Dine MERJA/ Bombardimi i Hiroshimës dhe Nagasakit, fundi i Luftës së Dytë Botërore

737
Sigal

Gjashtëdhjetë e nëntë vjet më parë, Forcat Ushtarake të ShBA kryen shpërthimin e parë të bombës atomike me plutonium-239 në poligonin e Alamogordos (Nju-Meksiko) dhe tre javë më vonë në Hiroshima e Nagasaki të Japonisë, respektivisht më 6 dhe 9 gusht të 1945. Bombardimi atomik i Hiroshimës dhe Nagasakit, vulosi dramatikisht mbarimin e tragjedisë së madhe te luftës së dytë botërore, duke i dhënë fund çdo shprese të bllokut nazifashist për rezistencë.

Kapitullimi nazifashist. Pas kapitullimit të Gjermanisë naziste më 7 Maj 1945 dhe mbarimit të luftës në Europë, Fuqitë Aleate, në deklaratën e Potsdamit më 26 korrik 1945, i shpallën ultimatum Japonisë nazifashiste për kapitullimin e saj pa kushte, gjë që u hodh poshtë nga qeveria Japoneze. Atëherë, forcat ushtarake amerikane, pas një lufte të gjatë me Japoninë në Pacifik dhe në përgjigje të refuzimit të ultimatumit, kryen menjëherë shpërthimin atomik mbi qytetin e Hiroshimës dhe të

Nagasakit, për të detyruar kapitullimin e shpejtë të Japonisë me forcën shkatërrimtare të bombardimit atomik, ndërsa ushtria e kuqe hapi frontin e luftës me Japoninë në Mançuri. Bombardimi atomik nga njëra anë dhe ndërhyrja e Rusisë nga ana tjetër, e detyroi regjimin e Tokios të pranojë kapitullimin pa kushte më 15 Gusht 1945,duke marrë fund Lufta e Dytë Botërore, me shpartallimin e plotë të “Boshtit” nazifashist Berlin-Romë-Tokio.

Ish-Presidenti Amerikan, Harry Truman, që urdhëroi bombardimin atomik, i deklaroi publikisht popullit Amerikan: “Kemi prodhuar një bombë të re,bombën atomike dhe e përdorëm atë, kundër atyre që na

sulmuan pabesisht në Perl Harbër, kundër atyre që kryen vepra kriminale çnjerëzore ndaj robërve Amerikanë të luftës, me tortura, uri dhe ekzekutime, kundër atyre që shpërfillën të gjitha kërkesat e ligjeve ndërkombëtare të luftës. Ne e përdorëm atë për të shkurtuar agoninë e luftës, për të ruajtur jetët e mijëra dhe mijëra të rinjve amerikanë”.

Hiroshima dhe Nagasaki, u përzgjodhën si objekt i bombardimit atomik edhe për shkak të militarizimit ushtarak ekstrem të tyre nga ana e qeverisë japoneze. Në këto qytete jugore, ishte instaluar një fuqi e madhe ushtarake industriale dhe njerëzore, me moton gjithçka për luftën. Aty vepronte Komanda e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Japoneze për Frontin Jugor, divizioni i pestë i ushtrisë japoneze, qendra logjistike dhe komunikimit ushtarak, depot e mëdha të municioneve ushtarake gjithëarmësh, uzina dhe fabrika ushtarake për artilerinë, anijet luftarake dhe armatimin ushtarak etj.. Vetëm në rrethinat e qytetit të Hiroshimës ishin dislokuar rreth 50000 trupa dhe vet zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Japoneze që drejtonte luftimet në Japoninë jugore. Bombardimi atomik i rrafshoi këto qytete dhe rrethinat e tyre, duke vrarë rreth 200000 njerëz dhe duke shkaktuar një ndotje të madhe radioaktive me pasoja katastrofike për një hapësirë të konsiderueshme rajonale,viktimat dhe pasojat e të cilave ndjehen edhe sot. Shpërthimet atomike të më sipërme, në mënyrë dramatike shënuan njëherazi fillimin e një epoke të re

në historinë e zhvillimit të shoqërisë njerëzore,atë të energjisë atomike dhe të mundësisë së shfrytëzimit të saj për qëllime paqësore.

