– Në këtë këngë të përzishme shtrihet “një enciklopedi e tërë dhimbjeje shprehet Ismail Kadare për Urën e Qabesë.
Një bisedë mbresëlënëse mes Rustem Zykos dhe Ali Jaupit ( i cili banon në Normandi, Francë prej vitesh) sjell tek lexuesi mbresat dhe historinë e këngës “Mbeçë more shokë mbeçë”, të kënduar nga “Nderi i Kombit” dhe “Artist i Popullit” Demir Zyko, këngë e cila edhe sot dëgjohet me shumë dëshirë dhe kërshëri nga të gjithë emigrantët në gjithë botën. Kjo këngë magjike, ka hyrë në historinë e folklorit shqiptar si një këngë specifike, si një këngë që të mbërthen dhe të bën të meditosh. Pikërisht, nga kjo këngë ka marrë spunto dhe kjo bisedë mes djalit të Demir Zykos dhe ish-ushtarakut Ali Jaupi. Gjyshi i Aliut, Sulo Jaupi është takuar dhe ka kënduar këtë këngë me Demir Zykon në vitin 1950, në fshatin Gostomickë të Përmetit. Kjo ngjarje i ka ngelur në kujtesë Aliut dhe për vite të tëra ka bërë çmos të lidhet me fëmijët e të madhit, Demir Zyko, dhe rastësia e solli që në Facebook ai të zhvillojë një bisedë me djalin e Demirit z. Rustem Zyko. Ndoshta është malli që të vjen për atdheun kur vjen në emigracion, ndoshta është amaneti i gjyshit që kjo bisedë të mos ngelej anonime dhe Aliu e çoi deri në fund këtë enigmë duke e bërë prezent tek Rustemi…Pra rastësia e komunikimit me djalin e Demir Zykos, zotin Rustem Zyko, i zgjoi shumë kujtime për këngën “Mbeçë more shokë mbeçë”, të kënduar nga “Artisti i Popullit”, Demir Zyko…

Balada “Mbeçë more shokë mbeçë”, artikulon dramën e individit, të ushtarit të rënë larg atdheut e vendlindjes, dhimbjen e thellë për familjen dhe gjendjen e saj ekonomike e për të ardhmen e saj, lidhjen e fortë të të riut me nënën e gruan dhe në një rrafsh të dytë balada këndon dramën e tragjedinë e përhershme të shqiptarëve për të siguruar të ardhmen në migracion në kontrast të përsosur poetik mes largimit të detyruar në dhera të largët e në vetminë e shkretëtirës së Arabisë, në Jemen dhe premtimit dhënë njerëzve më të afërt e dëshirës për t`u kthyer në gji të familjes e shoqërisë, në një tension kundërvënës mes jetës së ndërprerë e të pagëzuar të djalit dhe vijimit të saj nga nëna (dhe babai në disa variante). Në këtë këngë të përzishme shtrihet “një enciklopedi e tërë dhimbjeje shprehet Ismail Kadare për Urën e Qabesë, “më të bukurën e këngëve të nizamëve dhe një nga margaritarët e rrallë jo vetëm të poezisë sonë, por të poezisë popullore në përgjithësi.” Askush si kjo këngë e kënduar me shpirt apo nga zërat e këngëtarëve popullorë, të traditës shqiptare si zëri mahnitës i Demir Zykos, i Mentor Xhemalit, Vaçe Zela, Tefta Tashko Koços nuk mund të përsëriten në çdo kohë.
KUJTIME
Kur sot e kujtoj gjyshin tim Sulo Jaupi, në krahun e tij del xha Demiri, zëri i të cilit si valët e detit përplasen mbi shkëmbijtë e dhimbjeve dhe derteve që ai ka kaluar. Ai ka lindur në 1908-ën,në moshën 13 vjeç ngeli jetim, gjyshja ime u nda nga jeta në moshën 30vjeç, dhe djemtë 18, 24 vjeç dhe babai jonë 48 vjeç…Oi, oiii…oiiii ..! Ja, kjo thirrje e fuqishme e ka shoqëruar gjyshin tim tërë jetën. Para fotografisë së gjyshit si e shkruaj më sipër, ishte zëri i këngëve të D Zykos që si zë zgalemi lëshohej midis atyre derteve dhe i mblidhnin lotët për djemtë….. dhe ai ato lotë i fshinte pas zërit të Demirit dhe thoshte kur e pyesja: -Xhaxha, pse qan, mos të dhëmb gjë!?
Jo more bir i xhaxhait, nuk kam gjë, por qaj për ato halle që këndon Demiri.
