Prof.Dr.Alqi Naqellari: Programin ekonomik të Shqipërisë e hartojnë vetë shqiptarët dhe jo gjermanët

959
Sigal

Programin Ekonomik të Shqipërisë e hartojnë vetë shqiptarët dhe jo gjermanët

 

Alqi NAQELLARI

Programin ekonomik i PD është hartuar me asistencën e Gjermanisë, është hartuar me ndihmën e kristiandemokratëve gjermanë, me një plan për nxjerrjen e vendit nga kriza dhe për ta futur atë në rrugën e një ekonomie evropiane. Kështu theksoj Kryetari PD, kështu kanë theksuar edhe më parë. Edhe kur vendosën prioritet të ekonomisë shqiptare, arroret e faroret, kur thanë se do mbillnin dhjetëra milionë rrënjë ullinj e arra, edhe kur privatizuan Armon e KESH-in. Çfarë rezultati arritën me të ashtuquajturën asistencë të huaj, asistencë gjermane? Asnjë rezultat, vetëm dështuan. Nuk shpallën cili do ishte drejtimi kryesor i ekonomisë shqiptare, për një periudhë afat-shkurtër dhe për një periudhë afat-gjatë, cili do ishte raporti midis pronës shtetërore dhe pronës private, në këtë aspekt midis sektorëve strategjik dhe sektorëve jo strategjik, etj. Përse duhen këto përcaktime, veçanërisht përcaktimi degës kryesore të ekonomisë. Ky përcaktim është i nevojshëm sepse ekonomia e një vendi zhvillohet duke pasur një bosht qendror, rreth të cilit mbështeten të gjitha degët e tjera. Si prioritete zakonisht përcaktohen ato degë që mbështeten në burime ekonomike që e dallojnë një vend nga një vend tjetër. Kjo sepse vende të ndryshme kanë burime të ndryshme ekonomike, kanë faktorë të ndryshëm. Në këtë aspekt edhe Shqipëria ka dallimet e saj dhe veçoritë e saj. Nuk mund të përcaktohen si prioritete degë apo grup degësh që japin prodhime sezonale, përgjithësisht të përcaktuar nga koha. U prodhua se” ra shi” ose nuk u prodhua se”nuk ra shi”. Degë kryesore përcaktohen ato degë që prodhojnë produkte të tregtueshme, dhe jo ato degë që japin produkte jo të tregtueshme. Nuk mund të jenë degë kryesore shërbimet, në një vend me pasuri të mëdha nën e mbi tokësore, siç është Shqipëria. Nuk mund të bëhet hoteleria degë kryesore, apo shërbimi në restorante apo përgjithësisht shërbimet kulinare. Këto janë degë që japin produkte që nuk dalin nga dera e lokalit, japin produkte që zhduken brenda lokalit dhe nuk dalin në treg. Pikërisht këto lloj produktesh i kanë edhe klientët e tyre, apo konsumatorët e tyre të kufizuar, dhe të përcaktuar. Këto degë e realizojnë skemën P-M-P’ në të njëjtin ambient, duke ndërprerë mundësinë e efektit të multiplifikimit të punës. Këto degë nuk e stimulojnë zhvillimin e rritjen e degëve të tjera, e për pasojë rritjen e punë-zënies. Me këtë degë dhe produkte nuk ka vend Ligji Okunit, për lidhjen e normës së papunësisë me rritjen ekonomike. Tregu i tyre është plotësisht i kufizuar me klientë të përcaktuar. Po kështu, këtu përfshijmë edhe motelet dhe restorantet. Nuk mund të kthehet në degë prioritare hoteleria e cila funksionon, përgjithësisht në një pjesë të vitit, me intensitet, dhe për një grup të caktuar klientësh. Shërbime të tilla nuk kanë tregje si gjithë produktet e tjera që mund ti shpërndash në të gjithë vendin, në një hapësirë të madhe, por kanë vetëm një treg. Duke pasur vetëm një treg klientët janë të pakët, të zgjedhur. Në këto tregje konkurrenca midis klientëve është e madhe, prandaj edhe çmimet e tyre në periudhat e verës janë të larta. Këto çmime ndikojnë negativisht edhe në rritjen e klientelës së tyre.