Gara ushtarake atomike. Por si u arrit deri në zbulimin, prodhimin dhe bombardimin atomik, brenda një afati shumë të shkurtër kohor dhe në kushtet e një lufte botërore shkatërrimtare, kur ajo që nuk ishte arritur në dekada dhe në kushte paqësore u realizua brenda 3-4 viteve lufte intensive dhe garë të ethshme ndërluftuese. Zbulimi i radioaktivitetit natyral nga shkencëtarët e shquar francez, nobelistët Anri Bekerel dhe çifti Pjer e Maria Kyri-Sklodovska në vigjilje të shekullit të kaluar ishte një nga zbulimet më të mëdha të njerëzimit pas atij të zjarrit. Por për të arritur deri në zbulimin e energjisë bërthamore dhe mënyrën e shfrytëzimit praktik të saj u deshën ende disa dekada studimesh dhe kërkimesh intensive për të zgjidhur hap pas hapi shumë probleme e detaje për sqarimin e strukturës së atomit dhe të bërthamës atomike. Por tashmë ishte kristalizuar mendimi mbi energjinë e madhe që ruhej në bërthamat atomike dhe perspektivën e shfrytëzimit të saj. Megjithatë, deri në prag të luftës së dytë botërore ende nuk ishte arritur ndonjë rezultat konkret lidhur me shfrytëzimin praktik të kësaj energjie, madje shkencëtarët nuk ishin shumë optimist për mundësinë e shfrytëzimit praktik të kësaj energjie në të ardhmen e afërt. Por kur u realizua zbulimi i ndarjes së bërthamës së uraniumit në vitin 1938 nga

radiokimistët e shquar gjermanë nobelisti Oto Han dhe Fritz Shtrasman,pikëpamjet e kësaj perspektive ndryshuan thuajse brënda ditës. Ky zbulim e ktheu energjinë bërthamore nga një ide të turbullt teorike në një realitet të prekshëm praktik.

Përgatitjet e Gjermanisë naziste për luftë i shumëfishoi investimet në këtë fushë dhe vuri në plan të parë përqendrimin dhe shpejtimin e studimeve për zbulimin dhe shfrytëzimin e energjisë bërthamore për qëllime luftarake në të dy kampet ndërluftuese, por veçanërisht në Gjermani, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Rusi,të cilët do të përcaktonin në fakt edhe fatin e kësaj lufte nga më të përgjakshmet në historinë e njerëzimit. Armatimi marramendës i të dy kampeve përfshiu edhe atë atomik, për të cilin bëhej një garë e heshtur me shkallë të lartë sigurie kombëtare dhe me ethet e frikës dhe të zbulimit ndaj njeri tjetrit për zotërimin e kësaj arme që mund të vendoste fatin e luftës.

Triumfi atomik amerikan. Mbi këtë bazë,në vitin 1940,Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia dhe Kanadaja u përfshinë në Projektin e famshëm Manhaçan për realizimin e të cilit hartuan një program të madh ushtarak nën drejtimin shkencor të Dr. Robert Openhajmer,në të cilin u përfshinë jo vetëm forcat ushtarake por edhe shumë institucione shkencore, universitete, uzina e fabrika prodhimi, u angazhuan mbi 130000 njerëz dhe një investim mbi 2 miliardë dollarë. Për shkallën e lartë

