Mehdi Pogaçe, Kolonel Pëllumb Zaimi: Braktiset edhe nga PS-ja Spitali Ushtarak dhe ish-ushtarakët

    377
    Sigal

    Qeveria e Ramës  nuk shfuqizoi kontratat e spitalit Amerikan në ambientet e Spitalit Ushtarak dhe  SHQUP-in

    Qeveria e Ramës, pardje, në një orë mbledhje anuloi 25 vendime të kabinetit “Berisha”, që ishin marrë pas 23 Qershorit.

    Skandali/Nuk shfuqizohet  kontrata e spitalit Amerikan në mjediset e Spitalit Ushtarak

    Më 29 korrik 2013 skadonte marrëveshja 2- vjeçare e Spitalit Amerikan me Ministrinë e Mbrojtjes, për të shfrytëzuar mjediset e brendshme të Spitalit Ushtarak, përveç ambienteve të tjera, që i ka marrë në një kontratë 25 -vjeçare. Qeveria e Berishës,  me vendimin e datës 30 korrik 2013 i ripërtërin kontratës Spitalit Amerikan për 10 vjet të tjera, që të shfrytëzojë ambientet e tjera të Spitalit Ushtarak. Këtë vendim,  qeveria e Ramës nuk e shfuqizoi, edhe pse kishte premtuar se, do ta zhbënte. Mosprishja e kësaj kontrate, që është bërë në ditët e fundit të qeverisë Berisha, përbën skandal edhe për qeverinë e re të Kryeministrit Rama. Nuk mund të ketë rilindje të sistemit shëndetësor publik, kur, ndërkohë, qeveria favorizon aktivitetet e ushtrimit të shërbimit shëndetësor privat brenda në mjediset e spitalit publik. Merreni me mend, që e kundërta nuk mund të ndodhë kurrë. Që një privat të lejojë, që në mjediset e biznesit të tij, të lejojë paralelisht ushtrimin e të njëjtit aktivitet, edhe të shtetit. Atëherë, përse qeveria, nga ana e saj, të lejojë ushtrimin e aktivitetit mjekësor privat brenda në spitalin Ushtarak? Përveç interesave nepotike të disa politikanëve, nuk ka asnjë tjetër justifikim ky skandal, që vazhdon të thellohet edhe me përgjegjësinë e qeverisë së Ramës.

    Lirimi i hapësirave spitalore nga aktivitetet jospitalore, një shou politik

    Ndërkaq ministrat e rinj të  qeverisë, bëjnë një shou mediatik, derisa urdhërojnë prishjen e të gjitha kontratave që kanë lidhur bizneset me aktivitet jo spitalor, por që deri tani ushtrojnë veprimtarinë e tyre brenda hapësirave të spitaleve publike. E keqja më e madhe e mirëfunksionimit e mirë menaxhimit të spitaleve publike nuk vjen nga ndonjë kioskë që shet libra, por nga aktiviteti mjekësor që bëjnë privatët brenda hapësirave të spitalit publik, sikurse ndodh me spitalin Amerikan që funksionon brenda mjediseve të Spitalit Ushtarak. Kësisoj, ushtrohet, paralelisht, një konkurrencë  jo e ndershme, pasi në Spitalin Ushtarak, qëllimisht nuk funksionojnë aparaturat, nuk ka asnjë ilaç, të cilat pacienti i gjen 2 metra më tutje, në spitalin privat. Nëse qeveria do vërtet të rilindë shërbimin shëndetësor publik, duhet të anulojë kontratat me spitalet private që kanë pushtuar mjediset e spitaleve publike. Në të kundërt, duke prishur kioskat, qeveria nuk shikon pyllin, por rendet pas një peme të vetmuar.

    Qeveria nuk u rikthen  SHQUP-in ushtarakëve dhe ish-ushtarakëve

    Qeveria e Ramës, nuk  shfuqizoi as vendimin për dhënien e SHQUP-it, si seli e PD-së. Kryetari i ri i Kuvendit, Ilir Meta, i pyetur ditë më parë, për shfuqizimin e vendimit të kabinetit të Berishës për SHQUP-in, u shpreh, se kjo çështje nuk është në përparësitë e maxhorancës, duke dhënë  një qëndrim të kundërt me PS-në.

    Ministrja e Mbrojtjes, Kodheli kishte premtuar rikthimin e SHQUP-it

    Pasi qeveria e Berishës vendosi që SHQUP-in ta japë PD-së, për seli të saj, reagimi i parë i kundërshtimit, atëkohë erdhi nga vetë PS-ja, e cila, tashmë ishte në maxhorancë dhe jo në opozitë. Madje,  ministrja e sapoemëruar e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, që edhe pse ende nuk kishte filluar zyrtarisht funksionin e saj, pasi qeveria e re ende nuk kishte marrë votëbesimin nga Kuvendi i ri, deklaroi, që sapo të fillojë punën qeveria e re, do të shfuqizojë vendimin e kabinetit Berisha, për tjetërsimin e SHQUP-it në seli të PD-së.

