Vjedhje me dhunë në mes Tiranës banditët i bëjnë sfidë policisë

537
Sigal

Shtohet pasiguria e jetës së qytetarëve në rrugë dhe banesa. Kërkohet dorëheqja e ministrit Tahiri

Terror dhe grabitje në mes të qytetit dhe banditët largohen duke i bërë sfidë dhe policisë që tenton ti kapë. Ndërkohë, banorët, të terrorizuar nga shpërthimet me tritol, vrasjet në publik dhe shkatërrimi i pronave, kërkojnë dorëheqjen e titullarëve kryesorë të policisë dhe ministrit Saimir Tahiri. Kështu ka ndodhur një ditë më parë, ku objekt i grabitjes kanë qenë tri gra. Mësohet se ka shpallur në kërkim shtetasin Zhenklaudjo Luan Sallaku, 19 vjeç, i cili është autori i dyshuar i tentativës së grabitjes së tre grave dhe më pas i goditjes së dy punonjësve të policisë, të cilët janë përpjekur ta kapin atë. 19-vjeçari së bashku me një bashkëpunëtor të tij mendohet se janë plagosur gjatë përplasjes me policinë, por kanë mundur të largohen.  Konfirmohet se rreth orës 15:50 Salla Operative e Drejtorisë se Policisë së Qarkut Tiranë është njoftuar se në rrugën “Sami Frashëri”, pranë selisë së LSI, dy persona me kapuçë në kokë, me një motor ngjyrë të zezë dhe në pamje të parë me fuqi motorike të madhe kanë tentuar të vjedhin me dhunë tre gra. Policia ka mundur të lokalizojë drejtimin e lëvizjes së dy personave, të cilët ishin drejtuar për nga “Libri Universitar”. Në orën 15:55 policia arrin të evidentoje se dy personat me motorin e tyre po lëviznin në drejtim të sheshit “Nënë Tereza”. Një patrullë me katër punonjës policie u ka dalë përpara dy të dyshuarve pranë “Hotel Sheraton”. Punonjësit e policisë i kanë bërë shenjë drejtuesit të motorit që të ndalonte, por ai jo vetëm që nuk ka ndaluar, por ka shtuar shpejtësinë. Në këto kushte oficeri i patrullës së përgjithshme A.G. ka tentuar ta ndalojë drejtuesin e motorit, por dy personat kanë mundur të largohen. Punonjësi i policisë është lënduar lehtë. Policia ka vijuar ndjekjen e personave të dyshuar, të cilët kanë kaluar nga Radio Televizioni Shqiptar në drejtim të sheshit Sulejman Pasha. Pak minuta më vonë një patrullë këmbësore e policisë e vendosur me shërbim në rrugën “Luigj Gurakuqi”, e cila po ndiqte situatën në radio, ka konstatuar motorin me dy personat e dyshuar që lëviznin me drejtim nga sheshi “Sulejman Pasha” për tek sheshi “Avni Rustemi”. Menjëherë punonjësit e patrullës i dalin përpara motorit dhe i bëjnë shenjë për ndalim. Por drejtuesi i motorit me dashje godet oficerin e patrullës R. Dogjani. Si pasojë e përplasjes edhe drejtuesi i motorit ka humbur kontrollin e mjetit dhe janë rrëzuar bashkë me mjetin në tokë. Oficeri R. Dogjani pas goditjes ka mbetur i shtrirë në tokë pa ndjenja, ndërsa kolegu i tij i ka dhënë ndihmën e parë. Të dy personat e dyshuar janë larguar me vrap në drejtim të markatës së Pazarit të Ri. Policia arriti të identifikojë drejtuesin e motorit, i cili është shtetasi Zhenklaudjo Luan Sallaku, i vitlindjes 1995, banues në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë, i njohur si person me precedentë kriminalë për tendencën e “Vjedhjes me dhunë”. U bë shpallja në kërkim policor për të dyshuarin Zhenklaudjo Sallaku dhe po punohet për kapjen e tij si dhe identifikimin e bashkëpunëtorit.

Nga këqyrja e vendit të përplasjes së motorit me punonjësin e policisë R. Dogjani janë fiksuar njolla gjaku të autorit të ngjarjes si dhe u bë sekuestrimi i motorit i markës “Yamaha Tmax”,  pa targa. Punonjësit e policisë të plagosur nga kjo ngjarje, pasi kanë marrë ndihmën mjekësore në spital janë rikthyer në banesat e tyre dhe sipas mjekëve nuk ka asnjë problem të mëtejshëm për shëndetin e tyre.  Materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese e mbetur në tentative” parashikuar nga Neni 79, pika C dhe Neni 22 të Kodit Penal. Deri në orët e vona të ditës së diel, policia nuk ka konfirmuar kapjen e personit të shpallur në kërkim.