Akademik, Anastas Angjeli: Europa e Gjeneratës së Ardhshme

612
Sigal

“Plani i ri Marshall” i shumëpritur  për t’u përballur me krizën e rëndë ekonomike si rrjedhojë e pandemisë  Covid -19 në vendet europiane, duket se po finalizohet. Ai vjen i “pagëzuar” me emrin “Europa e Gjeneratës së Ardhshme” duke ofruar një paketë gjigande  prej 750 miliardë euro. Po çfarë është ky plan?

Europa-faza e hapjes dhe rimëkëmbja

Ndërsa  faza e hapjes tashmë ka filluar në shumicën e vendeve europiane, të prekura rëndë nga pandemia e koronavirusit dhe recensioni ekonomik, papunësia dhe falimentimi i shumë aktiviteteve e bizneseve, nuk rreshtin përpjekjet për të frenuar  këto pasoja dhe për të filluar sa më shpejtë procesin e rimëkëmbjes. Janë të njohura paketatat  mbështetëse,  masat e marra dhe instrumentet e ndryshme që po përdoren  nga qeveritë e vendeve të ndryshme, Bankat Qendrore  dhe institucioneve ndërkombëtare, për mbështetjen e rimëkëmbjes dhe garantimin e likuiditetit për këtë proces. Në funksion të këtij qëllimi  u vu dhe plani “Merkel-Macron”.  Ky plan, mori shkas nga diskutimi i sigurimit të likuiditetit për rimëkëmbjen e vendeve të BE-së, sidomos e vendeve  të goditura më rëndë nga pandemia e Covid -19, përmes coronabondit dhe përballimit solidar të tij. Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe  Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ofruan  një plan të përbashkët  të vendeve të tyre, për rimëkëmbjen e BE-së nga kriza e pandemisë së koronavirusit. “Plani kishte të bënte me fushat e shëndetësisë, rimëkëmbjen ekonomike, tranzicionin mjedisor dhe digjital dhe sovranitetin industrial”. Ky plan iu nënshtrua debateve, konsultimeve dhe kundërshtive nga shtetet e prekura më shumë nga kjo krizë si Italia, Spanja, etj, dhe pritet diskutim dhe miratimit në Parlamentin Europian. Kërkesat ishin për më shumë se 500 miliardë euro që u afrua fillimisht nga Plani Merkel-Makron. Gjithashtu në thelb të diskutimit ishte dhe  rikthimi i solidaritetit në BE, këtij principi kryesor të vendeve të Europës. Kjo përmes rishpërndarjes së kostos së borxhit mes vendeve të BE,  duke u rënduar më shumë vendet më të fuqishme dhe të prekura më pak nga pandemia dhe kriza ekonomike, në favor të vendeve të goditura më rëndë, sidomos për shlyerjen e borxhit. Kjo, sepse ekonomitë e 27 vendeve të bllokut (BE), janë goditur  rëndë nga pandemia e koronavirusit,  kurse disa shtete në jug, kanë qenë të zhytura në borxh edhe përpara krizës. Ndërkaq  edhe Gjermania hyri në recesion. Ekonomia e Gjermanisë është në recesion në tremujorin e parë. Tkurrja prej 2,2% është më e madhja që nga kriza financiare e vitit 2008 dhe e dyta, nga ribashkimi i vendit në 1990-ën. Statistikat zyrtare të bëra publike të hënën, konfirmojnë të dhënat paraprake nga fillimi i këtij muaji dhe tregojnë një rënie të eksporteve, rënie të konsumit privat dhe investimeve  kapitale. Ekspertët, në të vërtetë, presin një rënie shumë më të madhe në tremujorin e dytë (prill-qershor), pasi shumica e masave të bllokimit, u vendosën në mes të marsit, tashmë s’ka më dyshim se recensioni ka përfshirë eurozonën dhe ka tronditur thellë ekonomine globale.

Plani  “Europa e Gjeneratës së Ardhshme”

Presidentja e KE, Ursula von der Leyen, duke propozuar në emër të Komisionit Europian për të ndihmuar Bashkimin Europian që të kalojë “krizën e paprecedentë”, fondin gjigand prej 750 miliardë euro dhe duke e pagëzuar atë si  “Plani “Europa e Gjeneratës së Ardhshme”, tha se ky është momenti i Europës. Ai duhet të miratohet nga shtetet e BE, por Gjermania dhe Franca kanë mbështetur  planin, që parashikon mbledhjen e parave në tregjet e kapitalit. Po çfarë është ky Plan dhe çfarë përmban ai? Kush do përfitojë prej tij dhe si?

Plani ambicioz i Komisionit “Gjenerata e ardhshme BE”, përfshin 500 miliardë euro në grante dhe 250 miliardë euro kredi dhe si qëllim kryesor ka sigurimin e kohezionit si  dhe mbështetjen  e përparësive strategjike të BE. Duke llogaritur edhe paketën e parë të ndihmës prej 540 miliardë Euro, shto këtu buxhetin prej 1.1 trilion Euro për vitet 2021-2027, atëherë në total shuma shkon në 2.4 trilion Euro.

Burimet shtesë do të grumbullohen nga Komisioni nëpërmjet emetimit të bonove që zgjasin deri në 30 vjet, shlyerja e të cilave do të fillojë në vitin 2028, dhe do të shpërndahet në shtetet anëtare, rajone dhe sektorë të ekonomisë që janë goditur më shumë nga kriza. Grantet do të jepen gjatë një periudhe katër vjeçare përmes programeve të kornizës së re fiskale shumëvjeçare (buxheti i BE-së për 2021-27). Kreditë do të jepen për të financuar investimet publike, me një horizont të ripagimit 20 -vjet. Plani “Gjenerata e ardhshme BE” prej 750 miliardë, do të mbështesë buxhetin aktual  të  BE-së prej 1.1 trilion Euro.