Dështimi i synimeve të PD apo e PS e LSI janë edhe shprehje e dështimeve të asistuesve gjermanë apo anglezë, skocez, holandezë apo izraelit. Po përse dështojnë asistenca e gjermanëve, e anglezëve apo e ndonjë vendi tjetër? Asistenca e tyre dështon sepse Shqipëria ka veçoritë e saj në ekonomi, që nuk ngjasojnë as me Gjermaninë, as me Anglinë dhe me asnjë vend tjetër të zhvilluar perëndimor. Askush prej tyre nuk mund ta çojë në mendje se në këtë vend 1 në 3 familje merr para borxh për të jetuar. Nuk mund të krahasohet ekonomia shqiptare me ekonominë gjermane dhe angleze sepse: GDP-ja e ekonomisë Gjermane në 2018 ka qenë 3951 miliardë $, inflacioni 1.486% në 2019, 47662 GDP/frymë, papunësia 3.1% në 2019, eksportet 1434 mld $ (2017), importet 1135 mld (2017), borxhi brendshëm 60.9% të GDP-së. Anglia e ka pasur GDP (2018) 2828 mld $, inflacioni 1.8 janar 2019, papunësia 3.8 në korrik 2019, eksportet 976 mld, llogarinë korente -30 mld $, borxhi ndaj GDP 87%, GDP për frymë 44 118 $. Problemi kryesor i Qeverisë Gjermane nuk është as inflacioni, as rritja ekonomike por është rritja e mirëqenies së qytetarëve gjermanë, “ngushtimi dallimeve ekonomike midis zonave të ndryshme të vendit”. Po për BE cili do jetë objektivi “Konkurrenca, prosperiteti dhe rritja ekonomike janë tre objektiva themelorë të të dy Presidencave tona të BE-së”. Ja çfarë thotë Ministri Gjerman i Ekonomisë Peter Altmaier më tej : ”Ne jemi duke ndjekur një politikë ekonomike të orientuar nga e ardhmja që promovon rritjen, dhe investimet tona publike janë në nivele rekord. Që nga viti 2015, ato janë rritur mesatarisht me rreth 7% çdo vit. Vetëm në tre vitet e ardhshme, ne do të investojmë një 54 miliardë shtesë për mbrojtjen e klimës. Në të njëjtën kohë, ne kemi prezantuar shumë zbritje të taksave për qytetarët dhe kompanitë. Këto përfitime u ofrojnë ndërmarrjeve hapësirë ​​shtesë për inovacion dhe investim në të ardhmen. Në fund të fundit, 90% e investimeve të tilla vijnë nga sektori privat. Ne i bashkojmë të gjitha këto me një politikë të shëndoshë buxhetore që, falë të ardhurave të larta të taksave pas shumë vitesh rritje të niveleve të larta dhe kamatave të ulëta, lë hapësirë ​​të mjaftueshme për investime”. Po kush është ekonomia shqiptare?

Shqipëria ka GDP rreth 14 miliardë $, 273 herë më të vogël se Gjermania dhe 209 herë më të vogël se Anglia. Shqipëria e ka GDP 10 herë më të vogël se qyteti Bremenit. Gjermania dhe Anglia janë në produkt potencial, në normë natyrore të papunësisë. Kanë të përcaktuar degët kryesore të ekonomisë së tyre. E kanë mbështetur ekonominë e tyre në burimet e brendshme ekonomike, në nxjerrjen dhe përpunimin e pasurive nëntokësore, në energjetikë dhe përmirësimet teknologjike. Hotelerinë dhe turizmin e kanë të zhvilluar në mbështetje të degëve kryesore. Turizmi nuk kap ndonjë peshë të dukshme pavarësisht se të ardhurat nga shërbimet zënë një peshë të madhe në GDP-në Gjermane dhe Angleze.

Në këtë mënyrë asistenca e tyre është e pa efektshme, asistenca e tyre është më shumë për efekte reklame në popull, i cili mendon “se duke dhënë asistencë edhe gjermanët edhe anglezët” do bëhet një gjë. Në fakt, as nuk është bërë dhe as nuk do bëhet gjë. Shqipërinë do ta bëjnë shqiptarët. Ekonominë shqiptare e njohin shqiptarët, dhe po e nxorën nga kjo situatë do ta nxjerrin vetëm shqiptarët dhe askush tjetër. Prandaj edhe qeveria duhet të shikojë me prioritet degët që kanë të bëjnë me shfrytëzimin dhe përpunimin e pasurive nën tokësore.

