Sajuan atentatin në Vlorë për interesa personale, arrestohen

528
Sigal

U konsiderua si një atentat ngjarja e 12 majit në autostradën Vlorë-Levan, ku një automjet u qëllua me breshëri plumbash, por gjithçka ishte e sajuar për interesa personale të dy shokëve.

Tre javë pas ngjarjes, policia arriti që të zbardhet të gjithë dinamikën duke arrestuar edhe dy protagonistët. Është arrestuar nga ana e Policisë Romarjo Aliraj dhe shoku i tij për shkak se tre javë më parë sajuan një atentat në dalje të Vlorës.

Ngjarja ndodhi në 12 Maj në vendin e quajtur Ura e Mifolit, dhe sipas Policisë atentati ndaj golfit të Alirajt është sajuar nga vetë ai dhe miku i tij për interesa personale.

Njoftimi i Policisë:

Policia zbardh ngjarjen e Novoselës të ndodhur më datë 12 Maj 2019

Sajon ngjarjen për interesa personale në bashkëpunim me shokun e tij, por vihen të dy në pranga.

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 12.05.2019, ku persona të paidentifikuar kanë tentuar të vrasin 24 vjeçarin R. A, i cili në momentin e sulmit ishte duke drejtuar automjetin e tij Volksëagen Golf në autostradën Vlorë-Levan, Policia në bashkëpunim me Prokurorinë ka zbardhur ngjarjen, ku ka rezultuar se ngjarja është sajuar nga autori dhe shoku i tij , për interesa personale.
Në këtë kuadër u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:

R.A., 24 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Kallëzimi i rremë”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i vuajtjes së dënimit” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”.

A.V., 51 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Kallëzimi i rremë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.

Nga hetimet e kryera dhe provat e administruara ka rezultuar se shtetasi A.V në bashkëpunim me vetë shtetasin R.A, kanë përgatitur, simuluar dhe realizuar vetë ngjarjen në fjalë për interesa personale duke përdorur gjithashtu edhe një armë zjarri automatike.

Gjithashtu, për shtetasin R.A, më datë 01.06.2019, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, por ditën e djeshme (03.06.2019) është konstatuar nëpër qytet duke mos zbatuar detyrimet ligjore në lidhje me masën e sigurisë.

Materialet në ngarkim të personave të ndaluar i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.