Ministri i Drejtësisë Naço, vizitë në Mbretërinë e Bashkuar me ftesë së Ministrit të Burgjeve dhe Rehabilitimit, Jeremy Wright

421
Sigal

 Ministri i Drejtësisë  z. Nasip Naço, po zhvillon një vizitë pune disa ditore në Mbretërinë e Bashkuar, me ftesë të Zëvendës Sekretarit të Shtetit për Drejtësinë dhe Ministër për Burgjet dhe Rehabilitimin, Z. Jeremy Wright, për të marrë pjesë në ceremoninë tradicionale të hapjes së Vitit Ligjor në Angli dhe Uells. Ministri Naço u prit në një takim të veçantë nga Zëvendës Sekretari i Shtetit për Drejtësinë dhe Ministër për Burgjet dhe Rehabilitimin, Z. Jeremy Wright. Gjatë takimit miqësor, u nënvizuan edhe një herë marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona. Ministri Naço falënderoi z. Wright për të gjithë ndihmën e dhënë nga Mbretëria e Bashkuar për reformën në drejtësi dhe në veçanti, në fushat e sistemit penitenciar, të shërbimit të provës, të ekstradimeve, mbikëqyrjes elektronike të shërbimit të burgjeve, si dhe ndihmës së dhënë në kuadër të bashkëpunimit me Dhomën e Avokatisë. Ministri, gjithashtu, e informoi z. Wright mbi reformat që do të ndërmerren në institucionin që drejton, ku kryefjala e punës është lufta kundër korrupsionit. Ministri Naço solli në vëmendje domosdoshmërinë e reformave në gjyqësor, ndryshimet në legjislacion, nevojën për të marrë mendimin dhe asistencën e ekspertëve më të mirë të fushës, sidomos atyre britanikë, por pa dyshim edhe të Komisionit të Venecias. Duke bërë një paraqitje të objektivave prioritare që do të nisin brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, Ministri i Drejtësisë, Naço, nënvizoi vazhdimin e reformave dhe përmirësimin e atyre që u lanë përgjysmë. Në kuadër të reformave në drejtësi, Naço u ndal më konkretisht në hapat e parë që janë hedhur në këtë drejtim, duke përmendur këtu portalin si pjesë e strategjisë anti- korrupsion. Ai tha se pret që çdokush, çdo qytetar apo media, të denoncojnë veprimet e paligjshme, si dhe fshehjen e pasurisë së gjyqtarëve, prokurorëve, noterëve, avokatëve, inspektorëve  të burgjeve, të gjithë inspektorëve të tjerë që janë pranë zyrave të regjistrimit, pra të gjithë sistemit të drejtësisë. Naço u ndal, gjithashtu, tek paketa anti- korrupsion, që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit, ndryshimet që do të bëhen në Kodin e Procedurës Penale, ndryshime këto për ta konsideruar korrupsionin një nga veprat më të rënda që parashikon Kodi Penal.