E cilësoj këtë, sepse nga kjo cilësi e veçantë e atyre burrave lidhet dhe njohja me artistin e këngës popullore të traditës Demir ZYKO. Më kujtohet nga ato vite të largëta kur gjyshi na tregonte se rreth viteve 50-të në Përmet zhvillohej një stërvitje e madhe ushtarake, kur forcat rezervë të fshatrave të Skraparit, udhëtonin nga ato male dhe kalonin lumin e Osumit, ngjiteshin në fshatin tonë, kalonin tek çezma e ujit sipër shtëpisë tonë ku shuanin etjen dhe “Kreka e Mekamit” ishte dysheku ku këto formacione pushonin dhe mernin një sy gjumë për të vazhduar rrugën. Aty është edhe njohja e gjyshit tim me Demir Zykon, i cili po aty nën hijen e krekës shokët i zgjoi me një këngë kur jo vetëm shokët e zborit, por tërë fshatin e mblodhi aty me zërin e tij. Unë isha tek sofati i çezmës – tregonte gjyshi, kisha vënë një kazan të madh prej bakrri të mbushej me ujë dhe me një gjym të vogël u hidhja ujë në duar zboristëve djem të rinj si azganë të freskonin fytyrën dhe trupin. Kur dëgjova zërin e Demirit, ngriva në këmbë dhe në mesin e burrave të shtrirë që po ngriheshin dallova dorën e tij që vallëzonte njëlloj si zëri, në trupin tim diçka e zjarrtë shpërtheu, dhe u ngjita sipër dhe i thashë: – “Të këndoftë zëmra more bir i Perëndisë”! I dhashë dorën dhe ai u ngrit në këmbë, më mori qylafin, e vuri mbi kokë dhe më qafoi duke kënduar. Ndaloi dhe thirri:- “Hajde djema, ngrehuni se kemi rrugë. Folëm pakë sapo bëheshin gati shokët e tij dhe e pyeta se nga cili fshat ishte dhe çfarë llagapi. Dikush i thirri më tutje:- E mo Demir, e gjete dhe vëllain, po sa shumë ngjani sikur u ka bërë një nënë, dhe e qeshura frynte si era mbi fytyrat e këtyre djemve si luanë. Prit, i thashë Demirit, thirra djalin( babain tim) që ishte tek sokaku i shtëpisë të sillte një kanë me dhallë dhe një faqore raki, ai erdhi me vrap dhe mi solli. Freskohu pakë Demir i thashë, ai e mori kanën, piu një gllënjkë dhe ja u dha shokëve, të cilët morën rrugën. Po ç’e do o Sulo këtë faqore rakie, mbaje dhe e pijmë kur të kthehemi se atëherë kemi nge. Jo, jo, merre ta kesh për rrugës dhe kur të ndaloni nga mali i Taborrit, matanë Frashërit, hidhe ndonjë gllënjkë të nxehesh se andej është ftohtë. Demiri, iku nga të fundit dhe kthente kokën e më përshëndeste me dorë. Mbas dy -tre javësh, kur u kthyen nga stërvitja, e prita, por ai nuk erdhi, i pyeta shumë djem rezervistë që ishin grupe sipas fshatrave dhe një djalë nga Gjerbësi më tha se rakia që i dhashë e luajti nga mëndja dhe Demiri këndoi në Përmet sa tundi malet dhe ata të udhëheqjes e mbajtën atje, nuk e di se kur do të vijë dhe nga do të marrë rrugën. Por gjyshi im S Jaupi, kur shkonte në malin e Tomorrit në Kulmak ku bëheshin nderet dhe ritet bektashjane, e takoi disa herë Demirin atje dhe kur kthehej u tregonte djemve mbresat e tij. Baboi dhe xhaxhai im, nga ato që i tregonte gjyshi im, kur dëgjonin Demirin të këndonte, ata mallëngjeheshin dhe e kishin një krenari të veçantë.
….
Kënga “Mbeçë more shokë mbeçë” është një pjesë ikonike e folklorit shqiptar, veçanërisht nga rajoni i Skraparit, dhe u popullarizua nga këngëtari Demir Zyko. Kjo këngë është thellësisht e rrënjosur në historinë dhe kulturën shqiptare, duke pasqyruar traditat dhe vlerat e shoqërisë.
Ndikimi i Peizazhit Malor të Gjerbësit, rrugët e tij në kryqëzatat historike, rrugëtimet e banorëve në kurbet për punë, tregëti dhe shkollim, luftërat në çdo shekull kanë sjellë dhe jehonën e këngëve që sot këndohen, autor i të cilave është dhe xha Demir Zyko. Natyra malore e Skraparit dhe zonave rreth tij,me rajonet e izoluara nga malet dhe luginat e thella, luajti një rol vendimtar në formimin e muzikës popullore tradicionale. Malet shërbyen si strehë dhe mbrojtje, por edhe si një pengesë, duke ndikuar kështu në stilin e jetesës dhe traditat muzikore lokale. Kënga “Mbeçë more shôke mbéçë” evokon peizazhe të gjera dhe vende specifike, siç është “Përtej Urës së Qabës”, e cila përforcon lidhjen midis gjeografisë dhe identitetit kulturor. Një ndikim të fuqishëm tek këngët e lartësive të Skraparit dhe për rreth tij, ka luajtur Historia.