të intensifikimit bërthamor, mjafton të përmendet fakti që para vitit 1940, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk disponohej më shumë se disa gram uranium, ndërsa brenda periudhës 1940-1942 ajo arriti të prodhojë mbi 40 ton uranium metalik të pastër mbi bazën e përpunimit të qindra mijëra tonëve minerale uraniumi dhe rreth 400 ton grafit shumë të pastër që u përdorën menjëherë për ndërtimin e reaktorit të parë bërthamorë në stadiumin e Universitetit të Çikagos në vitin 1942 nën drejtimin e shkencëtarit të njohur italian, nobelistit Enriko Fermi. Ky investim dhe përshpejtimi i zgjerimit të tyre gjatë luftës, ngritja e njëpasnjëshme e reaktorëve bërthamorë më të fuqishëm për prodhimin e plutoniumit-239 në vitet 1943-45 në Henford,u kurorëzuan me prodhimin e bombës atomike (Bomba- A) nga ShBA në Los Alamos dhe shpërthimin e parë të saj në poligonin e Alamogordos (Nju-Meksiko).

Atomistët Gjermanë kundër bombës atomike. Në Gjermani, nazistët u angazhuan në Projektin e Energjisë Bërthamore për bombën-A, nën udhëheqjen shkencore të fizikantit të mirënjohur gjerman, nobelistit Verner Hajzenberg, fizikant teorik, me kontribut të veçantë në themelimin e mekanikës kuantike, zbulues i njërit prej parimeve bazë të fizikës moderne, parimit të

Pa përcaktueshmërisë dhe të mjaft studimeve të tjera me rëndësi të madhe në fizikën teorike. Angazhimi i Hajzenbergut në projektin e mësipërm nazist, me natyrë që nuk i përshtatej atij, pati debate të ashpra në opinionin shkencor progresist gjerman. Megjithatë nazistët nuk arritën të prodhojnë bombën-A pavarësisht investimeve të pa kufizuara njerëzore dhe materiale. Për këtë dështim në ish-vendit më të avancuar bërthamor të kohës, janë dhënë argumente të ndryshme të trajtuara në shkrime të posaçme pas luftës,lidhur me “historinë sekrete të bombës gjermane”. Por së pari duhet thënë se shumë shkencëtarë gjermanë që mund ta realizonin me kohë këtë projekt ishin antinazistë dhe kundër prodhimit të bombës atomike për qëllime shkatërrimi. Njeri nga më kryesorët

prej tyre, babai i kimisë bërthamore nobelisti Oto Han nuk pranoi të bëhej pjesë e prodhimit të kësaj bombe, ai ishte një kundërshtar i ashpër i regjimit nazist, “në qoftë se puna ime do t’i shërbente Hitlerit për të zotëruar bombën atomike, atëherë unë do të bëja vetëvrasje”, u shprehej ai kolegëve të tij. Shqetësimi i Ajnshtajnit pas emigrimit të tij në Amerikë me letrën drejtuar ish-Presidentit të SHBA-ve, Franklin Rusvelt, për rrezikun atomik nazist, kishte parasysh në radhë të parë ekzistencën e shkencëtarëve të tillë të shquar në Gjermani si Oto Han dhe bashkëpunëtorët e tij dhe frika e rënies së

tyre në shërbim të nazistëve. Nga ana tjetër edhe vet Hajzenbergu,ish-udhëheqës i Projektit nazist, kishte shprehur qysh para luftës kundërshtimin e tij për përdorimin e energjisë bërthamore për qëllime shkatërrimtare. Këtë qëndrim ai e ka pohuar edhe pas luftës deri në fund të jetës së tij(1976). Sidoqoftë, Projekti Nazist Atomik u fut në labirinthe shkencore për ngritjen e reaktorit bërthamor, realizimin dhe drejtimin e reaksionit zinxhir bërthamor,u vonuan apo zvarritën me synim jo bombës atomike. Këto vonesa,si dhe sulmi i ushtrisë së kuqe drejt Berlinit, ndihmuan forcat ushtarake amerikane për pushtimin ushtarak të qendrës së nëndheshme bërthamore gjermane në relievin tepër

shkëmbor të fshatit Haigerloch, më 22 prill të 1945,rreth 2 javë para pushtimit të Berlinit nga aleati lindor dhe rreth 3 muaj para provës së parë të bombës atomike amerikane në Alamogordo.