    Ish-ushtarakët shpërfillen nga qeveria socialiste

    Kryeministri i ri, Edi Rama, me vendimin e parë që mori, për emërimin si këshilltar të tij ushtarak, zotin Sandër Lleshi, dëshmoi qartazi, që ai po i braktis dhe nuk vlerëson kontributin e ish-ushtarakëve, por edhe të kastës së ushtarakëve aktivë, të cilët tradicionalisht, kanë qenë pjesë e elektoratit besnik të PS-së. Sandër Lleshi, si ushtarak, i përket kastës së ushtarakëve që kanë qenë besnik së Djathtës dhe Berishës. Pavarësisht se zoti Lleshi,  kohët e fundit ishte distancuar nga Berisha, gjithsesi ai, si zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, ishte nomenklaturë e PD-së. Kryeministri Rama, duhej të zgjidhte për këshilltarë ushtarak, çdonjërin nga kuadrot e zotë e të aftë ushtarakë, ish-ushtarakë, që tërë kohën ia kishte kushtuar së Majtës dhe PS-së, e që për këtë kontribut edhe ishin persekutuar politikisht nga qeveritë e Berishës. PS-ja, me qëndrimin e saj, pas vendimit të qeverisë Berisha për të tjetërsuar SHQUP-in, duhet të kishte treguar pjekuri politike. Meqë ky vendim u morr pas 23 Qershorit, PS-ja nuk ishte opozitë, ku qëndrimi i saj kritik politik, do të vlerësohej thjesht …oponencë, sa për të bërë zhurmë. PS-ja është bërë maxhorancë, ditë e ndajnë nga pushteti dhe qëndrimi i saj duhet të matej me mundësitë konkrete të realizimit. PS-ja, zgjodhi  politikën, që jo vetëm ta kritikonte tjetërsimin e SHQUP-it nga Berisha, por u zotua, njëkohësisht, që, sa të fillonte qeveria e re, do t’jua rikthente sërish ushtarakëve. Berisha, jo vetëm që vendimin e mori pas 23 Qershorit, por brenda dorëzimit të mandatit të vet qeveritar, para 7 shtatorit, SHQUP-in e shndërroi në seli të PD-së. Ndaj, PS-ja, por edhe ministrja e re e Mbrojtjes, zonja Kodheli, nëse zgjodhën politikën e premtimeve, duhet të kishin parasysh edhe mundësinë sa do ta konkretizonin , pas disa ditësh, kur të ishin qeveritarë. Mirëpo, qeveria e Ramës, nuk guxoi që të shfuqizonte vendimin e Berishës, sikurse bëri për 25 vendime të tjera. Madje, nuk u dha asnjë sqarim, asnjë premtim plotësues, që ndoshta, në të ardhmen, ky vendim do të shfuqizohet. Ish-ushtarakët, kësisoj, u braktisën, u zhgënjyen edhe nga qeveria e Ramës, të cilën gjithnjë e kanë mbështetur.

    Kundërshtimi i PS-së, një demagogji

     Por ka edhe një shpjegim tjetër, përse qeveria Rama nuk e shfuqizoi vendimin e kabinetit Berisha për tjetërsimin e SHQUP-it në seli të PD-së. Rama si kryebashkiak ka firmosur për lejen e ndërtimit të pallatit që bëhet para selisë së PD-së, ku qysh atëherë, mbase e dinte që një ditë selia e PD-së, do të shpërngulej që andej, pasi pronarët e atij pallati janë shumë të fuqishëm dhe me ndikim në qendrat e marrjes së vendimeve.

    Flasin për “Telegraf”:

    Mehdi Pogaçe, Kryetar i SHKURSH-it: “Ndoshta në të ardhmen, qeveria e Ramës, do ta shqyrtojë çështjen e SHQUP”-it

    Është ende shpejt që të shprehemi, nëse qeveria e Ramës, nuk do ta mbajë premtimin që u ka dhënë ish-ushtarakëve për rikthimin e SHQUP-it. Do ta studiojë edhe Shtabi i Përgjithshëm këtë çështje, sepse jam i sigurt që dikush nga Shtabi i Përgjithshëm ka firmosur që SHQUP-i t’i kalojë seli e PD-së. Jam i sigurt që qeveria do të rishqyrtojë, pasi tani, mund të ketë arsye politike që ta anashkalojë, pasi, nëse e shfuqizonte tani, do të dukej si një notë lufte midis maxhorancës dhe opozitës

    Kolonel Pëllumb Zaimi: “Rama tregohet mosmirënjohës ndaj ushtarakëve”

    Qeveritarët socialistë tregohen burracakë, që nuk guxojnë të shfuqizojnë një vendim të Berishës, për të cilën vetë ata premtuan. Ky qëndrim i qeverisë së Ramës, që të mos u rikthejë shtëpinë ish-ushtarakëve dhe ushtarakëve tregon se Rama është mosmirënjohës ndaj ushtarakëve të vet. Tjetërsimi i SHQUP-it nga Berisha ishte atentat kundër ish-ushtarakëve. Na përdhosi ushtrinë, dhe tani  na tha: Po u përdhos edhe shtëpinë.