Valbona Halili: Vishem thjesht pasi unë jam këngëtare dhe jo modele

1355
Sigal

 

Personazh/ Flet këngëtarja brilante Valbona Halili : Ndjej dorën e zotit mbi kokë, lajmi i shtatzënisë më ndryshoi komplet jetën …

Zëri i saj magjik mbetet përherë i bukur, i pastër si dhe vetë pastërtia e lumit Valbona prej të cilit ka marrë emrin. Gjithmonë e qeshur dhe e dashur. Gjithmonë kërkuese ndaj vetes. E pëlqyer dhe e kërkuar, me një elegancë të spikatur profesionale, Valbona Halili është një ndër këngëtaret më përfaqësuese të muzikës popullore, që ka ditur me mjeshtëri të konkurrojë fort në tregun muzikor. Pas tre albumeve të suksesshme, vjen me klipin e saj me të ri me titull “S`ka kufi kur flet dashnia” , një duet me Blerim Gashin & një prodhim i Musical TV. Gazeta “Telegraf” sjell një intervistë të vërtetë prej nga mund ta njihni më mirë Valbonën, e cila rrëfen ekskluzivisht lajmin se është shtatzënë dhe eksperiencën më të bukur që, mund të përjetojë një femër, atë të mëmësisë

 -Kemi kohë pa zhvilluar bashkë intervistë. Me sa mbaj mend 5 vjet. Disa detaje që, ende nuk i dimë. Le ta nisim nga vendlindja juaj …

Unë kam lindur në qytetin e Tiranës (Tironse 24 karat) dhe jam krenare për vendlindjen time. Tirana është kryeqyteti ynë, me njerëz të dashur, të fisëm dhe shumë të butë.

 -Jemi në fund të verës (gushti piku i saj), kohës kur në treg ka “bum” klipesh. Ju po përgatiteni për ndonjë projekt të ri, klip a material muzikor ?

Po, sapo kam lançuar klipin tim më të fundit, një prodhim i Musical TV. Bëhet fjalë për një duet (bashkëpunim) me këngëtarin e talentuar Blerim Gashi, “S’ka kufi kur flet dashnia”

 -Ka pasur skena të vështira apo të lodhshme ky klip ?

 Po, sigurisht! Çdo punë që kërkon përkushtim, ka edhe lodhjen brenda. Klipi është si puna e rolit të një aktoreje në teatër. Ka shumë lodhje, sforcime, kërkesa, përsëritje.

  -Pas realizimit ndiheni e kënaqur nga bashkëpunimi me Blerimin ?

Patjetër që po, por jo vetëm nga Blerimi, por i gjithë bashkëpunimi. Them se kemi bërë një punë të mirë.

 –Cila është gjëja që, të pëlqeu më shumë nga puna me të ?

 Po ajo që, të pëlqeu më pak ?

Ajo që mua më pëlqeu, ishte serioziteti në punë, kështu që, nuk pati asgjë që të mos më pëlqente nga puna me të. Krejt “ok”.

 -Keni një karrierë të gjatë profesionale. Je ndër këngëtaret më të kërkuara të kryeqytetit, më përmend disa nga bashkëpunëtorët gjatë karrierës tuaj muzikore ?

– Ashtu si rruga ime, edhe bashkëpunëtorët janë shumë, shumë. E theksoj janë  të shumtë, por do të veçoj këtu: Jorgo Papingji, Rozi Radi, Shpëtim Saraçi e Edi Balili …

  -Në klipet e tua nuk kemi parë të zhvishesh sikurse tek shumë të tjera….

Normal. Unë jam këngëtare dhe jo modele, kënga popullore ka kostumin e vet popullor dhe unë jam munduar ta vesh në disa këngë, por dhe te këngët e tjera kam zgjedhur veshje që më përshtaten mua, por edhe llojit të këngëve.

 -Cila është dëshira jote më e madhe?

Të realizoj një koncert të madh recital live për adhuruesit e mi. Kam realizuar disa albume dhe mendoj se tani ka ardhur momenti për një recital

 -Muzika është po aq e bukur sa edhe e vështirë. Ti vetë ku e sheh të bukurën dhe ku të vështirën?

Sepse ne ditët e sotshme, Bota e muzikës është jashtëzakonisht konkurruese e ka shume bërryla.

 -Jeni vazhdimisht e ftuar në evente e gëzime të ndryshme familjare. Si arrin të udhëtosh kaq shumë pa u lodhur?

Jam mësuar dhe tani nuk më bëjnë përshtypje më udhëtimet. Lodhjen më shumë e ndien kur udhëton për një koncert, dy apo tre ditë, por kur rrimë më gjatë, edhe nuk e ndiejmë lodhjen.

 -Është e mërzitshme jeta larg shtëpisë, nëpër turne dhe hotele?

 Kjo varet se si përjetohet nga çdo njeri. Për mua nuk është dhe aq e mërzitshme edhe pse kur qëndrojmë nganjëherë më gjatë se ç’duhet na bëhet dhe pak e mërzitshme sepse na merr dhe malli për njerëzit që lëmë këtej. Por që jam mësuar dhe nuk më bën dhe shumë përshtypje.

 -A ka xhelozi profesionale si kudo, apo më e fortë në muzikë?

 Unë nuk kam patur dhe nuk kam xhelozi profesionale. Unë jam Bona dhe kam adhuruesit e mi, ashtu si çdo këngëtar tjetër. Konkurrenca është e fortë, por po punove arrin të shijosh dhe frytet e punës.

 -Stili i të veshurit, kujdesi për veten, duket që është një tjetër pasion i juaji. Sa kohë shpenzoni dhe i kushtoni pamjes tuaj?

Sigurisht, pasi pikë së pari unë jam artiste dhe jam pasqyre për fansat e mi. Por që i kushtoj rëndësinë e duhur, sipas këndvështrimit tim .

 -Tani le të kalojmë pak tek jeta private. A ka trokitur dikush në portën tënde të dashurisë?

Ka trokitur prej vitesh tashmë  dhe ai quhet Artur. Jam e dashuruar dhe e lumtur përkrah tij.

  -Çfarë kemi të re nga ty, a keni në plan fëmijë ?

 Unë jam 4 muajshe shtatzënë dhe po ta them ekskluzivisht këtë lajm. Është diçka e mrekullueshme që, më ka transformuar totalisht jetën.

  -Çfarë do ta dëshiroje, vajzë apo djalë ?

Pak rëndësi ka, veç të jetë i shëndetshëm e të rritet i rrethuar me dashuri . -Ok pra, unë dhe redaksia jonë të urojmë një shtatzëni të mbarë!

Faleminderit “Telegraf”!