Ekspansioni i armatimit atomik. Prodhimi i bombës-A pavarësisht qëllimit luftarak të saj dhe viktimave njerëzore që shkaktoi, pati edhe tri fitore të mëdha për njerëzimin: (1) Ajo triumfoi në kampin demokratik të luftës duke shpëtuar njerëzimin nga rreziku i sundimit atomik nazist. (2) Ajo nxiti realizimin në një kohë rekord të rrugëve për shfrytëzimin praktik të energjisë bërthamore. (3) Hapi perspektiva të mëdha për shfrytëzimin e energjisë bërthamore në shumë fusha të ekonomisë, të shkencës dhe të prodhimit. Pas luftës së dytë botërore dhe fillimit të luftës së ftohët,për armatimin atomik vazhdonin përpjekjet edhe vende të tjera që u kurorëzuan me prodhimin e bombës atomike nga ish-Bashkimi Sovjetik(Rusia) më 1949,nga Anglia më 1952,nga Franca më 1960 dhe nga Kina më 1964. Disa shtete të tjerë sidomos India,Pakistani,Izraeli dhe Koreja e Veriut tani zotërojnë bombë atomike ose janë në gjendje ta prodhojnë atë. Afrika e Jugut-aparteide ka pas disponuar 6 bomba-A por që i çmontoi ato më vonë, ndërsa tri ish-Republikat Sovjetike: Ukraina,Bjellorusia dhe Kazakistani trashëguan arsenale bërthamore, të cilat i zhvendosën në Rusi me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Gara e armatimit atomik në drejtim të rritjes së kapacitetit bërthamor dhe perfeksionimit të armëve atomike ajrore, tokësore, nëntokësore, ujore, nënujore, solli prodhimin e një arme të re bërthamore, bombën me hidrogjen (Bomba-H),e cila u shpërthye për herë te parë nga ShBA me 1952,nga ish- Bashkimi Sovjetik(Rusia) më 1953 dhe më pas nga Anglia,Franca dhe Kina. Më vonë edhe shtete të tjera që zotëronin bombën-A shpërthyen ose deklaruan se e kanë prodhuar atë,si India,Izraeli dhe Pakistani. Në periudhën e luftës së ftohët,gjatë viteve 1960-90,në kuadrin e NATO-s,vetëm në Europë,thuhet se ishin dislokuar rreth 7000 bomba atomike në disa shtete anëtare të NATO-s,në Angli, Gjermani, Itali, Holandë, Francë, Belgjikë, Greqi dhe Turqi. Ndërsa pas viteve 1990,ato u reduktuan në rreth 500 të tilla. Sot, teknologjia e prodhimit të bombës atomike nuk përbën ndonjë sekret, por realizimi praktik i saj lidhet me një proces mjaft kompleks industrial që kërkon investime të konsiderueshme dhe që kundërshtohet nga vendet që kanë nënshkruar Traktatin për ndalimin e prodhimit dhe të mospërhapjes së bombave atomike. Megjithë marrëveshjet e fuqive të mëdha për reduktimin e armëve atomike,për mospërhapjen dhe mospërdorimin e tyre,kemi të bëjmë ende me një arsenal të madh bërthamorë nga vet këto vende, të cilat gjithsesi përbëjnë një rrezik serioz për paqen dhe sigurinë botërore, veçanërisht në kushtet e acarimeve të ndryshme politike, të konfliktit të interesave dhe të armatimit atomik të disa vendeve me konflikte të gjata rajonale,sidomos në lindjen e mesme dhe të largët. Çarmatimi dhe asgjësimi i plotë i armëve atomike dhe i atyre shfarosëse masive do të përbënin padyshim sigurinë dhe garancinë e paqes definitive në planetin tonë, që popujt të jetojnë në liri,demokraci dhe paqe botërore.