LDK-ja e qetëson Vetëvendosjen: Nuk ka ultimatume sa i përket taksës dhe reciprocitetit

482
Sigal

Lutfi Haziri, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka qetësuar partnerin e koalicionit në qeverisje, Lëvizjen Vetëvendosje, se nuk do të ketë ultimatume nga partia e tij.

Haziri ka thënë se LDK’ja nuk ka ultimatume ndaj Vetëvendosjes sa i përket taksës dhe reciprocitetit.

“Është bërë një hap i madh drejt largimit të taksës… Besoj se koha do ta dëshmojë se taksa nuk ka qenë e rëndësishme për t’i dhënë këtë vëmendje”, ka deklaruar Haziri në RTV Dukagjini.

Ky i fundit ka thënë se me Vetëvendosjen kjo parti ka hyrë në koalicion për katër e më shumë vite, dhe jo për të shkëputur koalicione.

“Roli i LDK-së është për të forcuar stabilitetin e jo për ta minuar atë stabilitet që ekziston. Besoj shumë qe vet fakti që Kryeministri ka dalë në publik dhe ka paralajmëruar largimin e tarifës është hap i madh politik”, është shprehur ai.

Haziri ka thënë se në bazë të vlerësimeve, importimi i lëndës së parë nga Serbia nga prodhuesit kosovarë shkon në 65 milion euro në vit.

“Askush nuk e ka thënë prej dy vitesh që prodhuesit kosovarë janë të varur nga lënda e parë që vjen nga Serbia”, ka theksuar ai.