NË MËRGIM
Ishte fundi i vitit 99-tës, kisha një javë që kisha shkuar në Paris, dhe gjeta punë në një hotel. I zoti ishte një çifut dhe i pëlqeu puna që po bëja ( përgatitja një dhomë hoteli ekspozitë, të cilën ai e reklamoi se si do të ishin tërë dhomat)….por ngaqë i pëlqeu, ditën tjetër më priti para hotelit ku punonin shumë firma. Më mori dhe shkuam në një kafe përballë ku pimë kafen shpejt e shpejt dhe biseduam për të punuar në shtëpinë e tij të dytë. Tani do të ikim larg;- më tha, do të shkojmë në Djeppe, një qytet buzë oqeanit Atlantik përballë me Anglinë. Atje ishin dhe dy puntorë të tjerë që po riparonin shtëpinë e tij të pushimeve. Atje qëndrova 26 ditë, gjuhën nuk e dija, njeri nuk njihja veç dy puntorëve, një egjyptjan dhe një nga Versaja, njerëz të mrekullueshëm. Çdo fund jave ata iknin në Paris me makinë, ndërsa unë i vetmuar çdo fund jave qëndroja në shtëpinë e tij buzë oqeanit. Me vete kisha një kasetofon të vogël dore me dy kaseta. Njëra me këngë përmetare të cilës ju këput shiriti dhe tjetra ishte kaseta me rregjistrimet e xha Demirit. Me të, nisja rrugën dhe shkoja buzë oqeanit, ulesha dhe këndoja këngët me Demirin…. por, shyqyr që nuk kisha njeri tjetër se do të turpërohesha, si këngëtar i keq. Po kështu dhe mbrëmjeve kur kthehesha i lodhur nga puna, kur shtrihesha në krevat, ishte xha Demiri që më vinte në gjumë. Pra, miku im Rustem, zëri i babait tuaj më shlodhte, më rrihte krahët, më jepte fuqi dhe më e mrekullueshmja, më shëronte shpirtin, kudo ku shkela nëpër Normandinë e madhe. Shpesh ulesha në buzën e oqeanit dhe me mall kujtoja djalin tim dhe gruan të cilët prisnin në Tiranë që ti merrja, por nga koha e shkurtër që kisha ardhur dhe akoma nuk kisha marrë rrogën e parë, nuk e kisha mundësinë e udhëtimit të tyre për në Paris. Kështu i malluar dhe pa të ardhura financiare, ulja kokën dhe shikoja valët e ujit që ledhatonin rërën nën këmbët e mia, më dukeshin sikur ato më sillnin anijen me familjen time. Isha i pa zoti dhe i vetmuar, nuk kisha as shpresë, por ajo kasetë e këngëve të këngëtarit popullor D Zyko, zëri i tij i mallit, dashurisë, isua e burrave të grupit të këngëtarëve të isos, më qëndroni para syve dhe zemra më ngrohej, sepse ata ishin më të afërmit e vetmisë time. Ai zë i Demir Zykos, ishte zëri i mjekut të këngës që më shëroi shpirtin. Por, koha rrodhi si ato fjalë legjendash e baladë dhimbjesh dhe gëzimi ndër vite e shekuj më solli fatin e bashkimit familjar, më solli gëzimin e munguar, më fshiu lotët dhe më mbajti gjallë dashurinë. Sot i kujtoj ato vite, kujtoj ato emocione të rënda të mërgimit…. i kujtoj dhe nga thellësia e shpirtit i lutem përjetësisë të këtij artisti legjendë, i uroj gjithashtu fëmijëve të xha Demirit, paqe në zemrat e tyre, shëndet, gëzime dhe mirësi në jetë, familje dhe kudo ku ata udhëtojnë nëpër gjurmët e babëzit të tyre të nderuar.
-Në kuadrin e 25-vjetorit të ndarjes nga jeta të Feruze Zyko bashkëshortes së Demir Zyko e cila ishte mbështetësja, ndihmësja dhe përkrahësja kryesore në rrugëtimin e tij ky shkrim le të shërbejë si një homazh për të dy. Ky shkrim ndoshta përmbledh thjesht dhe bukur magjinë e zërit të Demir Zykos por mbi të gjitha mesazhin që ai ka lënë për të gjithë brezat; Ta duam atdhenë kudo pasi mërgimi nuk është zgjidhje. Ky shkrim përmbledh dhe amanetet e tij: Vdeksha buzë beharit, në prani të gruas dhe ditën e premte. Të tria amanetet e tij janë përmbushur pasi ai me zërin e tij i la Shqipërisë një buqetë këngësh të pavdekshme ndaj dhe amanetet i janë plotësuar.




















