Gjiknuri, Braçe dhe Balla: Në fund të mandatit po vendosni për 10 vitet e ardhshme

479
Sigal

Dje në seancën plenare deputetët e PS-së akuzuan Berishën dhe qeverinë e tij për privatizimet e Lotarisë Kombëtare dhe HEC-et

  HEC-et privatizohen  përpara zgjedhjeve se paratë i duhen Berishës për fushatë elektorale

 Damian Gjiknuri

 Nuk ka asgjë strategjike në privatizimet strategjike, por vetën një strategji që për të kthyer privatizimin në qëllim në vetvete dhe jo në një instrument zhvillimi të qëndrueshëm. Sot po shiten 4 HEC-et me një fitim vjetor prej 20 milionë euro për 100 milionë euro, pra investimi lahet për 5 vjet nga investitori i ri. Po shiten asete të rinovuara së fundi me një kredi prej 27 milion dollarë, duke i lënë publikut në kurriz kredinë dhe duke i dhuruar pjesën e shëndoshë privatit. Shteti pëson humbje të pastër. Shitja e 4 HEC-ve do të rritë sasinë e energjisë elektrike, që KESH duhet të blejë nga privatët, të paktën me rreth 400 milionë energji elektrike në vit. Për këtë sasi do të duhen afërsisht 30 milionë euro në vit, që KESH sha do të duhet t’i paguajë. Pra, rezultati ekonomik i KESh sh.a do të përkeqësohet ndjeshëm në krahasim me gjendjen e sotme. Kriza financiare e sektorit të energjisë elektrike do të thellohet më shumë. Shitja po bëhet në kundërshtim me  ligjin për privatizimin në sektorë strategjik, pasi investitori nuk është strategjik dhe nuk ka ekspertizë të veçantë e të demonstruar në këtë drejtim. Por çfarë fshihet më tej. Investitorit “Kurum” shteti i ka borxh miliona euro si TVSH të parimbursueshme, e cila me një vendim të qeverisë për miratim shitjes në pikën 4 të saj, theksohet se do t’i rimbursohet vlera e TVSH, pra me një fjalë çmimi i vërtetë është 10 milionë euro më pak. Por ka gojë të liga, që thonë se është 30 milionë euro. Dikush nga qeveria duhet të japë një shpjegim për këtë sa është vlera e TVSH që i zbritet çmimit? Ky veprim duket si një rialokim detyrimesh, por a mos ka qenë kjo në mendje të qeverisë qysh në fillim? Pasi në fillin dokumentet e tenderit u përgatitën për investitorë strategjikë, dhe kur kjo dështoi, u ndryshuan dhe u rihodhën në shitje në një periudhe të shkurtër, duke mos i lënë kohe konkurrentëve të tjerë për t’u përgatitur. Çmimi i shitjes është i diskutueshëm dhe del zbuluar nga një shitje tjetër e qeverisë, disa muaj më parë për HEC e Lanabregasit, ku çmimi i shitjes është 3 milionë për Mega ndërsa në rastin në fjalë 1.4 milion për Mega. Si shpjegohet kjo diferencë prej 100 milionë euro me total ? Dikush do të thotë shitja e Lanabregasit ishte shitje fiktive në letër shtet për shtet, një shpikje abuzive e kësaj qeverie abuzive. Shitje ndërmarrjes së Ujësjellësit Tiranë, njësoj si Hotel Dajti Bankës së Shtetit, që akoma nuk po i del qëllimi se përse u ble. Qeveria i detyrohet publikut një përgjigje nëse ka mashtruar në çmimin e shitjes së HEC Lanabregas, apo në çmimin e HEC Bistrica? Kjo qeveri në prag të zgjedhjeve dhe e zhytur në borxhe është vërsulur si lubi për të eliminuar çdo të mirë publike duke shkuar deri në deklarime absurde se paratë nga privatizimi na duhen për të rritur rroga dhe pensione, shkurt për premtime elektorale. E thënë më thjesht kjo do të thotë që pasuritë e krijuara në breza duhet të shiten me çdo kusht e me çdo çmim përpara zgjedhjeve se paratë na duhen për fushatë elektorale. Ky është kapitalizimi i Lulizuar i doktorit Berisha, e cila më kujton atë shprehjen e ngjashme me reklamën që e kam thënë vite më parë nga kjo foltore:  “Privat bëje mirë bëje vet pasi nuk ka shtet”. Prandaj në 23 qershor përpara jush shtrohet edhe një dilemë dhe detyrë, të shpëtojmë pasuritë publike të mbetura që u përkasin brezave nga shpërdoruesi Sali. Ju dhe fëmijët tuaj meritoni t’i gëzoni ato.