Fondet që do të sigurohen nëpërmjet kësaj pakete do të investohen në tre kolona kryesore.

Së pari, për të mbështetur vendet anëtare në investime dhe reforma. Rreth 560 miliardë euro do të ofrohen për mbështetje financiare për investime dhe reforma, duke përfshirë tranzicionin e gjelbër dhe digjital dhe qëndrueshmërinë e ekonomive kombëtare, duke i lidhur ato me përparësitë e BE-së. 55 miliardë për programet e politikave të kohezionit. Rreth 40 miliardë për të mbështetur vendet anëtare për programet për klimën. 15 miliardë për të asistuar Fondin Europian për Agrikulturë dhe për Zhvillim Rural.

Së dyti, për të ristartuar ekonominë europianë nëpërmjet investimeve private. Rreth 60 miliardë euro për programet dhe instrumentet  për të mbështetur kompanitë, sektorët dhe rajonet e prekura më shumë nga kriza.

Së treti, për të adresuar mësimet e nxjerra nga kjo krizë pandemie duke mbështetur programet shëndetësore të BE-së me rreth 9.4 miliardë euro, Mbrojtjen Civile të BE-së me rreth 2 miliardë euro, programin Horizon Europë me rreth 94.4 miliardë euro, 16.5 miliardë për mbështetjen e partnerëve të BE-së nëpërmjet ndihmës së jashtme dhe humanitare.

Vendet anëtare të cilat pritet të përfitojnë më shumë prej kësaj pakete janë pikërisht ato të cilat janë goditur më shumë nga kriza e pandemisë, Italia, Spanja, Greqia, Polonia, Çekia, Portugalia.

Italia do të marrë 81.8 miliardë euro grante dhe 90.9 miliardë euro kredi, ndërsa Spanja do të marrë 77.3 miliardë euro grante dhe 63.1 miliardë euro kredi. Greqia do të marrë 22.5 miliardë euro grante dhe 9.4 miliardë euro kredi  – rreth 1/6 e GDP-së së vendit në vitin 2019. Rumania do të marrë 19.6 miliardë euro grante dhe 11.5 miliardë euro kredi. Portugalia do të marrë 15.4 miliardë euro grante dhe 10.8 miliardë euro kredi.

Duket që Italia dhe Spanja, pra dy vendet që janë goditur më shumë nga pandemia do të përfitojnë së bashku rreth 42% të paketës prej 750 miliardë. 10 vende ndër të cilave  Gjermania, Franca, Austria, Hollanda, Danimarka dhe Suedia nuk parashikohet të marrin kredi. Komisioni Europian  parashikon që kjo paketë do të rrisë GDP-në e BE-së me 1.75%  për vitin 2020 dhe 2021. Në përgjithësi  paketa do të nxisë investimet që mbrojnë mjedisin dhe është mirëpritur nga ambientalistët. Por Brukseli do i lejojë rajonet të shpenzojnë si të duan deri në vitin 2022, rëndësi ka që të krijohen vende pune, edhe pse mund të ketë kosto për klimën. Parashikohet që nëpërmjet kësaj pakete të krijohen 2 milionë vende të reja pune. Sipas Komisionit, shuma do të paguhet përgjatë  30 viteve të ardhshme  në formën e një takse karboni, një takse digjitale dhe një takse mbi plastikën e pariciklueshme. Për shërbimin e borxhit të ri, Komisioni, gjithashtu  propozon të rrisë tavanin e burimeve të veta (shumën maksimale që mund të kërkohet nga Shtetet Anëtare për shpenzimet buxhetore) në 2% të të ardhurave Kombëtare Bruto (GNI), të BE-së.  Do të jetë hera e parë, me përjashtim të shumave të vogla që u janë dhënë vendeve të treta përmes programit të ndihmës financiare  Makro  – që Komisioni do të marrë hua për të siguruar grante, jo kredi.

Realizimi dhe vënia ne zbatim  e Programit “Europa e Gjeneratës së Ardhshme”, kërkon që të arrihet në një marrëveshje për “arkitekturën e përgjithshme” të paketës së re deri në korrik.

Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor, pjesë e planit  “Gjenerata e ardhshme”

Vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe vendi ynë,  janë prekur nga pandemia Covid-19,  dhe po goditen rëndë nga kriza ekonomike. Sipas institucioneve ndërkombëtare, FMN, BB, BERZH, ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si rrjedhojë e krizës aktuale, mund të tkurret nga 5 deri në 9 %,dhe fenomenet e mbylljes  e falimentimet e biznesit, problemet sociale e papunësia do jenë prezente. Për të shëruar këto plagë dhe ndalur përkeqësimin e mbështetur programet e hapjes dhe të rindërtimit, Plani “Europa e Gjeneratës së Ardhshme”, ka parashikuar rreth 12.9 miliardë euro për 7vite. Kjo tregon se Ballkani Perëndimor është pjesë  e pandarë e Bashkimit Europian dhe në vëmendje të plotë te tij. Kësisoj, vendi ynë, që sa ka filluar programin e hapjes dhe pritet të fillojë  planin e rindërtimit  dhe si një vend në prag  të caktimit të datës për hapjen e negociatave me BE-në,  duhet të jetë gati për të  përfituar nga Plani për Gjeneratat e Ardhshme, si  një mundësi, një oportunitet pozitiv në këto momente.