jam shumë entuziast për disa përzgjedhje, e kam ngritur gjithnjë zërin për teknicienët, për femrat, kështu që i shoh emrat e nderuar gjithashtu me nderim. Por ka një kontradiktë të madhe në këtë lojë zgjedhore; madje jo vetëm kaq. Ka një hon midis atyre emrave e platformave që ata i kanë të shkruara në jetën dhe karrierën e tyre dhe hipokritëve që kanë bërë listat dhe që teksa i dëgjojnë këta teknicienë e njerëz të ndershëm, thonë pa pikën e turpit: “E shikoni kë kemi përzgjedhur ne?”  Ndërkaq, shtrohet pyetja: kush i ka konceptuar dhe realizuar ato ndërtime skandaloze për të cilat, bie fjala, ka drejtuar shigjetat e veta edhe e nderuara Luljeta Bozo? Kush i ka përfituar përqindjet nga rritja e kateve dhe shtesat e ndërtimet midis pallatëve egzistues?

Në Tiranë, krahas të tjerëve, Edi Rama dhe Erion Veliaj; në Durrës, krahas të tjerëve, Vangjush Dako, aleati dhe miku i Kryeministrit. Puna shkoi gjer atje, sa që u morën nëpër këmbë objekte e zbulime të rëndësishme për historinë e vendit, mjaft që ndërtimet ku përfituesit përfitonin, si e ashtuquajtura “Veliera”, të shkonin gjer në fund; sepse ishin premtuar shuma të majme, që fillonin me projektet, vazhdonin me tenderat dhe përfundonin me konkurencën për lëndën e pare; e kështu më tej. Doni më për ndërtimet, pa dhe me “lejë”, në kushte ekstremisht të papranueshme?  Atëherë, kujt ia tregojnë se ç’kanë përzgjedhur hipokritët e listave? Ku ishin gjer dje “të përzgjedhurit” e tyre? Pse nuk iu dëgjohej zëri, pse nuk përzgjidheshin? Njëherë, z. Edi Rama ka thënë se askush nuk mund t’ia fusë atij duart në xhep, diçka të tillë, pra që “nuk më akuzoni dot”. (“Shumë prej atyre që kryejnë akte të turpshme, mbajnë fjalime frymëzuese.” Demokriti) Kujtoj me këtë rast se përveç kundërshtarëve të tij, përveç drejtuesve të opozitës dhe shtypit që mbështet opozitën, ka pasur edhe njerëz me një emër që i kanë kujtuar atij bakshishet që iu ka kërkuar. (Ndërtuesi D. Fratari.)

Në raste të tilla, ngado ta hedhësh vështrimin, politikanët dhe zyrtarët e lartë do t’i shikosh… të skuqur, për shkak se e dinë shumë mirë çfarë iu rëndon në shpinë e në ndërgjegje. Dhe është e trishtë që tani, në krah të tyre reshtohen specialistë e teknicienë të ndershëm, të përkushtuar, por jo krejtësisht të pafaj, për shkak se nën hundët e tyre është bërë gjithçka dhe ata, njëfarësoj, kanë heshtur. Madje shumë prej tyre, janë “mëkuar” nga ato ndërtime. Kështu janë gjërat dhe kështu duhen thënë. Pasi e mbushën Tiranën dhe Durrësin e më tej me kulla dhe soj-soj ndërtime nga më të pasigurtët, pasi u dendën me fitime mirë e mirë, tash mbajnë në krah… specialistët e ndershëm. Tepër e ulët. (“Nuk ka ar që të paguajë sinqeritetin. Karlo Goldoni). Unë prapë besoj se prania e specialistëve dhe teknicienëve në politikë dhe në Kuvend, edhe pas zgjedhjeve të 25 prillit, është një dukuri e dëshiruar. Por kjo “risi” nuk i heq asgjë faktit që në themel të Tranzicionit tonë dhe të listave në fjalë, është hipokrizia e Kryeministrit dhe e politikanëve e zyrtarëve të tjerë të lartë. (“E vërteta do të ngrihet mbi falsitetin, si vaji mbi ujë.” Servantes)