Në të dhënat e fundit të INSTAT thuhet se janë ulur eksportet dhe janë rritur importet, se euro nuk po gjen stabilitet dhe se rritja ekonomike pritet të ulet. Po ta ndjekësh me vëmendje ecurinë e ekonomisë shqiptare këta tregues janë të pritshëm, sepse nuk janë mbështetur me prioritet degët e prodhimit, por janë mbështetur degët që përfaqësohen prej shpenzimeve, akoma rritja ekonomike vazhdon të argumentohet me rritje të kërkesës agregate, me rritje të shpenzimeve të konsumit. Të pohosh të tilla ecuri do të thotë të ngatërrosh shkakun me pasojën, shkaku është prodhimi, dhe jo shpenzimi. Në teorinë Keynsiane është shkak shpenzimi. Të vendosësh formëm P-P’ është një gabim fatal sepse nuk pjell paraja paranë por paraja shoqëron mallin, shpejton lëvizjen e tij, realizon rolin e saj si mjet qarkullimi apo si mjet këmbimi. ”. Paraja është pasojë dhe jo shkak. “Kështu që kur themi: Shitja nuk shkon, sepse paratë janë të pakta, ne i marrim mjetet për shkakun; është një gabim që vjen nga fakti se pothuajse të gjitha produktet zgjidhen në monedhë, para se të këmbehen në mallrat ë tjera… “Ne nuk duhet të themi: Shitja nuk shkon mirë, sepse paratë janë të pakta, por sepse janë produktet e tjera”(Say B.J. 1803. Book 3. F. 124). Realiteti botëror dhe ai shqiptar e kanë vërtetuar këtë. Ekonomia rritet nga rritja e prodhimit dhe jo nga rritja e shpenzimeve. Është prodhimi ai që punëson individin dhe jo shteti, nëse do ishte shteti, atëherë mjafton që të rriteshin pagat 10 herë dhe ekonomia do ishte rritur 10 herë, edhe më shumë nëse marrim në konsideratë multiplikatorin, do ishte rritur 15 herë. Është gabim të mendohet se shteti është punëdhënësi më i madh, shteti i jep prioritet degëve të caktuara dhe i stimulon ato, shteti nuk jep punë, dhe aq më pak ekselentëve. Shteti stimulon prodhimin dhe bën ndarje racionale të faktorëve ekonomikë. Shteti e lë të lirë iniciativën krijuese, askënd nuk detyron se çfarë të prodhojë dhe si të prodhojë. Të gjitha këto i përcakton tregu.

Po i shkruaj këto mendime nga intervistat që dha kryetari PD-së. Nëse vazhdon të mendoj kështu, përsëri do të dështojë, më mirë e kemi PS-në se ja morëm dorën. Le të ndryshojë edhe njëherë ministrat, të bëjë ndryshime strukturore në raportin e pronësisë, në raportin degës kryesore dhe ndihmëse, të uli taksat, të luftojë korrupsionin dhe jemi në rregull. Nëse merr në konsideratë mendimin e shkencëtarëve shqiptarë, mendimet e profesorëve të matematikës, të ekonomisë, të financës duke i angazhuar ata në një studim të përbashkët për “Perspektivën e Ekonomisë Shqiptare në 100 vjeçarin e Ardhshëm”, atëherë ekonomia shqiptare nuk do ketë nevojë as për mendimin e gjermanëve e as të anglezëve. Studiuesit shqiptarë, pedagogët dhe shkencëtarët shqiptarë, janë asset i pa zëvendësueshëm që duhet vlerësuar. Të hiqet nga mëndja se të huajt dinë më shumë se ne shqiptarët. Koha dhe puna, e shqiptarëve jashtë Shqipërisë, ka treguar se shqiptarët janë të barabartë me ta dhe në shumë degë e profile edhe në avancë. Disa nga Ekonomikset tona janë më cilësore se Ekonomikset e autorëve të huaj. Konferenca e Matematikës dhe Inovacionit që u Organizua nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, nga Universiteti Tiranës, nga Akademia e Shkencave, nga Shoqata e Matematikës, në bashkëpunim me Universitetin “A Moisiu Durrës”, “La Sapienza University”, Fakulteti i teknologjisë së Informacionit Itali, tregoi se Shqipëria ka burime intelektuale shkencore, në fushën e matematikës, informatikës dhe ekonomisë, të pa shfrytëzuara, dhe që për fat të keq nëse do vazhdohet kështu do mbeten edhe për një kohë të gjatë pa u shfrytëzuar. Dhe ne do vazhdojmë të themi nuk bëhet shkencë në Shqipëri, nuk ka shkencëtar Shqipëria. Këto janë mendime dhe vlerësime të gabuara, Shqipëria ka intelektualë, ka shkencëtarë që për fat të keq pak njerëz i dinë dhe i njohin. Për fat të keq më shumë i njohin jashtë Shqipërisë sesa Brenda Shqipërisë. Zakonisht, shqiptarët janë mësuar të vlerësojnë “ishat”. Kadareja të thonë, në letërsi, Dritëroi të thonë, Vaçja të thonë, në këngë, apo Krajka në muzikë. Ishte Pano, Mara, Mullaraj, Luçi, Ilmia në ekonomi, apo ishte Pilika, Minga Turdiu i tmerrshëm në matematikë. Këta ishin dhe ne u heqim kapelën, i kemi nderuar dhe do t’i nderojmë gjithmonë. Por sot ka këngëtarë, romancierë, poetë, piktorë dhe filozofë që edhe këta do t’i kishin zili. Sot ka pedagogë dhe pedagoge të talentuar të matematikës dhe ekonomisë që i kanë kaluar këta njerëz, djem dhe vajza të epokës digjitale, që nuk dinë çfarë është Lotusi e Dosi, por dinë mirë teknologjinë G5, që përdorin programe moderne, të fundit në përpunimin e të dhënave në fushën e ekonomisë. E pse nuk na vjen mirë të themi se këta pedagogë të rinj të matematikës dhe të ekonomisë i kanë zëvendësuar me dinjitet iluministët e tyre, që bën emër në ekonomi dhe matematikë. Pse nuk njihen ata dhe punimet e tyre në Shqipëri? Nuk njihen sepse në kushtet që ka vendosur Ministria e Arsimit për të marrë një gradë apo një titull shkencor është kusht që të kesh botuar jashtë Shqipërisë, artikuj me Faktor Impakti, me Indeks SCOPUS, të kesh marrë pjesë në Konferenca Ndërkombëtare etj, etj. Pra duhet të botosh jashtë duke injoruar plotësisht Revistat Shkencore Shqiptare. Duke injoruar plotësisht Revistën e Akademisë Shkencave. Kujt i hyjnë në punë jashtë Shqipërisë artikujt e shqiptarëve? Ato shkruhen për ekonominë shqiptare dhe jo për ekonominë franceze apo angleze. Atëherë si do njihen punimet shkencore nga Qeveria, si do njihen nga Institucionet që kanë interesa për këto punime shkencore. Askush nuk e di dhe askush nuk i njeh dhe lexon në Shqipëri, prandaj thuhet se “shqiptarët nuk bëjnë shkencë“.