 Berisha e do Shqipërinë për ta shitur!

Erjon Braçe

Sot në mëngjes Sali Berisha bëri në Kuvend pohimin më të sinqertë në këto 8 vite të pushtetit të tij: Unë e dua Shqipërinë për ta shitur! Vijojmë të mbetemi nën të njëjtën filozofi: atë të Atdheut Privat, nën të njëjtin aksion,  privatizim të Atdheut, privatizim të pasurive natyrore kombëtare, privatizim të çdo të drejte e licence-madje të atyre që kudo në botë mbeten publike.  “privatizimin e personalizuar”: U vendos me VKM 25, datë 11.1.2012, kur në kriteret kualifikuese, kriteri teknik 3 u vendos ai i “pajisjes me certifikatat për aspektet e standardeve të zbatuara nga Shoqata Botërore e Lotarisë apo Shoqata e Lotarive Europiane”; Certifikata që lëshoheshin nga zëvendëspresidenti i këtyre shoqatave që ishte edhe drejtori i ndërmarrjes së favorizuar për të fituar licencën këtu, praktikisht fituesi OL. Ka më personalizim se ky? Po a nuk është klientelizëm dhe paracaktim i paligjshëm i fituesit? Po, është dhe ne nuk duhet ta pranojmë! Së dyti, “kalim monopoli”, madje, garantim i tij deri në konkurrencë nga ngjashmëri fare rastësore. I hiqni shtetit të drejtën e Lotarisë Kombëtare për 10 vjet dhe ja jepni një kompanie, të cilës, i jepni të drejtë edhe të nënkontraktojë! Një gjë është e vërtetë, që e gjithë kjo histori nisi nga nënkontraktorët, ata e gjetën kompaninë në Vjenë, pas një jave do i keni publike! Së treti, “privatizimi pa para”-fakt i njohur tashmë. Ta dëgjojnë shqiptarët, kjo e drejtë, ky monopol shtetëror që do të akumulojë në vit deri në 1 miliard dollarë, jepet vetëm për 500 milionë lekë, 5 milionë dollarë. E shihni diferencën? Është e llahtarshme. Qeveria austriake ka vendosur dy taksa të posaçme mbi Lotarinë Kombëtare: “tarifa e licencës”, tjetra “tarifa e basteve”; Qeveria e Sali Berishës, për të njëjtën lotari e për të njëjtën kompani ka vendosur: “tatim mbi xhiro”, tjetra “tarifë për njësinë e mbikëqyrjes së lojërave të fatit”;OL, në 2011 pati një xhiro prej rreth 2.9 miliardë euro.  OL pagoi në Austri, vetëm për këto dy taksa: 447 milionë euro ose 15.4 % të xhiros.  OL, po ta vendosim në kushtet e bilancit të saj, do të paguajë në Shqipëri për këto dy taksa:304 milionë euro ose 10.5 % të xhiros. Qeveria austriake i ka vendosur detyrim OL të paguajë 3% të xhiros si mbështetje për sportin; Qeveria e Sali Berishës i ka vendosur detyrim OL të paguaje 2.2% të xhiros “për çështje të mira”; OL pagoi edhe 80 milionë euro të tjera për sportin; OL, po ta vendosim në kushtet e bilancit të saj, do të paguajë në Shqipëri 63 milionë euro. Në total detyrimet në Austri ishin: 527 milionë euro ose 18.2% të xhiros. Në total, po ta vendosim në kushtet e bilancit të saj, do të paguante në Shqipëri: 367 milionë euro ose 12.7% të xhiros. Fiks 30% më pak në Shqipëri, të humbura për shtetin dhe fitime për kompaninë! Edhe njëherë dua t’ju pyes, e kuptoni se çfarë favori po bëni? Para që ja hiqni shtetit dhe ja jepni privatit! Ju në fund të mandatit tuaj po vendosni për 10 vitet që vijnë:  Keq, në mënyrë të padrejtë, të pandershme, klienteliste, korruptive dhe me një dëm kolosal në dhjetëra milionë euro për Buxhetin e Shtetit!