Në këtë Konferencë dolën mjaftë probleme, edhe për ecurinë e ekonomisë shqiptare, edhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit të matematikanëve me ekonomistët, dhe me gjithë fushat e tjera. Këtu kishte punime edhe me rendësi ndërkombëtare. Jam i sigurt se ato do vlerësohen nga të huajt, ndërsa i keqardhur se nuk do lexohen nga asnjë shqiptar. Pse them që nuk do lexohen nga asnjë shqiptar? Kam eksperiencën time. Nga mbi 800 klikime me emër vendesh, dhe dhjetëra citime e shpërndarje të punimeve të mija, me emra profesorësh e studiuesish, nuk ka asnjë shqiptar, ka rusë, polak, rumun, grek, kretan dhe Italianë. Kështu ndodh edhe me kolegët e mi. A duhet thyer kjo tendencë, negative, kjo dukuri injoruese e mendimit shkencor shqiptar. A duhet të njihen punimet e shqiptarëve edhe Brenda Shqipërisë, nga Ministria e Arsimit, nga Ministritë e Linjës, nga Kryeministria, Banka Qendrore dhe nga gjithë institucionet e interesuara. Po kush i vendos kushtet e kualifikimit të pedagogëve? I vendosin ca “profesorë” që nuk kanë ndonjë kontribut në mendimin shkencor shqiptar apo të huaj, që nuk kanë botuar ndonjë artikull me FC apo SCOPU-s, ata që i kanë bërë monopol titujt dhe gradat shkencore, dhe nuk pranojnë as ventingun në fushën e arsimit. Ministria e Arsimit le të vendosi që këtyre Rregullave t’ju nënë-shtrohen të parët ata që i kanë hartuar ato pastaj t’ju nënshtrohen edhe të tjerët.

Mendimi shkencor është aset, është faktor ekonomik dhe nuk duhet lejuar të largohet, ai ka nevojë të stimulohet dhe të vlerësohet. Nëse vlerësohet dhe i krijohet mundësi, jo si ekselent në shtet, këtë nuk e shikoj si mundësi, jam i sigurt se askush nuk do të largohet nga Shqipëria.

Konferenca e Matematikës ishte një risi në fushën e organizmit të eventeve të tilla shkencore.