“Ne do ta anulojmë kontratën e privatizimit të Lotarisë Kombëtare”

Taulant Balla

Vendimmarrja e sotme e këtij Kuvendi është tërësisht klienteliste dhe e korruptuar. Sot Sali Berisha po mbyll edhe pazarin e Lotarisë Kombëtare. Si ka mundësi që kompania që po e blen është një kompani licencash monopol shtetërore në Austri, ndërsa Shqipëria e shet! Ky është një pazar i mbyllur shumë kohë më parë sesa të fillonin procedurat për shitjen e kësaj licence. Kriteret që Sali Berisha përdori në tenderin e dhënies së kësaj licence ishin përjashtuese dhe çuan drejt një rezultati të paracaktuar. Si pjesë e pazarit Qeveria shqiptare nuk vendosi çmimin si një nga kriteret konkurruese në tender, por e përcaktoi atë të fiksuar. Krahasimet nxjerrin se Shqipëria ka ofruar çmimin më të ulët në botë të shitjes së licencës.  Në Irlandë një shtet me 4.4 milionë banorë çmimi i shitjes së licencës do të jetë nga 400 deri në 600 milionë euro. Në Shqipëri, 3.5 milionë euro. Qeveria greke po ashtu e shiti licencën për dhjetë vjet me një çmim prej 400 milionë eurosh, ndërsa në Turqi kompania fituese e pagoi licencën 2 miliardë euro. Qeveria thotë se përveç taksave të zakonshme kompania që do fitojë Lotarinë Kombëtare do të paguajë dhe një tatim shtesë mbi xhiron prej vetëm 10%. Por si taksohet ky aktivitet në vendet e tjera? Qeveria e Irlandës ka vendosur paraprakisht se fituesi do të paguajë në shtet 30 %. Tre herë më shumë se në Shqipëri.  Në Afrikën e Jugut kompania që ka licencën e Lotarisë Kombëtare paguan 35 %.  Ndërsa në Austri (vendi nga ku vjen kompania fituese) shifra është 15 % dhe madje licenca është monopol shtetëror i dhënë tek privati vetëm për administrim. Sipas krahasimeve, kompania austriake, që tani do të ketë monopolin e pjesës dërrmuese të tregut të kumarit në Shqipëri, do të paguajë taksa në buxhet dy herë më pak se sa paguan në vendin e saj. Qeveria,  përveçse po ja shet licencën me çmimin simbolik prej vetëm 3.5 milionë euro, qeveria i ka bërë edhe favor tek taksat kompanisë që do fitojë licencën e lotos, në një nga tenderët më të debatueshëm dhe të përfolur në Shqipëri. Akti i shitjes së kësaj licence më një çmim qesharak dhe me detyrime fiskale favorizuese për kompaninë private dhe dëmtuese për buxhetin e shtetit është një akt korruptiv. Ne do t’ia kthejmë Lotarinë Kombëtare publikut shqiptar.